Ndërlidhjet

Sejdiu: UNMIK s'mund të ndërmjetësojë në dialogun me Serbinë


Presidenti Fatmir Sejdiu
Presidenti Fatmir Sejdiu

UNMIK-u s'mund të jetë ndërmjetësues i ndonjë takimi të mundshëm mes presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë, tha presidenti Fatmir Sejdiu. Ai tha se UNMIK-u mund të jetë vetëm ndihmës në procesin e përmbylljes së misionit të vet.


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë sot se është herët të flitet për një takim të shpejtë ndërmjet tij dhe presidentit të Serbisë, Boris Tadiq. Ndërkohë që ai e ka përjashtuar mundësinë që UNMIK-u të ndërmjetësojë në takimin eventual në nivelin më të lartë mes Prishtinës e Beogradit.

Sejdiu tha se ai dhe Qeveria e Kosovës në vazhdimësi kanë shprehur gatishmërinë për dialog me Serbinë si edhe me vendet tjera të rajonit, por ky takim, sipas presidentit kosovar, duhet të organizohet si takim ndërmjet dy presidentëve të dy shteteve të pavarura e sovrane.

Prishtina dhe Beogradi, tha presidenti Sejdiu, mund të bisedojnë vetëm si dy palë dhe shtete të barabarta. Në të kundërtën, ai nuk sheh ndonjë mundësi për organizimin e ndonjë takimi.

“Jam i gatshëm të takohem me presidentin Tadiq. Por, gjithmonë si president i shtetit sovran dhe të bisedojmë siç bisedohet ndërmjet shteteve sovrane për çështje që janë në interes të dy popujve. Asnjëherë dhe në asnjë periudhë për tema që Serbia mund të ketë ambicie t'i hapë, për çështje statusi apo për të mbajtur peng Kosovën e tjera. Prandaj, nga ana jonë do të ketë sinjale pozitive”, theksoi Sejdiu.

Dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit po përpiqet që ta organizojë kreu i administratës së UNMIK-ut. Zëdhënësi i administratës ndërkombëtare, Alexander Ivanko, thotë se UNMIK-u po përpiqet që të hartojë agjendën e temave që mund të bisedohen ndërmjet dy palëve. Ai thotë po ashtu se UNMIK-u do të preferonte që dialogu të jetë i drejtpërdrejtë.

“Nëse ka disponim që Prishtina e Beogradi duan të ulen së bashku në një tavolinë bisedimesh dhe të diskutojnë çështje të ndryshme, ne do të ishim të lumtur. Por, nëse nuk duan, atëherë ne do të vazhdojmë të jemi lehtësues i bisedimeve, përmes takimeve të ndara me Prishtinën e Beogradin që do të zhvillohen përmes palës së tretë, përkatësisht kreut të UNMIK-ut”, tha Ivanko.

Por, roli i UNMIK-ut, tani në Kosovën e pavarur, nuk shihet se mund të jetë aq i rëndësishëm sa të ndërmjetësojë në dialogun ndërmjet krerëve të Serbisë e Kosovës. Presidenti Sejdiu tha se nuk e sheh UNMIK-un si ndërmjetësues të dialogut me Serbinë.

“Ne, UNMIK-un e konsiderojmë si ndihmëtar në proces të përmbylljes së misionit të tij. Nuk them se mund të jetë partner në ndërhyrje për të aranzhuar takime, absolutisht jo. Për ne është me rëndësi që në këtë gjuhë, në këtë qasje, në këtë ecje që do ta kemi bashkë, të jetë një sinjal i mirë pozitiv për të krijuar një klimë të përshtatshme të paqes dhe stabilitetit ne rajon”, tha presidenti i Kosovës.

Sejdiu thotë se Beogradi duhet të japë dëshmi se ka një orientim pro-evropian dhe demokratik. Kjo qasje, sipas tij, duhet të reflektojë edhe ndaj Prishtinës, duke kërkuar nga autoritetet e Serbisë që të pushojnë me politikën agresive kundër pavarësisë së Kosovës.

Ndryshe, dialogu mes Prishtinës e Beogradit është një prej çështjeve që kërkohet në planin e Ban Ki Moon-it për rikonfigurimin e UNMIK-ut. Aty parashihet që mes tjerash, të dy vendet të diskutojnë edhe për çështjen e doganave, policisë e gjykatave, sidomos në lokalitetet e banuara me shumicën serbe.
XS
SM
MD
LG