Kosova do të aplikojë për anëtarësimin e saj në organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë qysh gjatë këtij viti.
Fillimisht, Qeveria e Kosovës preferon të aplikojë për anëtarësim nëpër organizata apo mekanizma në të cilat nuk kërkohet konsensusi i brendshëm politik për pranimin e shteteve të reja.
Këtu përmenden sidomos Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se qeveria po negocion për anëtarësimin e saj në këto mekanizma financiarë ndërkombëtarë, kurse aplikimi në formën zyrtare pritet të bëhet vjeshtën e këtij viti.
“Jemi në kontakt permanent me mekanizmat e theksuar, por ne do të aplikojmë konkretisht apo në mënyrë direkte në momentin kur e krijojmë ambientin që të jemi anëtarë edhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, edhe në Bankën Botërore”, tha Kuçi.
“Besoj se ky vit do të përfundojë me anëtarësimin e Kosovës fillimisht në FMN, e pastaj edhe në Bankën Botërore”, thekson ai.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se Kosova para se të aplikojë për anëtarësim nëpër organizata e mekanizma ndërkombëtarë, duhet të krijojë një ambient të përshtatshëm politik, në mënyrë që në asnjë rast të mos vijë deri te kundërshtimi i saj.
Ndërkohë që ai pranon se në këtë fazë Kosova do ta ketë shumë më vështirë të konkurrojë për anëtarësim në organizata ku kërkohet konsensusi politik.
Kombet e Bashkuara apo OSBE-ja dhe organizata të tjera janë mekanizma që funksionojnë mbi bazën e konsensusit, kështu që Kosova, tash për tash, nuk mund të aplikojë, përderisa të mos e arrijë numrin e mjaftueshëm të njohjeve ndërkombëtare si shtet.
Por, përderisa anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara apo organizata të tjera, tash për tash mund të bllokohet nga Rusia dhe vende të caktuara, orientimet pro euroatlantike të Kosovës, sipas Kuçit, nuk mund ta ndalojnë synimin e Kosovës që të përgatitet për Bashkimin Evropian dhe për NATO-n.
”Ne jemi të bindur se zhvillimet e mëtutjeshme do të jenë që edhe Rusia të jetë pjesë e procesit dhe besoj se në të ardhmen do të kemi edhe në Serbi, edhe në vendet e rajonit, qeveri me orientim pro-evropian dhe të interesuara për integrim, e jo qeveri që janë të interesuara për konfrontime”, u shpreh Kuçi.
“Numri i shteteve që do ta njohë Kosovën do të jetë në rritje. Mendojmë se gjatë këtij mandati nuk do të jetë vetëm anëtarësimi i Kosovës në OKB, por edhe të nënshkruajmë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit për anëtarësim në BE”, thotë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
Pas 15 qershorit, kur hyn në fuqi Kushtetuta, Kosova do të ketë mundësi të zgjerojë aktivitetin e saj diplomatik në shërbim të njohjes më të shpejtë të saj nga vendet e ndryshme.
Ndërkaq, hapja e ambasadave dhe përfaqësive diplomatike të para në botë, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, do të bëhet në Uashington, Nju Jork e Bruksel, për t’u pasuar më pas me hapjen e ambasadave në vendet e kuantit, si dhe në rajon dhe vendet më të fuqishme evropiane, pastaj në ato vende me të cilat Kosova ka bashkëpunim apo vendet ku numri i bashkatdhetarëve është më i madh.
Në politikat afatgjata, liderët kosovarë e kanë përmendur në disa raste se Kosova mund të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, por edhe e NATO-s, diku pas vitit 2015.