Ndërlidhjet

Fqinjët japin sinjale për njohjen e Kosovës


www.kosovathanksyou.org
www.kosovathanksyou.org

Prishtina zyrtare ka përshëndetur vendimin e Qeverisë greke që t'i njohë pasaportat e Kosovës, duke e parë këtë si shenjë të Athinës drejt njohjes së shtetit të Kosovës. Kryeministri Thaçi si edhe deputetë opozitarë vlerësojnë se njohja e Kosovës nga vendet e rajonit do të ishte e rëndësishme për tërë procesin e njohjes.

Njohja e Kosovës nga vendet fqinje do të nënkuptonte një impuls në vetë procesin e njohjes së Kosovës edhe nga vende të shumta botërore, vlerësojnë zyrtarë të lartë kosovarë.

Kryeministri Hashim Thaçi është shprehur sot i bindur se vendet fqinje, si Maqedonia e Mali i Zi, do ta njohin Kosovën shumë shpejt. Ndërkohë që Thaçi, përmes shefit të Zyrës greke në Prishtinë, Dimitris Moschopoulos, i ka shprehur mirënjohje Greqisë për vendimin e këtij vendi që t’i njohë pasaportat e Republikës së Kosovës.

Njohja e pasaportave dhe vendimi i Qeverisë greke për mundësinë që edhe Kosova të hapë zyrën e saj ndërlidhëse në Athinë, sipas Thaçit, janë sinjale se ky vend i rëndësishëm i rajonit gradualisht po e pranon Kosovën e pavarur.

“Unë e ripotencoj se edhe Maqedonia, edhe Mali i Zi, besoj se nuk do të vonohen me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu edhe me Greqinë ne kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyeshme. Greqia është pjesë e rëndësishme e komunitetit ndërkombëtar dhe unë dua të besoj fuqishëm se Athina do të marrë vendimin e duhur, në kohën e duhur, që përgjigjet në interesat e shtetit grek, në relacion me njohjen e realitetit të ri të Kosovës”, tha Hashim Thaçi.

Ndërkohë, diplomati grek, Moschopoulos, tha se Greqia është shumë e interesuar për marrëdhënie të mira më Kosovën.

“Ne jemi te gatshëm që të lëshojmë viza për poseduesit e pasaportave të Kosovës në Zyrën greke në Prishtinë. Kjo është dëshmi se Athina është e gatshme ta ndihmojë Kosovën dhe t’i shërbejmë kështu stabilitetit të rajonit”, tha diplomati grek Moschopoulos.

“Them se ky është një hap i rëndësishëm që flet për një vullnet të mirë të Greqisë në relacion me Kosovën
”, tha Moschopoulos, duke shtuar se vendimet tjera që kanë të bëjnë me njohjen, i përkasin Qeverisë në Athinë.

Greqia është një nga gjashtë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur ende Kosovën e pavarur. Ndërkaq, njohja e pasaportave tashmë është bërë edhe nga vendet fqinje si Mali i Zi e Maqedonia.

Për deputetin Ibrahim Makolli, pas sinjaleve pozitive nga fqinjët, që kanë të bëjnë me njohjen e pasaportës kosovare, njohja edhe e Kosovës së pavarur do të nënkuptonte një impuls për vetë procesin e tërësishëm të njohjeve nga vendet e ndryshme të botës, të cilat për arsye të ndryshme ende hezitojnë ta bëjnë këtë.

“Këto lëvizjet e fundit të vendeve fqinje për ta njohur Kosovën ose për të menduar në njohjen e Kosovës janë faktorë, të cilët konsideroj se do të ndikojnë edhe në njohjen e Kosovës nga ana e vendeve tjera, të cilat pikërisht këtë mosnjohje të vendeve fqinje e kanë përdorur si pretekst për të mos e njohur shtetin e Kosovës”, thotë Makolli.

Në procesin e deritashëm të njohjes, përkundër faktit se Kosova është njohur nga 47 vende, në vazhdimësi potencohet si një lloj ngecjeje njohja e Kosovës nga vendet fqinje dhe ato islamike.

XS
SM
MD
LG