Kuvendi i Kosovës ka shtyrë për të premten miratimin e Ligjit për festat zyrtare, i cili i është lënë në dispozicion një komisioni ‘ad-hok’, që ta plotësojë atë me rekomandimet e deputetëve, të cilat kanë të bëjnë me përfshirjen në ligj të Festës së 28 Nëntorit, pastaj Ditës së Çlirimit të Kosovës dhe Ditës së Dëshmorëve, data këto që nuk i ka në tekstin e vet draft-ligji i propozuar nga qeveria.
Shtyrja e miratimit të këtij ligji erdhi pas konsultimeve të gjata në Kuvend, ndërmjet Kryesisë së këtij organi dhe shefave të grupeve parlamentare, si dhe pas konsultimeve të veçanta me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se Kuvendit i duhet një ditë shtesë, përkatësisht edhe nesër, që ta ketë në shqyrtim në një komision ‘ad hok’ këtë ligj, para se ta nxjerrë për miratim në Kuvend të premten.
“Jemi dakorduar që pika gjashtë e rendit të ditës, të shtyhet. Kryesia, në konsultim me shefat e grupeve parlamentare, propozon që komisionit ‘ad hok’ t’i jepet kohë shtesë për hartimin e rekomandimeve për Ligjin për festat. Komisioni ‘ad hok’ do të punojë nesër, kurse seanca plenare për këtë ligj do të mbahet të premten, më 23 maj”, tha Krasniqi.
Pas seancës, deputetët janë shprehur optimistë se disa data historike të shqiptarëve si shumicë, por edhe ato të pakicave, mund të shtohen në kalendarin e festave që i kishte paraparë qeveria në Ligjin për festat zyrtare. Kurse kryeministri Hashim Thaçi, duke mos e precizuar se a do të shtohet apo jo numri prej 11 festave zyrtare, tha se Kosova do t’i festojë edhe festat kombëtare.
“Askush nuk mund ta mohojë rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të njerëzve të Kosovës për lirinë e vendit. Edhe si kryeministër i Kosovës, edhe qytetarët e Kosovës, do të festojmë Festën e Flamurit kombëtar shqiptar, siç do t’i festojnë edhe komunitetet tjera festat e tyre përkatëse”.
“Në kuadër të kësaj, do të punojmë në vijimësi edhe në definimin e Ditës së Çlirimit, Ditës së Dëshmorëve... Por, shteti i Kosovës nuk është shtet etnik, është shtet qytetar, shoqëri shumetnike dhe në kuadër të kompetencave, autoritetit dhe rendit kushtetues, do të sillemi të gjithë”, theksoi Thaçi.
Ligji i qeverisë për festat zyrtare parasheh 11 festa, prej tyre 17 shkurtin – si Ditën e Pavarësisë dhe Ditën e Kushtetutës, kurse të nëntë festat tjera janë festa ndërkombëtare apo fetare.
Se cili do të jetë kalendari përfundimtar i tyre, megjithatë i mbetet Kuvendit të vendosë të premten, edhe pse ky ligj përkon me pakon e Ahtisaarit dhe si i tillë ai duhet të ketë dhe pëlqimin e Zyrës Civile Ndërkombëtare.
Ndryshe, në seancën e sotme, Kuvendi ka miratuar edhe pesë ligje tjera që dalin nga plani i Ahtisaarit, ku përfshihen Ligji për arsimin në komunat e Republikës së Kosovës, ai për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Ligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ai për menaxhimin e integruar dhe kontrollin e kufirit shtetëror dhe Ligji për azil.
Me këto ligje, Kuvendi tani llogarit se ka miratuar 24 nga 34 ligjet që dalin si obligim i institucioneve të Kosovës nga plani gjithëpërfshirës për statusin.