Ndërlidhjet

Prishtina preferon fundin e UNMIK-ut


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Kosova preferon që mandati i UNMIK-ut të përfundojë dhe se nga kjo administratë të mbetet një prezencë krejt simbolike në përputhje me Rezolutën 1244, tha presidenti Fatmir Sejdiu, pas deklaratave të fundit të shefit të UNMIK-ut se EULEX-i mund të futet nën ombrellën e OKB-së.


Prishtina zyrtare nuk mund të ndikojë aq shumë në qartësimin e misioneve ndërkombëtare pas 15 qershorit. Udhëheqës dhe përfaqësues politikë kosovarë thonë se kjo nuk varet shumë nga Kosova, kur dihet se aktiviteti diplomatik për rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe fillimin e punës së EULEX-it po zhvillohet në nivelet më të larta ndërkombëtare.

Sidoqoftë, preferencat politike të Prishtinës janë që UNMIK-u të përfundojë mandatin, duke i transferuar përgjegjësitë te institucionet vendore dhe përfunduar tranzicionin nga misioni i Kombeve të Bashkuara te ai i Bashkimit Evropian - EULEX.

Por, së fundi, ishte shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, i cili tha se EULEX-i mund të hyjë nën mandatin e Kombeve të Bashkuara. Lidhur me këto paralajmërime, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu thotë se gjithçka pritet të qartësohet në takimet diplomatike të nivelit të lartë, që po zhvillohen ndërmjet Kombeve të Bashkuara me BE-në dhe NATO-n.

“Për ne është me rëndësi që e kemi dhënë vizionin tonë, se ne e mirëpresim misionin e ri civil në Kosovë, EULEX-in, si formacion të Bashkimit Evropian në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që Kosovën e fusin në një fazë të re të zhvillimeve”.


“Natyrisht, dëshirojmë që mandati i UNMIK-ut të përfundojë. Kurse, për aq sa do të jetë simbolike Rezoluta 1244, të jetë ajo pjesë e prezencës së UNMIK-ut”,
thotë presidenti Sejdiu.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi e pranon se Kosova nuk mund të ketë ndikimin e vet parësor në përcaktimin apo qartësimin e fatit të UNMIK-ut dhe EULEX-it, pavarësisht se Prishtina do të dëshironte që EULEX-i të vinte si mision i BE-së dhe jo si mision nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara.

“Çdo gjë nuk është në dorën e Kosovës. Ne jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo do të jetë edhe me misionin e BE-së dhe OKB-në. Në këtë drejtim, nuk ka sfida që Kosova ka përballë bashkësisë ndërkombëtare. Ne e plotësojmë njëri–tjetrin dhe nuk e konkurrojmë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës do të respektohet 100 për qind dhe në tërë territorin e Kosovës”, tha zëvendëskryeministri Kuçi.

Por, ajo që shpreson Qeveria e Kosovës dhe zëvendëskryeministri Kuçi është që më 15 qershor, institucionet e Kosovës të marrin mbi vete përgjegjësitë që u takojnë mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës, e cila hyn në fuqi atë ditë.

“Në kuptim figurativ, nëse me lejoni, Kushtetuta e Kosovës i ka dy shtylla të kompetencave, ato që i parasheh për institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare. Sa i përket institucioneve vendore, nuk ka asnjë dilemë, ngase më 15 qershor, në orën 00.00, (mesnatë), do t’i marrim që të gjitha”.

“Sa i përket atyre ndërkombëtare, ka disa dilema, por besoj se bashkërisht do t’i zgjidhim. Por, gjithsesi se do të jetë një qendër e vendimmarrjes ndërkombëtare në Kosovë”,
theksoi Kuçi.

Në anën tjetër, opozita konsideron se UNMIK-u meriton falënderime për punën e deritashme, por pas 15 qershorit, sipas Avni Arifit, nga AAK-ja, administrata e Kombeve të Bashkuara duhet t’i lëshojë vendin misionit të Bashkimit Evropian.

“Ne konsiderojmë se ky hap është në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e deritashme. Kosova e ka aprovuar pakon e Ahtisaarit dhe kjo pako parasheh praninë ndërkombëtare përmes EULEX-it dhe ICO-s, dhe kjo marrëveshje parasheh fundin e misionit të Kombeve të Bashkuara”.

“Ne konsiderojmë se nuk ka asnjë arsye pse duhet të ketë shmangie nga kjo marrëveshje. E konsiderojmë të suksesshme punën e UNMIK-ut, por ka ardhur momenti që kjo të përmbyllet dhe Kosova të ecë një hap më tutje”, tha Arifi.

Misioni i planifikuar i BE-së në Kosovë mund të vendoset nën ombrellën e OKB-së, ka paralajmëruar shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker. Sidoqoftë, Ruecker, në disa raste, ka thënë se UNMIK-u duhet t’u përshtatet rrethanave të reja në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë.

Por, megjithatë, vendimi përfundimtar mbetet të merret në nivele më të larta në Nju Jork, pas konsultimeve që po zhvillohen ndërmjet qeverive të vendeve perëndimore në njërën anë dhe Moskës në anën tjetër.
XS
SM
MD
LG