Ndërlidhjet

Serbët ftojnë për bojkotim të institucioneve


Ura qendrore në Mitrovicë
Ura qendrore në Mitrovicë

Ndërsa qeveria dhe prania ndërkombëtare në Kosovë vazhdojnë t’i ftojnë serbët që të integrohen në jetën institucionale, serbët e pjesës veriore bëjnë thirrje për bojkot të tërësishëm të institucioneve të Kosovës.

Njëherësh, drejtues të strukturave paralele në veri i kanë dërguar mesazhe edhe EULEX-it se do të angazhohen që të pamundësojnë funksionimin e këtij misioni në viset e banuara me serbë.

Drejtues të strukturave paralele në veri të Kosovës u kanë bërë thirrje serbëve që t'i lëshojnë institucionet e Kosovës.

Përfaqësuesit serbë nga pjesa veriore, Marko Jakshiq dhe Milan Ivanoviq, i kanë bërë thirrje edhe Beogradit që të ndërhyjë dhe t'i ftojë serbët që të lëshojnë pasivisht institucionet e Republikës së Kosovës, në përpjekje për të organizuar një jetë krejtësisht paralele të serbëve.

Marko Jakshiq, nënkryetar i bashkësisë së komunave serbe, organ ky që për institucionet e Kosovës konsiderohet si institucion paralel, tha se serbët duhet t'i lëshojnë institucionet, siç i quajti ai, shqiptare të Kosovës.

“Presim që Beogradi t'i thërrasë të gjithë serbët që punojnë në institucionet e shtetit të pavarur shqiptar që t’i lëshojnë ato institucione
”, tha Jakshiq.

Në vazhdim, ai i bëri thirrje Beogradit që të marrë përsipër pagesën e policëve, gardianëve e të të gjithë punonjësve tjerë serbë, ata në drejtësi e gjykata, në mënyrë që emrat e tyre të fshihen nga regjistri i pagesave të Qeverisë së Kosovës.

Thirrjeve të ngjashme u është bashkuar edhe Milan Ivanoviq, kryetar i Këshillit Nacional Serb, po ashtu një organ paralel i afërt me krahun radikal të politikës serbe. Ivanoviq ka akuzuar edhe Qeverinë e Serbisë se po zbaton politika të njëanshme kur janë në pyetje interesat, siç tha ai, të serbëve dhe ekzistencës së tyre në Kosovë.

Ivanoviq tha se në mungesë të politikës së qartë të Beogradit ndaj Kosovës, interesat serbe po mbrohen vetëm nga ana e Rusisë.

“Sot vetëm rusët janë serbë të vërtetë, të cilët po udhëheqin një politikë kombëtare në interes të shtetit serb”, thotë Ivanoviq, i cili gjatë fushatës së zgjedhjeve në Serbi ka mbështetur më tepër forcat radikale serbe dhe jo ato që po cilësohen si pro-evropiane dhe demokratike.

Jakshiq dhe Ivanoviq i kanë dërguar mesazhe aspak të mira edhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit – EULEX. Ata thanë se misioni i BE-së do të hasë në bojkot dhe kundërshtim të plotë të serbëve, sidomos të serbëve që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, ku as UNMIK-u dhe as institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të shtrijnë pushtetin legal.
XS
SM
MD
LG