Beogradi zyrtar paralajmëron konstituimin e organeve paralele nëpër komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë brenda 15 ditësh.
Përfaqësuesit serbë, të dalë nga zgjedhjet e 11 majit të mbajtura edhe në Kosovë, një proces zgjedhor i cilësuar si ilegal nga ana e autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare, pritet që t’i konstituojnë organet e reja komunale fillimisht në tri komunat veriore të Kosovës.
Ndërkohë që administrata e UNMIK-ut vazhdon të deklarohet se nuk i njeh dhe nuk do të bashkëpunojë me këto organe.
Por, ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, gjatë qëndrimit, këto dy ditët e fundit, në Kosovë, ka deklaruar se organet komunale do të konstituohen brenda 15 ditëve, mbi bazën e ligjeve të Serbisë.
“Këtu do të formohen organet e reja ekzekutive dhe administrata e vetëqeverisjes lokale, në mënyrë që Serbia, përmes këtyre organeve, t’i zbatojë funksionet e veta shtetërore aty ku është e mundur, e në këtë rast kjo zbatohet në komunat me shumicë serbe”, tha Samarxhiq.
Serbët e Kosovës, sidomos ata të pjesës veriore, po i bëjnë përgatitjet e fundit që t’i thërrasin mbledhjet konstituive të këtyre organeve, pavarësisht se ato janë shpallur nga UNMIK-u si ilegale.
Kryetari i komunës së Leposaviqit, Velimir Bojoviq, thotë se mbi bazën e ligjit serb, organet e reja do të konstituohen deri më 4 maj.
“Pres që Kuvendi komunal të mblidhet të mërkurën e ardhshme, ku do të bëhet verifikimi i mandateve dhe të fillohet me punët në ndërtimin e ekzekutivit”, thotë Bojoviq.
Edhe kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, beson se nuk do të ketë vonesa në konstituimin e organeve komunale.
“Me siguri së në fund të kësaj jave apo në fillimin e javës tjetër do të thirret seanca konstituive e kuvendit komunal”, thotë Milloviq.
Për shkak të bojkotit që serbët u kanë bërë zgjedhjeve në Kosovë, në pesë komuna ku ata përbëjnë shumicën apo jetojnë në numër të konsiderueshëm, shefi i UNMIK-ut pati emëruar përfaqësuesit serbë.
Por, ata tani janë zgjedhur mbi bazën e zgjedhjeve serbe. Administrata e Kombeve të Bashkuara thotë se shefi i UNMIK-ut do t’i emërojë përfaqësuesit e rinj deri më 18 qershor, por nuk e ka idenë se cilët kandidat do t’i gjejë tash për t’ua dorëzuar funksionet.
“Shefi i UNMIK-ut ka për obligim që t’i emërojë përfaqësuesit e rinj serbë deri më 18 qershor. Ne do të bashkëpunojmë vetëm me këta të emëruar”, thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko.
Sidoqoftë, të zgjedhurit serbë nga procesi zgjedhor i Serbisë do t’i formojnë organet e reja pikërisht në ndërtesat e kuvendeve komunale. Pavarësisht se këto organe cilësohen si ilegale, as UNMIK-u dhe as Qeveria e Kosovës deri më tash nuk kanë dashur të flasin se si do të veprohet në këto raste, kur organet paralele ngritën në kuadër të objekteve të institucioneve publike të Kosovës.