Ndërlidhjet

Tranzicioni (s') do të përcillet me përplasje


Në qeveri nuk parashihet që tranzicioni do përcillet me përplasje kompetencash mes vendorëve e ndërkombëtarëve, ndërsa analistët parashohin ballafaqime, duke pasur parasysh se institucionet kosovare do dëshirojnë të dëshmojnë se janë të gatshme të qeverisin.


Tranzicioni nga UNMIK-u tek misioni i EULEX-it po zhvillohet me një vonesë të caktuar, por për Kosovën është me rëndësi që EULEX-i të nisë sa më shpejt punën, thonë në Qeverinë e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj thotë se Prishtina mbështet një bartje sa më të shpejtë të kompetencave nga UNMIK-u te EULEX-i në fushat e policisë, doganave, gjyqësisë dhe prokurorisë, në mënyrë që të ketë një kualitet të ri në Kosovë në këto sfera.

Ndërkohë që UNMIK-u reduktohet, Qeveria e Kosovës pret që krahas EULEX-it të shtrijë funksionimin e plotë të Kushtetutës. Në këtë aspket, Ramë Manaj thotë se nuk pret ndonjë përplasje me ndërkombëtarët.

“Nuk presim thyerje në këtë kuptim, për shkak se prej datës 15 qershor është në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila edhe po zbatohet dhe e cila thjesht siguron ushtrimin e kompetencave nga autoritetet e shtetit të Kosovës”,
thotë Manaj.

Në anën tjetër, analistët parashohin se procesi i tranzicionit mund të përcillet edhe me përplasje ndërmjet misioneve ndërkombëtare dhe qeverisë vendore. Profesori Ismajl Hasani thotë se rikonfigurimi dhe kalimi i përgjegjësive nga UNMIK-u te EULEX-i paraqet një proces të natyrshëm për rrethanat e reja në Kosovë.

Ndërkaq, i tërë procesi, sipas tij, mund të përcillet edhe me ballafaqime me pushtetin vendor, i cili tani do të dëshirojë të dëshmojë se ka aftësi të qeverisë vendin.

“Përplasje do të ketë dhe paraprakisht do të thosha se këto përplasje mund t'u bëjnë mirë institucioneve vendore në kuptim të mësimit të demokracisë, ndërkaq sa i përket pjesës veriore të Kosëvs, përplasjet do të jenë më të theksuara".

"Megjithatë, është një realitet që hyn në kuadër të kompromiseve, të cilat shoqëria kosovare detyrimisht ka qenë e shtrënguar t'i bëjë”, thekson Hasani.

Duke u ndërlidhur me deklaratat e djeshme të shefit të administratës ndërkombëtare, Lamberto Zannier, se UNMIK-u do të mbetet edhe pas tranzicionit në vendbanimet me shumicë serbe dhe në ato me popullatë të përzier, përfshirë edhe Mitrovicën, Ismajl Hasani thotë se pavarësisht këtyre qasjeve, as UNMIK-u dhe as Zannier nuk mund të jenë në funksion të ndarjes funksionele për të cilën po angazhohet Beogradi.

Hasani thotë se në veriun e Kosovës nuk mund të implementohet diçka e veçantë që do të ishte në kundërshtim me tërësinë territoriale, me Kushtetutën dhe interersat e Kosovës.

“Në asnjë mënyrë nuk mund të paragjykohet ndonjë qëndrim i veçantë individual, qoftë edhe i Zannierit, për të kontrolluar situatën, eventualisht të mos e përdor fjalën vullgare të bëjë ndonjë pazar kompromisi me Beogradin, sepse prezenca e Beogradit në Kosovë zyrtarisht nuk ekziston. Atje ekzistojnë qarqe të ndryshme të paramilitarëve, por në mënyrë institucionale Beogradi nuk është në Kosovë”, vlerëson Hasani.

Po në lidhje me praninë e UNMIK-ut pas tranzicionit, zëvendëskryeministri Ramë Manaj thotë se pritet që UNMIK-u të mbetet jo vetëm në vendbanimet me shumicë serbe, por në gjithë Kosovën, duke pasur parasysh Rezolutën 1244, e cila mbetet në fuqi.

Por, sipas Manajt, roli dhe hapësira vepruese e UNMIK-u do të ngushtohet në fusha që kanë të bëjnë më shumë me monitorimin dhe jo me përgjegjësi ekzekitive.

“UNMIK-u do të mbetet i pranishëm në gjithë territorin e Kosovës dhe jo vetëm në lokalitete me popullatë të përzier, strukturë të reduktuar, dhe natyrisht edhe në kompetenca të reduktuara, sepse nuk do të jetë vendimmarrës, por do të jetë ndihmës në proceset e realizimit të të drejtave të njeriut, veçanërisht të atyre të minoriteteve”, tha Manaj.

Procesi i tranzicionit, i filluar këto ditë, parasheh kalimin e përgjgjesive në fushën e sigurisë dhe drejtësisë nga UNMIK-u te misioni i BE-së, EULEX. Ndërkohë që deri në fund të vjeshtës, parashihet që në Kosovë, EULEX-i të shtrijë stafin deri në mbi 2000 veta, UNMIK-u në anën tjetër do të reduktojë stafin e vet deri në masën 70 për qind.

Sidoqoftë, për shkak të mbetjes në fuqi të Rezolutës 1244, tranzicioni nuk po realizohet sipas parashikimeve të pakos së Ahtisaarit, por sipas planit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban ki Moon, me të cilin EULEX-i futet nën ombrellën e OKB-së, kurse UNMIK-u, sado i reduktuar, e ruan praninë e vet edhe në Kosovën e pavarur.
XS
SM
MD
LG