Ndërlidhjet

Hyseni: Cenimi i integritetit të Kosovës hap çështjen e Luginës së Preshevës


Hydajet Hyseni
Hydajet Hyseni

"Nëse Beogradi insiston në parimin etnik për zgjidhjen në raportet serbo-shqiptare, atëherë do të duhej të llogariste se si reflektohet kjo në pjesët e banuara me shqiptarë jashtë Kosovës", thotë Hydajet Hyseni, nga Partia Demokratike e Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Hyseni, si e shpjegoni faktin se edhe pas shpalljes së pavarësisë dhe fuqizimit të Kushtetutës, institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare nuk kanë arritur të shtrijnë pushtetin në gjithë territorin e Kosovës, ku ende ka funksionim të papenguar të strukturave paralele që mbështeten nga Beogradi?

HYDAJET HYSENI
Strukturat paralele funksionojnë zakonisht dhe në shumë raste janë edhe të justifikueshme, kur mungojnë kushtet për funksionim demokratik, kur mungojnë mundësitë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve në rrugë normale demokratike.

Kosova tanimë nuk mund të trajtohet si vend i tillë. Për më tepër, strukturat që funksionojnë në Kosovë, të instrumentalizuara nga Beogradi, nuk janë struktura paralele, por janë struktura të vjetra. Është një përpjekje për t’i mbajtur strukturat e vjetra dhe funksionimin e vjetër si recidiv të raporteve tashmë të tejkaluara të dominimit Beograd - Prishtinë.

Është problem i shkaktuar nga jashtë, do të thosha i shkaktuar dhe i fabrikuar nga jashtë dhe i toleruar nga qarqe të caktuara ndërkombëtare. Lojë – që tashmë po shihet qartë se dëmton jo vetëm funksionimin demokratik në Kosovë, por dëmton ekskluzivisht interesat e serbëve të Kosovës dhe të ardhmen e tyre të lirë e paqësore në Kosovë dhe më gjerë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pikëpamje të ndryshme, sipas të cilave, institucionet vendore dhe ndërkombëtare nuk kanë ndërmarrë hapa për të vënë rendin kushtetues në pjesë të caktuara të Kosovës. A konsideroni se ka mundur të bëhet diçka në këtë drejtim?

HYDAJET HYSENI
Nuk mund të kontestohet konstatimi juaj. Për më tepër, ka edhe zhvillime që për kuptimin tim kanë inkurajuar këtë qasje antihistorike të një pjese të serbëve të Kosovës- me lancimin e eksperimenteve të ndryshme, me decentralizimin dhe me gjoja disa koncesione, që në emër të serbëve të Kosovës, në të vërtetë i bëheshin Beogradit dhe strategjisë obstruktive të Beogradit, për ta diskredituar realitetin e ri në Kosovë, për ta bllokuar funksionimin demokratik, me shpresë se në këtë mënyrë do të mund të instalohej ai që tash po thuhet hapur se ishte qëllim – konflikti permanent në Kosovë, konflikti i ngrirë në Kosovë, si mundësi për qiprizimin e Kosovës dhe për ndonjë revanshizëm eventual.

Kjo frymë ka inkurajuar pastaj tendencat separatiste, prapakthyese edhe të serbëve të Anamoravës dhe ata tanimë shkojnë në drejtim të getoizimit dhe enklavizimit që është dënim shtesë për ta dhe një pengesë shtesë për funksionimin e asaj ane.

Në fakt, kjo ndodh në gjithë Kosovën. Eksperimentet e tilla nuk ndihmojnë integrimin e komuniteteve në Kosovë, tashmë shihet qartë; nuk ndihmojnë pajtimin ndëretnik në Kosovë, nuk ndihmojnë normalizimin e gjendjes në Kosovë, por përkundrazi e vështirësojnë atë. Sa më shpejt që të kuptohet, aq më mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku është roli i institucioneve këtu që t’i nxjerrin këta njerëz nga getot dhe t’i integrojnë në shoqërinë kosovare?

