Ndërlidhjet

Palin: Do pranoj nominimin për nënpresidente


Sarah Palin në Konventën e Republikanëve, 3 shtator 2008.
Sarah Palin në Konventën e Republikanëve, 3 shtator 2008.

Guvernatorja e Alaskës, Sarah Palin, ka thënë se do ta pranojë nominimin e Partisë Republikane për të garuar për nënpresidente në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.


Palin ka bërë të ditur se pranon nomiminim republikan në Kuvendin e Partisë Republikane, që po mbahet në St. Paul të Minesotas.

"Pranoj thirrjen për të ndihmuar të nominuarin tonë për president që t'i shërbejë dhe ta mbrojë Amerikën. Pranoj sfidën e një lufte të ashpër në këto zgjedhje kundër rivalëve besimplotë, në një moment thelbësor për vendin tonë", tha Palin.

Ajo githashtu nuk la pa përmendur edhe zhvillimet aktuale në Kaukaz dhe qëndrimin e ardhshëm të SHBA-së ndaj Rusisë, sidomos në fushën e energjisë.

"Me Rusinë, e cila dëshiron ta kontrollojë naftësjellësin kryesor në Kaukaz dhe të përçajë e frikësojë aleatët tanë në Evropë, duke përdorur energjinë si armë, ne nuk mund ta lëmë veten në mëshirën e furnizuesve të huaj
", tha Palin.

Kandidatura e zonjës Palin shënon herën e parë në histori që republikanët nominojnë një grua për nënpresidente.

Në adresimin e saj, Palin tha se përvoja e saj si prefekte e një qyteti të vogël dhe si guvernatore e Alaskës, i ka dhënë asaj një perspektivë realiste për botën.

Ajo akuzoi të nominuarin për president të Partisë Demokratike, Barack Obama, për përvojë të vogël në udhëheqje dhe po ashtu kritikoi disa media që kishin vënë në pikëpyetje kualifikimet e Palinit për presidencë.

"Unë nuk jam anëtare e establishmentit të përhershëm politik. Dhe, kam kuptuar shpejt këto ditë, se nëse nuk je anëtare e ndonjë elite në Uashington, atëherë disa media konsiderojnë se vetëm për këtë arsye je kandidat i pakualifikuar. Por, kam një lajm për të gjithë reporterët dhe komentatorët: Unë nuk do të shkoj në Uashington për të kërkuar mendimin e mirë të tyre, por po shkoj në Uashington t'u shërbej njerëzve të këtij vendi të madh",
tha Palin.

Fjalimi i Palinit erdhi pasi që ajo u vu nën vëzhgim të mprehtë të mediave, meqë u bë e ditur se ajo po hetohej mbi një çështje etike në Alaskë dhe se vajza 17 vjeçare e saj e pamartuar ishte shtatzënë.

Pas fjalimit, Palin dhe familja e saj është përqafuar nga kandidati për president, John McCain, i cili bëri paraqitjen e parë në Konventë.

Ai do të pranojë zyrtarisht kandidaturën në fjalimin e tij të së enjtes.

XS
SM
MD
LG