Ndërlidhjet

Gjykata në Mitrovicë - gjashtë muaj e paralizuar


Protestuesit serbë para gjykatës në Mitrovicë, mars 2008.
Protestuesit serbë para gjykatës në Mitrovicë, mars 2008.

Gjykata e Qarkut në veri të Mitrovicës ka 6 muaj që nuk funksionon në përbërje dhe me kapacitete të plota. Që nga 20 shkurti, ky institucion vepron në Vushtrri me staf prej 10-15 anëtarësh nga gjithsejtë 170 sa ishin të punësuar në fillim.

Zhvendosja e personelit të kësaj gjykate nga veriu në Vushtrri ishte bërë disa ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për shkaqe të situatës së brishtë të sigurisë në veri të vendit. Zëdhënësi i administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Alexander Ivanko, sqaron:

"Problemi ishte se situata e sigurisë në veri të Mitrovicës e rrezikonte punën e gjykatësve shqiptarë, por edhe ndërkombëtarë në këtë pjesë. Pra, vendimi për tërheqjen e gjykatësve është marrë për shkaqe sigurie".

Kryetari i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, Kapllan Baruti, pohon se mungesa e hapësirës dhe e personelit të nevojshëm ka ndikuar negativisht në intensitetin e punës së gjykatës, e cila tani mund të procedojë vetëm rastet urgjente. Sipas Barutit, këto probleme kanë shkaktuar një vakuum juridik, i cili rrezikon realizimin e të drejtave elementare të njeriut.

"Jemi duke i kryer vetëm lëndet me paraburgim dhe lëndët e tjera urgjente dhe kjo po ndikon shumë negativisht, meqenëse palët dhe qytetarët nuk po mund t'i realizojnë të drejtat e tyre elementare. Në fakt, është duke u krijuar një vakuum total juridik", thotë Baruti.

Autoritetet lokale të Mitrovicës e vlerësojnë si shqetësues paralizimin, siç e quajnë ata, të Gjykatës së Qarkut. Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, thotë se kufizimi i punës së këtij mekanizmi ndikon në rritjen e aktiviteteve kriminale, të cilat, sipas tij, edhe ashtu janë të mëdha në pjesën veriore të vendit.

"Kjo është shqetësuese jo vetëm për Mitrovicën, por për Kosovën në përgjithësi. Me mospunën, pra me mosfunksionimin e gjykatave, rriten aktivitetet kriminale që edhe ashtu kanë qenë të mëdha në pjesën veriore", thotë Rexhepi.

Administrata ndërkombëtare në Kosovë thotë se tanimë kanë filluar përpjekjet për arritjen e një konsensusi ndërmjet autoriteteve kosovare dhe atyre serbe në veri të Mitrovicës, por se kthimi i punëtorëve të drejtësisë në objektin e gjykatës është një çështje që do të marrë kohë.

"Kjo është pjesë e negociatave në nivelin teknik ndërmjet ministres së Drejtësisë në Kosovë dhe gjykatëseve serbë në veri në ndërmjetësimin e UNMIK-ut. Ne shpresojmë që sa më parë të ketë rezultate pozitive, por sikurse edhe shumë çështje në Kosovë kësaj pune i duhet kohë", shprehet zëdhënësi Ivanko.

Zgjidhja e problemit të gjykatave në veri të Kosovës vazhdon të jetë njëra ndër sfidat themelore të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Misioni i Bashkimit Evropian për polici dhe drejtësi -EULEX, i cili do të mbikëqyrë punën e institucioneve kosovare në këto fusha, akoma nuk ka mundur të fillojë punën në veri të Kosovës, për shkak të kundërshtimit të serbëve ndaj këtij misioni.

XS
SM
MD
LG