HYDAJET HYSENI

Institucionet e Kosovës do të duhej të bënin më shumë dhe duhet ta bëjnë tash atë që është dashur ta bëjnë shumë vite më parë. Përcaktimi për dialog, për zgjidhje paqësore është i pakontestueshëm, por ngatërrimi i adresave dhe i partnerëve shkakton probleme zinxhirore.

Me Beogradin duhet biseduar për çështjet që janë çështje midis dy vendeve, midis Prishtinës dhe Beogradit, duke sqaruar qartë se kush është në njërën anë dhe kush në anën tjetër të tavolinës.

Për probleme të brendshme, të funksionimit të brendshëm, nuk duhet lejuar që të bisedohet me Beogradin dhe të legjitimohet pretendimi i Beogradit për t’u përzier në punë të brendshme të Kosovës.

Por, duhet pasur guximin për të biseduar me qytetarët e Kosovës, me të gjitha komunitetet. Besoj se kjo do të kishte efekte pozitive.

Mendoj që qëndrimi ndaj Beogradit do të duhej të ishte krejtësisht tjetër. Po - për fqinjësi si me të gjitha vendet, po - për normalizim të raporteve ndërfqinjësore dhe regjionale, por jo - për çfarëdo përpjekjeje për ndërhyrje në punë të brendshme të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa konsideroni atëherë se mund të bisedohet me Beogradin për çështjen e getoizimit, siç thatë edhe ju, që po akceptohet nga serbët si mundësi për separatizëm?

HYDAJET HYSENI

Bashkësia ndërkombëtare dhe forcat demokratike në Serbi, po ashtu edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, do të duhej të bënin çmos për ta parandaluar një lojë të tillë. Nëse dallohet ajo që është interes i serbëve të Kosovës dhe i synimeve të Beogradit, atëherë mund edhe të shtrohet çështja pastaj edhe në baza parimore, edhe me Beogradin, edhe me secilin që është i interesuar.

Të përcaktohet parimi për zgjidhjen e çështjeve eventuale kontestuese. Beogradi do të duhej të zgjidhte, nëse do respektimin e asaj që tashmë është edhe një konsensus i një pjese të mirë të bashkësisë ndërkombëtare, madje mund të thuhet edhe më shumë se kaq, për moslëshimin e kufijve të Kosovës, do të thotë status-quo-ja sa i përket kufijve të Kosovës, atëherë do të duhej ta respektonte këtë.

Nëse Beogradi insiston në parim tjetër, parimin etnik për zgjidhjen në raportet serbo-shqiptare, atëherë do të duhej të llogariste se si reflektohet kjo në pjesët e banuara me shqiptarë jashtë Kosovës, e që janë problem ekuivalent me problemin e disa komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Të dyja nuk shkojnë, ose njëri parim, ose parimi tjetër. Parimi eventual etnik nënkupton edhe zgjidhje adekuate për problemin e Preshevës, Bujanocit, Medvegjës dhe për probleme të ngjashme në regjion.

Përgjegjësinë për pasojat eventuale të hapjes së një alternative të tillë duhet ta marrin ata që insistojnë në parime të tilla dhe ata që i tolerojnë ato. Shqiptarët nuk kanë arsye për t’iu frikësuar cilësdo zgjidhje parimore.

Atë që populli i Kosovës, shqiptari i Kosovës e ka bërë në vitet ’90, me pajtimin e gjaqeve midis tyre, atë që nuk mund ta bënte asnjë regjim, mijëra familje të pajtohen për një fushatë, populli i Kosovës mund ta bëjë edhe me fqinjët e tij, me kushtin që Kosova të pranohet ashtu siç është, si e lirë, e pavarur, demokratike, si vend që u takon të gjithëve që jetojnë në Kosovë, edhe si qytetarë, edhe si komunitete, edhe si perspektivë e të gjithëve që jetojnë dhe duan të jetojnë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG