Ndërlidhjet

Ahmeti: Shqiptarët e serbët bashkëpunojnë në kontrabandë


Shpend Ahmeti
Shpend Ahmeti

“Kjo duhet të parandalohet sa më shpejt, që të mos kalojë në një problem më të madh, ku humbjet do të jenë më të mëdha për buxhetin e Kosovës”, thotë Shpend Ahmeti, ekspert ekonomik.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, situata ekonomike në Kosovë vazhdon të jetë e pandryshueshme. Ku mendoni se janë pengesat kryesore?

SHPEND AHMETI
Pengesat kryesore janë ato që kanë qenë edhe më herët, nuk kanë ndryshuar. Problemi kryesor është mungesa e infrastrukturës së nevojshme, sundimi i ligjit, po ashtu edhe produktiviteti i fuqisë punëtore që ne e kemi.

Mirëpo, problemi kryesor që e kemi pasur, që ne e kemi cekur edhe para shpalljes së pavarësisë, është që pritjet janë shumë të mëdha dhe është vështirë që të realizohen këto pritje të qytetarëve, se situata mund të ndryshojë brenda natës.

Edhe po të ishin të gjitha reformat në vend, ne rezultatet pozitive do t'i shohim vetëm pas dy-tre vjetësh, domethënë rezultatet e para. Mirëpo, jemi mbrapa edhe me reforma në shumicën e rasteve, prandaj shpresoj që shumë shpejt mund të fillojmë me këto reforma, të cilat janë të vështira, në mënyrë që të shohim rezultatet e para pas dy vjetësh.

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej problemeve kryesore mbetet mosfunksionimi i pikave doganore në veri të Kosovës. Cilat janë humbjet reale në këtë drejtim?

SHPEND AHMETI
Ne kemi dëgjuar edhe nga doganat se këto si përqindje, janë një përqindje shumë e vogël. Kjo nuk ka të bëjë aq shumë me situatën ekonomike, sa ka të bëjë me legjitimitetin tonë si shtet dhe funksionimin e vërtetë të shtetit në të gjithë territorin e Kosovës.

Mirëpo, nëse nuk parandalohet tani, kjo mund të kalojë në një problem shumë më të madh. Është cekur gjithmonë problemi i derivateve të naftës dhe çmimit të tyre në veri. Dhe, po u konvenon shumë qytetarëve që të shkojnë në veri dhe ta blejnë naftën me çmime shumë më të ulëta seç mund ta gjejnë në pjesën tjetër të Kosovës.

Kjo nuk i shkakton humbje vetëm Kosovës, i shkakton humbje edhe Serbisë. Për fat të keq, bashkëpunimi më i mirë mes shqiptarëve dhe serbëve po ndodh pikërisht në kontrabandë.

Mesazhi që duhet t'i dërgohet edhe doganave të Kosovës, edhe Qeverisë së Kosovës, është që kjo duhet të parandalohet sa më shpejt, në mënyrë që të mos kalojë në një problem më të madh, ku humbjet do të jenë më të mëdha për buxhetin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Autoritetet vendore kanë pohuar se do të luftojnë ekonominë joformale. Çka po bëhet dhe çka mund të bëhet sipas jush në këtë rrafsh?

SHPEND AHMETI
Deri më tani kjo ka mbetur vetëm si zotim dhe premtim. Deri më tani nuk është bërë ndonjë hap i madh në luftimin e ekonomisë joformale. Ekonomia joformale shkakton humbje të mëdha për buxhetin.

Hapat e parë do të jenë ato që i kanë marrë edhe shtetet tjera në regjion. Për shembull, shfaqja e kasave fiskale për të gjithë bizneset, në mënyrë që administrata tatimore të kuptojë sa më mirë se çfarë po bën secili biznes, natyrisht në implementimin sa më të mirë të rregulloreve që vetë administrata tatimore e ka për detyrë.

