Udhëheqësit e institucioneve, ata të partive politike, si edhe përfaqësues ndërkombëtarë, kanë dënuar ashpër sulmin e mbrëmshëm ndaj shtëpisë së kryeministrit Hashim Thaçi.
Presidenti Fatmir Sejdiu e ka cilësuar këtë akt si një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj zotit Thaçi dhe familjes së tij, por edhe ndaj vetë institucioneve të Republikës.
“Kërkojmë nga organet e rendit dhe të ligjit që t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme, me qëllim që ky rast të zbardhet sa më parë, kurse personat e përfshirë në këtë akt të shëmtuar të vihen para organeve drejtësisë”, thuhet në deklaratën e presidentit Sejdiu.
Sulmi është dënuar edhe nga kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, nga LDK-ja, pastaj edhe nga partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe subjekte tjera politike.
Sipas njoftimeve nga Shërbimi Policor i Kosovës dhe kabineti i kryeministrit, mbrëmë pas orës 23:00, shtëpia e kryeministrit Hashim Thaçi është sulmuar nga persona të panjohur.
Në momentin e sulmit, ka njoftuar policia, kryeministri Thaçi nuk ndodhej në shtëpi, kurse gruaja dhe djali i tij, të cilët ndodheshin në shtëpi, nuk kanë pësuar lëndime.
Zëdhënësi i SHPK-së, Arbër Beka, thotë se policia ka intervenuar në momentin e parë të marrjes së njoftimeve nga ana e sigurimit të kryeministrit dhe se policia po qëndron ende për të siguruar shtëpinë e kryeministrit në lagjen Arbëria të Prishtinës.
“Pas reagimeve të para policore, pasi ka shkuar policia në vendin e ngjarjes, janë njoftuar nga ana e sigurimit të shtëpisë së kryeministrit Hashim Thaçi, se ata kanë vërejtur së paku një person që ka tentuar të hynte brenda përmes tarracës së katit të dytë të shtëpisë së kryeministrit. Pas paralajmërimit nga ana e sigurimit, ka pasur edhe shkëmbim me armë zjarri. Pas shkëmbimit me armë zjarri, të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur”, tha Beka.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thirrur konferencë urgjente për media. Ai e ka cilësuar këtë si një akt kriminal të drejtuar kundër kryeministrit Thaçi dhe kumtoi urdhëresën e qeverisë që të ngritët shkalla e sigurisë për shumë nga zyrtarët e qeverisë.
“Fakti që dikush ka bërë përpjekje ta lëndojë kryeministrin dhe familjen e kryeministrit, për çfarëdo motivi, nuk është vetëm veprim kriminal, që kalon çfarëdo kufiri të urrejtjes, qoftë edhe padurimin apo urrejtjen politike”.
“Si rrjedhojë e kësaj situate të rëndë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka urdhëruar ngritjen e masave të sigurisë për shumë nga zyrtarët e qeverisë dhe bartësit e institucioneve tjera, si dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës”, u shpreh Kuçi.
Hajredin Kuçi tha se kërcënimet dhe aktet e tilla të sulmeve nuk do t’i ndalin politikat e kryeministrit dhe qeverisë. Ai tha se nuk mund të flitet tash për ndonjë adresë të caktuar që ka mundur të ndërmarrë këtë sulm.
“Cilido që mendon se përmes këtij rasti apo rasteve të tjera të destabilizojë vendin, ne kërkojmë që qytetarët t’u besojnë institucioneve të drejtësisë. Dikujt mund t’i pengojë ndërtimi i shtetit të ri, suksesi i këtij ndërtimi të shtetit të ri, rendi dhe ligji në Kosovë, perspektiva evropiane dhe natyrisht puna e kryeministrit direkt”, tha Kuçi.
Kryeministri Thaçi, sipas një njoftimi nga kabineti i tij, ka pranuar telefonata nga autoritetet e SHBA-ve, të BE-së, NATO-s, si dhe nga presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe nga personalitete të tjera nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia.
Raste të tilla të sulmeve ndaj udhëheqësve të institucioneve të Kosovës kanë ndodhur edhe në të kaluarën, kur ishte sulmuar shtëpia e ish-presidentit Ibrahim Rugova, por rasti nuk është zbardhur ende.