Ndërlidhjet

Haradinaj: Të bëhet më shumë për njohjen e shtetit


Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj

Kosova duhet të bëjë më shumë në aspektin e njohjes së saj ndërkombëtare dhe integrimin e pakicave, ka thënë, sot, Ramush Haradinaj, në një fjalim rasti të mbajtur në shënimin e 8-vjetorit të themelimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.


Kosova mund të bëjë edhe më shumë që njohja e saj si shtet të pranohet nga një numër shumë më i madh shtetesh, ka thënë sot kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Duke folur në shënimin e tetë vjetorit të themelimit të AAK-së, Haradinaj tha se si lider i një partie opozitare, është i gatshëm që t’i ofrojë Qeverisë së Kosovës mbështetje në planin e politikës së jashtme, që shkon në funksion të njohjes më të shpejtë të Kosovës si shtet dhe anëtarësimit të saj në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

“Do të jemi kolegë të mirë të institucioneve të Kosovës, që puna jonë dhe prezantimi i Kosovës tek qeveritë tjera, tek popujt tjerë, të jetë e menjëhershme, të jetë e shpejtë dhe kësisoj të marrim njohjen. Pra, mund të bëjmë më shumë, sesa që është bërë për njohjen e Kosovës si shtet”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se Kosova duhet t’i qaset edhe zgjidhjes së sfidës së integrimit të komunitetit serb, sidomos në pjesën veriore.

Ai tha se Kosova duhet të gjejë zgjidhje dhe të kthejë besimin e të gjithë qytetarëve të saj në institucione.

“Sado sfiduese, sado e vështirë që duket në pamjen e parë, ne duhet të gjejmë zgjidhje për integrimin e serbëve të Kosovës në jetën shoqërore, në jetën institucionale dhe të kthejmë besimin e ndërsjellë, në mënyrë që në Kosovë të gjithë të jetojnë të lirë dhe të ndihemi në vendin tonë”, tha Haradinaj.

Në vazhdim, kryetari i AAK-së tha po ashtu se shtet-bërja e Kosovës kërkon involvimin e një numri shumë më të madh ekspertësh dhe personalitetesh që mund të kontribuojnë.

Vetëm partitë politike, sipas Haradinajt, nuk mund të bëjnë aq sa duhet pa ndihmën e ekspertëve dhe kuadrove të dëshmuara jashtë partiake.

Andaj, Haradinaj tha se kjo fazë e re e zhvillimeve në shtetin e ri të Kosovës, kërkon përfshirjen e të gjitha kuadrove për një Kosovë më të mirë dhe më të zhvilluar.

“Në rast se ne dëshirojmë dhe besojmë me të vërtetë se duhet t’i japim kuptim shtetit, pavarësisë së Kosovës, se duhet t’i japim kuptim lirisë sonë të arritur me shumë mund, në rast se ne jemi të bindur për këtë, atëherë këtë nuk mund ta bëjmë të izoluar”, u shpreh Haradinaj.

“Ne duhet ta bëjmë këtë bashkë dhe gjithnjë me njerëzit e vendit, me kuadrot e reja, me njerëz që Kosovës do t’i lehtësojnë zhvillim, do t’i lehtësojnë rrugën që ka dhe veçanërisht me lehtësi do ta udhëheqin në shekullin njëzetenjë”, theksoi Haradinaj.

Në fjalimin e tij, Haradinaj është angazhuar që në Kosovë të ndërtohet shteti ligjor, ku qytetarët do ta ndjejnë veten të lirë, kurse partitë politike nuk do të cenojnë të drejtat e tyre.
XS
SM
MD
LG