Ndërlidhjet

Letra e Ban Ki Moon-it sfidon Kosovën dhe misionin e BE-së


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se rikonfigurimi i UNMIK-ut hap sfidë të re si për vendorët, ashtu dhe për ndërkombëtarët në Kosovë. Ai tha se pas 15 qershorit, Qeveria e Kosovës duhet t’i marrë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë me Kushtetutë.

Ndërkaq, analisti Ilir Dugolli thotë se letra e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, për rikonfigurimin e UNMIK-ut, favorizon në masë të madhe serbët dhe ushqen apetitet e serbëve se mund të funksionojnë në Kosovë, pa i përfillur fare institucionet e Kosovës.

Procesi i rikonfigurimit të UNMIK-ut po e sfidon jo vetëm Kosovën, por edhe Bashkimin Evropian, ka thënë sot kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Këto komente, Krasniqi i ka bërë në lidhje me letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, për rikonfigurimin e administratës së Kombeve të Bashkuara, e cila mbetet ende në Kosovë me një rol të konsiderueshëm edhe pas shpalljes së pavarësisë.

Krasniqi tha se letra e Ban Ki Moon-it reflekton koncesionet e bëra me vendet që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, si nga vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit ashtu edhe vendeve tjera. Andaj, ai tha se letra e Ban Ki Moon-it nuk ka sqaruar shumë gjërat dhe se me mbetjen në fuqi të Rezolutës 1244 sfidohet si Kosova, ashtu edhe Bashkimi Evropian, përkatësisht misioni EULEX.

“Jo vetëm Kosovës, institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës është duke iu bërë një sfidë, por sfida mendoj nuk është vetëm e jona, ajo po i bëhet edhe faktorit ndërkombëtar. Dhe, ne jemi të bindur që sfida që po i bëhet faktorit ndërkombëtar nuk është e bazuar dhe nuk është në shërbim të demokracisë dhe të zhvillimeve politike që ndodhin dhe janë duke ndodhur në Kosovë”, tha Krasniqi.

Kryeparlamentari Krasniqi tha se u përket presidentit dhe kryeministrit që të dalin me pozicionin e tyre në lidhje me këtë letër, kurse Kuvendi i Kosovës, sipas tij, do të kërkojë nga qeveria që menjëherë pas 15 qershorit të marrë në përgjegjësi pushtetin e plotë në Kosovë, sipas autorizimeve që i parasheh Kushtetuta.

“Detyrë dhe obligim i Kuvendit të Kosovës është që të kërkojë nga institucionet e Kosovës që pas 15 qershorit t’i ushtrojnë detyrat dhe funksionet e veta konform Kushtetutës. Bile, mendoj se Parlamenti e ka të drejtën që të kërkojë edhe nga institucionet ndërkombëtare, aty ku kanë përgjegjësi që t’i ushtrojnë përgjegjësitë dhe kompetencat konform dokumentit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari”, thotë Krasniqi.

Ndërkohë, analistët vlerësojnë se kjo letër merr parasysh shqetësimet e të gjitha palëve, por nuk definon saktë asgjë. Analisti Ilir Dugolli thotë se Ban Ki Moon ka lënë shumë zbrazësi në letrën e tij, duke u lënë të gjitha palëve të vlerësojnë dhe interpretojnë në mënyrën e vet letrën e rikonfigurimit.

“E ushqen shpresën e serbëve se ata mund të qeverisin pa pasur ndonjëfarë interaksioni me institucionet qendrore të Kosovës”, vlerëson Dugolli.

Analisti Dugolli thotë se Ban Ki Moon ka favorizuar në masë të konsiderueshme serbët në letrën e tij. Po ashtu, edhe raportet ndërmjet serbëve dhe Beogradit, sipas Dugollit, mbeten tejet të paqarta dhe kjo lë hapësirë për Beogradin që të vazhdojë të interferojë në zhvillimet politike në Kosovë, duke përdorur kartën e pakicës serbe.

“Ban Ki Moon është përpjekur që t’u ofrojë diçka serbëve, është përpjekur që të anojë kah ata, duke synuar, duke lënë përshtypjen e njëfarë balansi, e njëfarë baraspeshimi mes njërës anë, mosndërmarrjes së hapave kundër shpalljes së pavarësisë, ashtu si kanë bërë presion serbët e rusët, e në anën tjetër duke u dhënë diçka sipas propozimeve të veta serbëve”, thekson Dugolli.

Në anën tjetër, përfaqësuesja serbe, Rada Trajkoviq, thotë se Ban Ki Moon ka paraqitur në njëfarë forme si për Prishtinën, ashtu edhe për Beogradin, disa detyra që duhet të kryhen ndërkohë. Ajo kritikon sidomos qasjen refuzuese të Beogradit.

“Reagimi në Beograd nga kryeministri Koshtunica, i cili menjëherë doli dhe e hodhi poshtë dokumentin, mendoj se nuk është i mirë, pasi që refuzohet diçka pa dhënë ndonjë alternativë konkrete”, thotë Trajkoviq, e cila beson se EULEX-i do të ketë një rol të caktuar në Kosovë, ndërkohë që UNMIK-u do t’i bartë përgjegjësitë te institucionet e Kosovës.

Në letrën e tij drejtuar autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, thotë se ai synon ta rikonfigurojë misionin e KB-së në Kosovë, për të lejuar Bashkimin Evropian që të marrë përgjegjësi në çështjet kryesore.

“Është synim imi që ta rikonfiguroj strukturën dhe profilin e pranisë ndërkombëtare civile, në atë mënyrë që i mundëson Bashkimit Evropian që ta marrë dhe ta forcojë rolin operacional në harmoni me Rezolutën 1244”, thuhet në këtë letër.

Presidenti Fatmir Sejdiu ka zhvilluar tashmë takime me kryeministrin dhe kryeparlamentarin e Kosovës, si dhe me shefin e UNMIK-ut dhe përfaqësuesit e vendeve të ‘quintit’, por nuk është deklaruar për media. Për t’i informuar me letrën e Sekretarit të Përgjithshëm, Sejdiu ka ftuar në takime edhe përfaqësuesit e opozitës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG