Ndërlidhjet

McGuffie: ICO do shtrihet (edhe) në veri të Kosovës


Andy McGuffie
Andy McGuffie

"Zyra Ndërkombëtare Civile po zhvillon bisedime me përfaqësues serbë të pjesës veriore të Mitrovicës për shtrirjen e misionit në atë pjesë të Kosovës", thotë zëdhënësi i Zyrës Ndërkombëtare Civile, Andy McGuffie.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti McGuffie, sa funksionale është aktualisht Zyra Civile Ndërkombëtare dhe a është i përfshirë edhe veriu?

ANDY MCGUFFIE
Zyra Civile Ndërkombëtare është duke iu afruar periudhës me kapacitet të plotë dhe aktualisht kemi nën 150 pjesëtarë të personelit tonë që punojnë këtu në Kosovë, shumica prej tyre në Prishtinë.

Nga shtatori e deri në dhjetor, pritet edhe angazhimi i personelit tjetër, përfshirë këtu për zyrat tona në Pejë, Gjilan dhe Prizren. Pra, jemi duke e ndërtuar praninë tonë këtu.

Kemi gjithashtu edhe zyrën tonë në Mitrovicë dhe udhëheqësi i asaj zyreje tashmë është duke punuar dhe shumica e personelit tjetër pritet të jetë këtu gjatë vitit.

Siç e dini, ne nuk kemi objekte të caktuara në Mitrovicë, por jemi duke zhvilluar takime me përfaqësuesit e komuniteteve në veri të Mitrovicës. Ne vazhdojmë t'i zhvillojmë ato kontakte dhe të shpjegojmë misionin tonë, çfarë synojmë të bëjmë këtu.

Shpresojmë se në muajt e ardhshëm do të ketë përparime, posaçërisht për të shpjeguar pse jemi këtu dhe të shpjegojmë edhe përfitimet që njerëzit në Kosovë mund t'i kenë.

RADIO EVROPA E LIRË
A janë këta përfaqësues në Mitrovicë ata që janë zgjedhur në votimet e 11 majit?

ANDY MCGUFFIE
Nuk besoj se do të ishte e dobishme të flasim në detaje për çdo takim. Ne flasim me cilindo që dëshiron të zbulojë se kush jemi për sa i përket komuniteteve të tyre.

Sa për ata përfaqësues që janë zgjedhur në ato votime, përfaqësuesi i posaçëm, Pieter Feith, e ka bërë të qartë se ne ndajmë qëndrimin që tashmë e ka marrë në këtë drejtim Misioni i Kombeve të Bashkuara, Qeveria e Kosovës, se ato zgjedhje për ne nuk kanë ndikim ligjor.

Por, sa për atë se me kë bisedojmë, shpresojmë të flasim me ata që duan të flasin me ne.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila mendoni se është çështja më sfiduese me të cilën përballet Zyra Civile Ndërkombëtare?

ANDY MCGUFFIE
Sfidat për Zyrën Civile Ndërkombëtare janë ato me të cilat përballet e gjithë Kosova. Kjo nënkupton avancimin e sundimit të ligjit, avancimin e zbatimit të pjesëve të ndryshme të pakos së statusit.

Gjithashtu, mendoj se është e qartë se ka shumë punë për t'u bërë edhe në planin ekonomik në Kosovë. Pra, ndajmë këto sfida bashkërisht me misionet tjera këtu dhe natyrisht institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyra Civile Ndërkombëtare gjithashtu bashkërendon procesin e decentralizimit, të cilin serbët e Kosovës e kanë kundërshtuar. A ka plane për përfshirjen e serbëve në këtë process?

ANDY MCGUFFIE
Mendoj se është drastike të thuash se serbët e Kosovës e kundërshtojnë decentralizimin. Në të vërtetë, ka disa rajone të banuara me serbë në Kosovë, përfaqësuesit e të cilëve duan të bisedojnë me ne për decentralizimin.

Prandaj, ka përgjigje të ndryshme në rajone të ndryshme, posaçërisht kur shkojmë dhe shpjegojmë përfitimet e decentralizimit për njerëzit. Natyrisht, ka plane për për t'i angazhuar të gjitha komunitetet e ndryshme.

Kjo edhe do të ndodhë, mbi të gjitha Zyra Civile Ndërkombëtare është duke punuar me Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe organizata të ndryshme. Ne jemi duke biseduar me komunitetet për të angazhuar ekipet përgatitore nëpër komuna - janë këto ekipet që parashihen me pakon e statusit.

Do të bëjmë aranzhime praktike për komunat e reja në rajonet e caktuara në Kosovë. Kjo pra është periudha e ardhshme për ne, në kohën e kësaj periudhe të re politike.


XS
SM
MD
LG