Ndërlidhjet

Mbetja në fuqi e 1244-shit sfidon Kushtetutën


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit mbetet në fuqi edhe pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës. Andaj, në Prishtinë kjo shihet si pengesë për zbatimin e plotë të Kushtetutës, duke mos e përjashtuar dhe mundësinë që në raste të caktuara të vijë edhe deri te përplasjet ndërmjet UNMIK-ut, që do të vazhdojë të punojë me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit, dhe institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it, që si bazë funksioni do ta kenë Kushtetutën e Kosovës.


Mbetja në fuqi e Rezolutës 1244 sfidon seriozisht zbatimin e Kushtetutës së Kosovës në raste të caktuara, vlerësojnë deputetët dhe analistët.

Për kah fuqia, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit mbetet akt më i lartë, mirëpo gjendjes faktike në Kosovë dhe marrëveshjes për statusin, përkatësisht pakos së Ahtisarit, konsiderohet se i përshtatet Kushtetuta e Kosovës.

Deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Hydajet Hyseni, thotë se mbetja në fuqi e Rezolutës 1244 mund të konsiderohet si një pengesë.

Por, nënvizon ai, nuk duhet harruar se Rezoluta 1244 ka synuar që të vendosë normalitetin në Kosovë, ngritjen e institucioneve demokratike dhe bartjen e kompetencave.

Kështu që në këtë fazë, ai thotë se do ishte vështirë që të vazhdohej me Rezolutën 1244, e cila më nuk është funksionale për rrethanat e reja në Kosovë.

“Mendoj se ajo që mund të pritet është se nëse nuk mund të ndryshohet, së paku Rezoluta 1244 të reduktojë ndjeshëm ndikimin e saj në Kosovë dhe të shërbejë më shumë si një transmision drejt normalitetit dhe funksionalizimit të institucioneve demokratike në Kosovë”, tha Hyseni.

Ndërkohë, deputeti opozitar nga radhët e AKR-së, Riza Smaka, thotë se me mbetjen në fuqi të Rezolutës 1244, sfidat janë evidente dhe serioze që mund të krijojnë situata konfuze.

Mbetja në fuqi e Rezolutës 1244, sipas deputetit Smaka, i detyron institucionet e Kosovës që vazhdimisht të shmangin përzierjen e kompetencave me administratën e UNMIK-ut, e cila, për shkak të pamundësisë së shfuqizimit të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mbetet në Kosovë edhe pas tranzicionit.

“Mund të krijohet një klimë e pasigurisë dhe e përzierjes së kompetencave, ingerencave, të autorizimeve dhe situata të tilla më pastaj bëjnë që edhe institucionet përkatëse të hezitojnë dhe të mos interferojnë dhe të bëjnë, kushtimisht thënë, kompromise të caktuara”, thekson Smaka.

Në anën tjetër, analisti Ilir Dugolli vlerëson se gjendja faktike në Kosovë është më e rëndësishme, sesa përmbajtja e Rezolutës 1244, e cila i përshtatej një gjendjeje tranzicioni.

Kurse, me zgjidhjen e statusit, kërkesat e Rezolutës 1244, sipas tij, mund të konsiderohet se janë përmbushur.

Por, edhe Dugolli konsideron se Rezoluta e Këshillit të Sigurimit, megjithatë, mund të krijojë një konfuzion edhe për sa i përket misionit të UNMIK-ut dhe misionit të EULEX-it, pasi që bëhet fjalë për dy misione ndërkombëtare.

“Problemet, kuptohet, do të ekzistojnë, por do të jenë në formë të konkurrencës ndërmjet UNMIK-ut edhe kësaj pjese tjetër të pranisë civile ndërkombëtare dhe të institucioneve, të cilat që të gjitha funksionojnë në bazë të Kushtetutës, përderisa UNMIK-u do të vazhdojë, duket edhe për një kohë të ketë njëfarë pranie, në bazë të Rezolutës”, tha Dugolli.

Bazuar në fuqinë që kanë Kushtetuta e Kosovës dhe Rezoluta e Këshillit të Sigurimit, si deputetët, ashtu edhe analistët tërheqin dhe vërejtjen se Rezoluta mbetet e para për kah fuqia.

Por, besohet se nuk do të vijë deri te përplasja e fushave të përgjegjësisë mes këtyre dy akteve.

Rezoluta 1244 është tentuar të zëvendësohet edhe gjatë procesit negociues nga ana e shumicës së vendeve të Këshillit të Sigurimit, por kjo është penguar nga Rusia, e cila pati kërcënuar me përdorimin e vetos.

Andaj, në Kosovë, edhe pas fuqizimit të Kushtetutës dhe funksioneve shtetërore, Rezoluta 1244 dhe UNMIK-u mbeten në fuqi po ashtu.
XS
SM
MD
LG