Ndërlidhjet

Prishtina kundër diplomacisë serbe


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Autoritetet në Prishtinë thonë se do ta fitojnë betejën diplomatike me Serbinë lidhur me nismën e këtij vendi që në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të miratohet një rezolutë, me të cilën më pas do të kërkohej interpretimi i ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Presidenca dhe Qeveria e Kosovës po përgatiten për një aktivitet diplomatik në prag të takimit të 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që mbahet në javën e fundit të shtatorit në Nju Jork.

Në këtë takim, Serbia ka paralajmëruar se do të kërkojë mbështetjen e vendeve anëtare për miratimin e një nisme, me të cilën më pas do të kërkohej interpretimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Kësaj nisme serbe, presidenti Fatmir Sejdiu dhe ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, thonë se do t'i kundërpërgjigjen me argumentet e tyre në shumë takime që do të zhvillojnë në Nju Jork.

Lidhur me përgatitjet e palës kosovare, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi beson se atje Prishtina dhe vendet që e kanë ndihmuar Kosovën të shpallë pavarësinë e saj, do të lobojnë kundër nismës serbe dhe do ta fitojnë betejën diplomatike me Beogradin.

“Është duke u bërë një përgatitje e plotë nga presidenti dhe ministri i Jashtëm që të kenë takime të shumta me përfaqësues të ndryshëm të shteteve anëtare të OKB-së dhe mendoj që prezantimi do të jetë dinjitoz edhe nga ne, por edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë".

"Qasja e Serbisë është në radhë të parë kundër Kosovës, qasja e Serbisë është kundër raporteve rajonale, por, mbi të gjitha, qasja e Serbisë është kundër veprimeve demokratike tërësisht legjitime të shteteve që e kanë njohur Kosovën dhe unë mendoj se në këtë betejë ne nuk jemi vetëm dhe do ta fitojmë”, thotë Kuçi.

Ndërkohë, analisti Lulëzim Peci thotë se aktiviteti diplomatik i Prishtinës mund të jetë paksa i vonuar, pasi që lobimi, sipas tij, nuk mund të bëhet me nivelin e ambasadorëve në Nju Jork, por me qeveritë e vendeve anëtare të OKB-së. Ai pret në radhë të parë që ndikimin e vet kundër nismës serbe ta përdorin fuqitë e mëdha që e kanë ndihmuar Kosovën në pavarësimin e saj.

“Mendoj që lobimi kryesor, i cili do të bëhet kundër iniciativës serbe, do të kryhet nga shtetet që e kanë përkrahur fuqimisht pavarësinë e Kosovës; shumë më tepër prej tyre sesa që ka kapacitete Kosova që në këtë kohë të shkurtër të zhvillojë ndonjë avokim efektiv për ndaljen e kësaj iniciative”,
vlerëson Lulëzim Peci.

Sa i përket anës juridike, Lulëzim Peci nuk pret shumë pasoja nga nisma serbe edhe nëse ajo do të kalonte. Por, efektet më të rënda, sipas tij, kjo nismë do t'ia shkaktonte procesit të njohjes, pasi që vendet e caktuara më pas do të ngurronin ta njohin Kosovën derisa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të mos e thotë mendimin e vet në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Sidoqoftë, Lulëzim Peci nuk pret që Gjykata Ndërkombëtare të interpretojë pavarësinë e Kosovës ashtu si mëton Qeveria e Serbisë.

Mendoj që Gjyqi Ndërkombëtar i Drejtësisë në esencë, legalisht ka pak shanse që të japë mendim pozitiv për iniciativën serbe, sepse mënyra se si është shtruar pyetja, ka më tepër karakterin politik, sesa juridik”, thekson Peci.

Ndryshe, sipas udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, pas takimit të radhës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, mund të shtohet numri i njohjeve, i cili vazhdon të jetë në shifrën prej 46 vendeve që e kanë njohur Kosovën e pavarur.

Sa i përket nismës serbe, ajo cilësohet më shumë si përpjekje për të zvarritur sa më shumë procesin e njohjes së Kosovës, sesa që shihet si nismë që do të kishte efekte në lidhje me statusin e Kosovës si shtet i pavarur e sovran.
XS
SM
MD
LG