Ndërlidhjet

Zannier: UNMIK mbetet në vendbanimet serbe


Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier
Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier

Me gjithë pritjet për reduktimin e stafit të UNMIK-ut dhe shtrirjen e EULEX-it, shefi i administratës ndërkombëtare Lamberto Zannier tha se UNMIK-u do të ruajë praninë e vet në vendbanimet me popullatë serbe apo me popullatë të përzier.


Procesin e rikonfigurimit të administratës së Kombeve të Bashkuara, shefi i kësaj administrate, Lamberto Zannier, e ka cilësuar si proces që pasqyron gjendjen e re në terren. Ndërsa UNMIK-u do të reduktoj stafin kurse EULEX-i do të shtrihet në terren, ai megjithatë tha se UNMIK-u do të ruaj një prani të vet në Kosovë sidomos në vendbanimet me popullatë serbe apo me popullatë të përzier.

“Ne do të mbetemi të pranishëm në Pejë, Graçanicë, Shtërpcë dhe sigurisht edhe në Mitrovicë”, tha Zannier, në një takim me gazetarët.

Ndërkaq lidhur me doganat, Zannier pranoi se është e domosdoshme që në veri të Kosovës të shtrihet pushteti legal, pasi që atje gjithçka është jashtë kontrollit çka vlerësohet se po shfrytëzohet për kontrabandë dhe kalime të pakontrolluar të mallrave.

Por, as sot, Zannier nuk dha ndonjë afat se kur do të kthehet rendi në pikat doganore në veri dhe nuk përmendi ndonjë masë që mund të ndërmerret atje.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara e ka demantuar sot përfundimisht se ai ka propozuar që të krijohet një lloj force policore serbe, brenda Shërbimit Policor të Kosovës.

Ndonëse ky demant erdhi disa javë pasi që ishte publikuar në media, Zannier tha se ai smund të reagonte më herët pasi që ndodhej në pushimet e verës. Gjatë kësaj kohe, ai tha se kishte lexuar për çështje të cilat nuk reflektonin me deklaratat dhe qëndrimet e tij politike.

Ai tha se pas takimit me ministrin serb, Goran Bogdanoviq menjëherë pas e kishte njoftuar qeverinë e Kosovës, për përmbajtjen e takimit, ku sipas tij, as që ishte diskutuar për krijimin e ndonjë komande të ndarë jashtë apo paralel me zinxhirin komandues të SHPK-së.

Në takimin me ministrin serb, Zannier tha se, Bogdanoviq i kishte kërkuar atij që policët serb të jenë nën komandën e UNMIK-ut. Në këtë kërkesë, Zannier tha se i kishte thënë ministrit Bogdanoviq se tranzicioni ka përfunduar dhe se policët serb duhet të jenë pjesë e komandës unike të policisë së Kosovës.

“Kam dëgjuar dhe lexuar se kishte ide për krijimin e komandës së ndarë për policët serbë. Më duhet të sqaroj se unë kurrë nuk e kam përmendur një gjë të tillë këtë me askënd”, tha shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG