Ndërlidhjet

Varfëria dhe papunësia përtej kufijve etnikë


Varfëria dhe papunësia janë shqetësimet kryesore të kosovarëve pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Kështu thonë zyrtarë qeveritarë dhe njohës të çështjeve ekonomike, duke shtuar se ky problem i bashkon të gjitha komunitetet në Kosovë.

Sipas statistikave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, 15 për qind e popullatës së përgjithshme jetojnë në varfëri ekstreme, ndërkaq 45 për qind e popullsisë jetojnë në varfëri relative.

Nenand Rashiq, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se për shkak të gjendjes së rëndë sociale, shumë qytetarë të Kosovës, pavarësisht se cilit komunitet i takojnë, kanë filluar ta braktisin Kosovën, duke kërkuar punë në vende të ndryshme të Evropës.

“Si shqiptarët, po ashtu edhe serbët kanë të njëjtat probleme. E di se shumë fqinj që kam pasur të moshës së re, kanë shkuar në vende tjera, pikërisht për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike. Do të thotë, nuk ka punë këtu dhe ata shkojnë e gjejnë punë në vende të tjera. Tash nuk është me rëndësi se a shkojnë në Norvegji, Finlandë, Beograd, Nish apo diku tjetër”,
thotë Rashiq.

Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, ndërkaq thotë se papunësia dhe varfëria në Kosovë tejkalojnë kufijtë etnikë.

“Duhet pranuar realitetin se aktualiteti ekonomik dhe proceset zhvillimore në Kosovë, e kam fjalën kriza sociale, shkalla e papunësisë, nuk e godasin apo nuk janë të adresuara vetëm në një drejtim që godet vetëm një etnitet, por kjo ka përmasa edhe më të gjera dhe për këtë arsye kjo është një kanosje e proceseve zhvillimore në Kosovë, që vërtet proceset pozitive mund t’i kthejë mbrapa”, pohon Gërxhaliu.

Gërxhaliu thotë se zhvillimi ekonomik është parakusht i stabilitetit politik.

“Zhvillimi ekonomik është ai që do t’i senzibilizojë problemet dhe tensionet sociale. Në fund të fundit, në Evropën e bashkuar, shtetet anëtare nuk mendohet se duhen mes vete, ato shumë më tepër i afron bashkëpunimi dhe zhvillimi ekonomik, sesa që kanë dashuri ndërshtetërore“, thotë Grëxhaliu.

Edhe ministri Rashiq thotë se zhvillimi ekonomik në gjithë territorin e Kosovës do të jetë mënyra më e mirë për ngritjen e tolerancës ndëretnike, duke shtuar se investimet e përbashkëta dhe punësimi i të gjitha komuniteteve do t’i zbusin mospajtimet politike.

“Të gjitha komunitetet në Kosovë e kanë një fuqi, e kanë një të ri dhe nëse mundemi që rininë ta drejtojmë në një drejtim, që është punësimi apo zhvillimi, besoj se konfliktet dhe mosmarrëveshjet mes serbëve dhe shqiptarëve nuk do të kishin ekzistuar, sikur të gjithë të kishin punën e tyre”,
pohon Rashiq.

Megjithatë, Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale vazhdimisht është duke bërë përpjekje që të ulë shkallën e varfërisë dhe të papunësisë, thotë Nenad Rashiq.

“Konkretisht punojmë shumë me Qeverinë e Kosovës, me vendet tjera të Evropës dhe provojmë që të sigurojmë punësim sezonal, apo unë them edukim sezonal, që njerëzit, të rinjtë tanë mund të shkojnë në vende tjera, të punojnë dhe të mësojnë gjëra të reja atje. Dhe, ato praktika që marrin atje, t’i shfrytëzojnë në Kosovë pas një periudhe të caktuar“, thotë Rashiq.

Sidoqoftë, zhdukja e varfërisë ekstreme dhe zvogëlimi i asaj relative është një nga objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit, që Kosova, krahas vendeve tjera në zhvillim, duhet ta arrijë deri në vitin 2015.
XS
SM
MD
LG