Pritjet se Qeveria e re në Beograd do të punojë më tepër për zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen serbët e Kosovës, por edhe dyshimet se diçka konkrete mund të ndryshohet në terren, janë vlerësimet kryesore që shprehin përfaqësues të ndryshëm të këtij komuniteti në Kosovë.
Përfaqësuesit serbë vazhdojnë ta shohin Qeverinë e Serbisë si qeverinë e tyre, duke injoruar institucionet dhe Qeverinë e Kosovës.
Oliver Ivanoviq, një nga këta përfaqësues, pret që Qeveria e re e Serbisë të angazhohet më shumë në çështjet që kanë të bëjnë me përditshmërinë e serbëve të Kosovës.
“Serbia do të jetë e pranishme në Kosovë për aq sa do të ketë serbë këtu. Sipas kësaj, këta serbë duhet të kenë një jetë stabile dhe të qetë, liri fizike e juridike dhe perspektivë ekonomike”, thotë Ivanoviq, duke potencuar se pikërisht perspektiva ekonomike do të ishte elementi kyç në mbetjen e serbëve në Kosovë.
Ndërkaq, Rada Trajkoviq, nga Këshilli Nacional Serb, vlerëson se Qeveria e Serbisë ka një punë të madhe, pasi që duhet të mbrojë statusin e shtetit serb në Kosovë.
"Pres që qeveria, të cilës tani për tani i është pamundësuar hapësira e veprimit, me një politikë të shpejtë e efikase, të gjejë mënyrë me të cilën do t’ia dalë që t’i mbrojë interesat e shtetit dhe të legalizojë çështjen serbe në hapësirën e Kosovës”, thotë Trajkoviq.
Ndërkohë, Momçillo Trajkoviq, nga Nisma për Rezistencën Serbe, bën thirrje që të kihet kujdes nga deklaratat dhe pritjet, pasi që, sipas tij, edhe qeveritë e mëparshme serbe kanë premtuar shumë, por kanë arritur fare pak.
“Nuk mjafton që verbalisht të thuhet se do ta ruajmë Kosovën dhe do të hyjmë në BE. Mendoj se rruga për në BE është rast yni, por kam frikë dhe dyshim në strategjinë për Kosovën”, thotë Momçillo Trajkoviq.
Në Qeverinë e re të Serbisë të kryeministrit Mirko Cvetkoviq do të ketë si edhe në qeveritë e kaluara, ministri për Kosovën, të cilën do ta drejtojë Goran Bogdanoviq, një përfaqësues serb nga Kosova, i cili në mandatin e parë të institucioneve të Kosovës ishte deputet në Kuvend dhe ministër në Qeverinë e Kosovës për bujqësi e pylltari.
Ai thotë se në punën e tij, tani si ministër i Qeverisë së Serbisë për Kosovën, do të ketë si prioritet ruajtjen dhe ekzistencën e pakicës serbe në Kosovë.
“Do të luftojmë për të siguruar një ekzistencë të qëndrueshme dhe për kthimin e atyre që ishin përndjekur gjatë vitit 1999 dhe atij 2004. Kurse, angazhimi i dytë do të jetë një jetë më e mirë për komunitetin serb në Kosovë”, thotë Bogdanoviq.
Ndërsa serbët e Kosovës vazhdojnë të mbajnë shpresat dhe pritjet e tyre kah qeveria në Beograd, institucionet e Kosovës u bëjnë thirrje të vazhdueshme atyre që ta shohin të ardhmen e vet si komunitet i integruar në institucionet e Republikës së Kosovës, çka tashmë është përfillur nga një pjesë e serbëve që marrin janë pjesë aktive në punën e Parlamentit dhe të Qeverisë së Kosovës.