Ndërlidhjet

As Gjeorgjia, as Osetia s’kanë lidhje me Kosovën


Autoritetet politike në Prishtinë, si edhe analistët nuk shohin ngjashmëri ndërmjet rasteve si Osetia Jugore dhe veriu i Kosovës. Sipas tyre, krahasimet e këtilla, janë synime për përfitime politike.


Jo vetëm Kosova, por as ndonjë pjesë e caktuar e saj nuk mund të krahasohet me raste tjera në botë, thonë zyrtarë dhe analistë politikë në Prishtinë.

Duke kundërshtuar krahasimet ndërmjet rastit të Kosovës dhe Gjeorgjisë, njëherësh në Prishtinë kundërshtohen edhe krahasimet që mund t’ia bëjë dikush pjesës veriore të Kosovës dhe Osetisë Jugore.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se duke u trajtuar si rast unik dhe i veçantë, Kosova ka fituar mbështetjen dhe njohjen ndërkombëtare si shtet i pavarur. Kuçi thotë se krahasimet që mund të bëhen ndërmjet Osetisë Jugore dhe veriut të Kosovës, mund të kenë karakterin e përfitimeve momentale që dikush dëshiron t’i arrijë, ngase këto raste nuk kanë ngjashmëri as në kuptimin politik- juridik dhe as në kuptimin historik.

“Mendoj se Kosova tanimë e ka marrë kahjen e vet të zhvillimit. Kosova tanimë është ndërtuar si shtet dhe ka fituar mbështetje të plotë ndërkombëtare nga shtetet më me ndikim si në kuptimin ekonomik-politik, por edhe në zhvillimet gjeo-strategjike”.


“Rastet në botë, apo zgjidhja e rasteve duhet të jetë veç e veç, ngase ne do të ishim njerëz me fat sikur sipas një formule do t’i zgjidhnim të gjitha problemet e botës, por secili problem i ka specifikat e veta dhe kërkesat e veta”, thekson Kuçi.

Ndërkohë, analisti Shkëlzen Maliqi rikujton se Rusia me vite është përpjekur të bëjë krahasime për interesat e veta të rasteve të ndryshme me Kosovën. Maliqi thotë se ka një shpërputhje këtu, pasi që në rastin e Kosovës, Rusia kërkon njohjen e sovranitetit të Serbisë, përderisa në rastin e Gjeorgjisë nuk e përfill sovranitetin e këtij vendi.

Andaj, shton Maliqi, krahasimet nuk mund të bëhen as në rastin e veriut të Kosovës me raste të tjera në botë, si Osetia Jugore apo ndonjë vend tjetër.

“Mendoj se veriu është një problem tjetërfare, më vete dhe nuk i ka as pretendimet deri tash, së paku nuk i ka treguar, se dëshiron të shpallë farë pavarësie. Serbia, edhe pse në mënyrë indirekte kontrollon terrenin atje, sepse atje ka një shumicë serbe, por nuk ka treguar deri tash se ka ndonjë pretendim që ta shpallë atë zonë si të pavarur, e bile as autonomia nuk është në opsion”, vlerëson Maliqi.

Jo vetëm juridikisht, por edhe gjendjet faktike në veriun e Kosovës dhe në pjesët e caktuara të Gjeorgjisë ndryshojnë rrënjësisht dhe nuk mund të ketë ngjashmëri, pohon në vazhdim Shkëlzen Maliqi.

“Dallimi esencial është ky, se Rusia me fuqinë e vet, me ushtrinë e vet e kontrollon dhe i mbron ato dy republikat e vetëshpallura, kurse Serbia nuk ka prezencë efektive ushtarake dhe kontrolli i NATO-s, i forcave ndërkombëtare ende mbetet këtu dhe unë nuk po shoh se në këtë aspekt mund të tërhiqen paralele”, tha Maliqi.

Ndërkaq, sipas analistit Belul Beqaj, realitetet në Kosovë dhe në Gjeorgji janë krejtësisht të ndryshme dhe nuk mund të ndërlidhen. Kurse, ndërlidhja e këtyre rasteve, sipas Beqajt, vjen si rrjedhojë e mentaliteteve ekspansioniste të Rusisë dhe Serbisë.

“Unë mendoj se lidhshmëria e vetme që mund të shihet në këto relacione është mundësia e intervenimit të njëjtë apo të ngjashëm të Serbisë, sikur KFOR-i të mos ishte i pranishëm në Kosovë dhe unë mendoj se këtu fillojnë dhe përfundojnë ngjashmëritë mes mentaliteteve ekspansioniste që i ka Serbia dhe Rusia, por jo edhe faktet politiko-juridike që i kanë Kosova dhe Gjeorgjia”,
thotë Beqaj.

Sa i përket veriut të Kosovës, analistët thonë se Serbia mund të insistojë që me mjete diplomatike ta shkëputë këtë pjesë nga Kosova, duke u thirrur në gjendjen faktike, por nuk besohet se Serbia mund të provojë që me forcë të marrë këtë territor, siç vepron Rusia në Gjeorgji, pasi që në Kosovë ka një prani të NATO-s, e cila mund të sigurojë në çdo rast tërësinë territoriale të Kosovës.
XS
SM
MD
LG