Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë përkrah popullit të Kosovës, ka thënë sot kongresisti amerikan Eliot Engel, në një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Në këtë seancë solemne, të organizuar për kongresistin e njohur amerikan, Engel tha se nuk duhet lejuar që Moska dhe Beogradi të bllokojnë procesin dhe të krijojnë destabilitet në Kosovë.
Ndërkaq, u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara dhe UNMIK-ut se periudha e tyre udhëheqëse në Kosovë ka përfunduar dhe se tash duhet t’i lejojnë misionit të EULEX-it të fillojë me operimet e plota në gjithë territorin e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ai tha se edhe në misionin e ri, Shtetet e Bashkuara do të jenë të përfshira, ngase këtë e dëshiron vetë Kosova.
“Besoj se populli i Kosovës dëshiron që SHBA të jetë e përfshirë në proceset në Kosovë, sepse i beson Amerikës dhe duhet t’i besojë”, tha kongresisti Engel.
Ndërkaq, duke folur për letrën e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, Engel tha se ky është momenti që UNMIK-u të shkojë, kurse EULEX-i të shtrihet në Kosovë.
“Nuk mendoj se EULEX-i duhet të sfidohet nga Kombet e Bashkuara për shkak të obstruksioneve ruse”, tha ai.
Kongresisti Engel tha se në Kosovë po ndërtohet një demokraci e vërtetë, një shtet i fortë e sovran, me një shoqëri të lirë dhe demokratike. Andaj, ai tha se të gjithë duhet ta kuptojnë se Republika e Kosovës është e përhershme dhe e qëndrueshme.
Në këtë aspekt, ai lavdëroi nxjerrjen dhe fuqizimin e Kushtetutës, me të cilën, si u shpreh ai, Kosova po zë vend në bashkësinë e kombeve demokratike, ku zbatimi i ligjit është më rëndësi kapitale.
Andaj, Engel tha se tash duhet të ketë një tranzicion të vërtetë dhe pa zvarritje, që nënkupton dorëzimin e kompetencave nga UNMIK-u te Qeveria e Kosovës.
“Shpresoj se OKB-ja mund të luajë rol pozitiv dhe shpresojmë se Rusia e Serbia do të pushojnë së luajturi rolin negativ”.
“Këto dy vende duhet ta kuptojnë dhe pranojnë se pavarësia e Kosovës është jo vetëm në të mirën e Kosovës, por edhe të rajonit dhe botës”, theksoi kongresisti amerikan.
Engel premtoi se Uashingtoni do të angazhohet që edhe më shumë vende ta njohin Kosovën e pavarur.
Ai tha se ndihej shumë i lumtur që në Kosovë, si pavarësia, ashtu edhe fuqizimi i Kushtetutës, është shënuar edhe me flamurin amerikan.
Fjalimi i kongresistit Eliot Engel është përcjellë me duartrokitje të shpeshta të deputetëve kosovarë.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se legjislativi i Kosovës, ndjehet i nderuar që sot i është drejtuar njeriu që aq shumë kontribuoi për Kosovën, lirinë dhe pavarësinë e saj, për 20 vjet rresht.