Ndërlidhjet

Deputetët: UNMIK-u ka mbaruar misionin


Deputetët e Kuvendit të Kosovës
Deputetët e Kuvendit të Kosovës

Këshilli i Sigurimit do të duhej që të caktojë një datë për t'i dhënë fund misionit të UNMIK-ut në Kosovë, thonë deputetët kosovarë. Sipas tyre, Rezoluta 1244 i komplikon gjërat rreth dhënies fund të mandatit të UNMIK-ut.


Deputetët e Kuvendit të Kosovës thonë se Këshilli i Sigurimit do të duhej që përfundimisht ta qartësonte rrugën e përfundimit të misionit të UNMIK-ut në Kosovë. Por, ata shprehen edhe skeptikë se kjo çështje do të qartësohet në seancën e nesërme në Nju Jork.

Deputeti i pavarur, Driton Tali, kërkoi sot nga Kuvendi që të shqyrtojë planin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, dhe të dalë me një deklaratë, përmes së cilës do t’i bënte thirrje Këshillit të Sigurimit që t’i japë fund misionit administrues në Kosovë, përmes UNMIK-ut. Ai thotë se në Kosovën e pavarur, UNMIK-u paraqitet vetëm si pengesë e proceseve aktuale.

“Parlamenti duhet të dalë me një deklaratë, qëndrim apo rezolutë, dhe t’ua bëjë të qartë të gjithë faktorëve, aktorëve ndërkombëtarë, se për letrën e Ban Ki Moonit nuk është negociuar dhe se e tillë nuk ka autoritet në Kosovë. Ne u mbetemi besnikë atyre obligimeve që na jep paketa e Ahtisaarit. Kështu që në mënyrë kategorike duhet ta hedhim si të papranueshme këtë letër”, thotë Tali.

Ndërkohë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, e vlerëson pozitivisht faktin se Këshillit të Sigurimit do t’i drejtohet edhe presidenti Fatmir Sejdiu. Ai beson se misioni i UNMIK-ut mund të përmbyllet deri në vjeshtën e këtij viti dhe se një rezultat të tillë edhe e pret nga seanca e nesërme në Nju Jork.

“Misioni i UNMIK-ut për ne është i mbyllur, kurse tranzicioni deri në vjeshtë është një tranzicion që për shkak të komplikimeve me Rezolutën 1244, presidenti - si autoriteti më i lartë në vend - e ka pranuar. Besoj se do t’ia arrijë të bindë Këshillin e Sigurimit që ta rikonfigurojë dhe ta mbyllë misionin e UNMIK-ut, që ta ketë edhe një datë për mbylljen e këtij misioni”, thekson Haziri.

Përderisa Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit mbetet në fuqi, komplikohet edhe çështja e përfundimit të mandatit të UNMIK-ut, thotë në anën tjetër deputetja e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Besa Gaxherri. Por, ajo beson se Këshilli i Sigurimit duhet ta njohë realitetin e ri që mbretëron tash në Kosovën e pavarur dhe t’ia transferojë përgjegjësitë e misionit civil ndërkombëtar EULEX-it.

“Natyrisht që presim sqarimin e disa gjërave. E kemi të qartë se është në fuqi Rezoluta 1244, por edhe Kombet e Bashkuara, edhe administrata ndërkombëtare, duhet ta kenë parasysh se në Kosovë ka ndryshuar realiteti dhe Kosova tash është e pavarur. Unë mendoj se UNMIK-u e ka kryer misionin e vet në Kosovë dhe duhet t’i koordinojë punët mirë me EULEX-in dhe për një kohë shumë të shkurtër neve duhet të na i lirojnë duart dhe ne të ecim tutje”,
pohon Gaxherri.

Sidoqoftë, Prishtina zyrtare i është përgjigjur pozitivisht letrës së Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, për rikonfigurimin e UNMIK-ut, edhe pse aty nuk janë dhënë afate të caktuara.

Autoritetet kosovare kanë pohuar se me hyrjen në fuqi të Kushtetutës, pavarësisht rolit që ka UNMIK-u me Rezolutën 1244, do t’i marrin mbi vete të gjitha përgjegjësitë kushtetuese, me çka administrata e UNMIK-ut do të mbetej plotësisht nën hijen e autoriteteve të Kosovës. Por, mbetet të shihet edhe si do të rregullohet transferimi i përgjegjësive nga UNMIK-u te misioni i BE-së, përkatësisht ai i EULEX-it.
XS
SM
MD
LG