Mirëpo, deri më tani kemi mbetur në memorandume të bashkëpunimit që janë nënshkruar mes institucioneve të ndryshme dhe ndoshta është shumë herët të thuhet se çfarë rezultatesh mund të sjellin këto, por njëherë për njëherë mbeten në nivelin e premtimeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Kujt më së shumti i konvenon kjo që të mbeten në nivelin e premtimeve?

SHPEND AHMETI

Më së shumti u konvenon bizneseve që nuk paguajnë tatimet, e më së paku qytetarëve të Kosovës, për shkak se më pak buxhet do të thotë se ka më pak fonde që të ofrohet shërbimi për qytetarët e Kosovës.

Prandaj, nëse kjo u konvenon bizneseve, kjo varet se çfarë lidhjesh i kanë ato biznese dhe atëherë kjo situatë mund të shtyhet. Mirëpo, është shumë me rëndësi dhe duhet të ketë veprime shumë të mëdha nga ana e Qeverisë, që kjo të luftohet, në mënyrë që me të vërtetë të kemi hapa të suksesshëm në këtë drejtim.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova tashmë ka aplikuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Cilat janë përfitimet nga anëtarësimi në këto mekanizma?

SHPEND AHMETI
E kam cekur se përfitimet janë të ndryshme. Mirëpo, këtu ekziston një besim, që ndoshta, sipas mendimit tim, është paksa i gabueshëm – se ne do të përfitojmë në para në këtë aspekt, do të thotë do të kemi mundësi që të marrim kredi të mëdha nga FMN-ja dhe Banka Botërore.

Kjo nuk është plotësisht e vërtetë, për shkak se shuma e kredive që mund të merret nga këto dy institucione varet nga fuqia ekonomike e vetë shtetit. Kjo funksionon si bankë komerciale; kur shkon e merr kredi personale në bankë, bankës i intereson se a mund ta kthesh atë kredi personale; nëse nuk mund ta kthesh, ata nuk të japin.

E njëjta vlen edhe për FMN-në dhe Bankën Botërore. Domethënë, varet prej fuqisë ekonomike të Kosovës se sa mund të kthejë. Dhe, në krahasim me atë se çfarë fuqie ekonomike kemi ne, nuk është shumë e madhe ajo që mund të marrim nga këto dy institucione.

Beneficionet janë të natyrës tjetër, se ne marrim këshilla nga këto dy institucione; nga Banka Botërore për çështje strukturale, domethënë për çështje të ndryshme në sektorë të ndryshëm, ndërsa nga FMN-ja marrim këshilla për aspektin makro-fiskal, që të kemi një stabilitet makroekonomik në Kosovë.

E po ashtu këto analiza të këtyre dy institucioneve përdoren nga investitorët e huaj si burime shumë të sakta dhe të besueshme. Në këtë mënyrë i mundësojnë, i lehtësojnë investimet e jashtme që të vijnë në Kosovë.

Sa më shpejt që të bëhemi anëtarë, do të jetë më mirë për shtetin e Kosovës, do të fitojmë legjitimitet, por do të fitojmë edhe nga ana ekonomike, sepse sigurojmë burime të sakta të informacioneve dhe këshilla shumë të mirëpritura.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të këtyre institucioneve kanë deklaruar se Kosova në këto institucione mund të anëtarësohet në gjysmën e parë të vitit 2009. Më herët është thënë se ky proces mund të përfundojë në tetor të këtij viti. Cilat janë arsyet e kësaj shtyrjeje, sipas jush?

SHPEND AHMETI
Unë, më 10 korrik, domethënë kur është bërë aplikacioni për FMN-në dhe Bankën Botërore, e kam cekur se Kosova nuk mund të bëhet anëtare para marsit, prillit të vitit të ardhshëm.

Këto kanë qenë edhe paralajmërimet nga këto dy institucione, mirëpo nëse shikohen procedurat e tyre të rregullta për anëtarësim, shihet se nuk ka pasur kurrfarë mundësie që ne të jemi anëtarë në tetor. Prandaj, këto deklarata kanë qenë të bazuara në informacione të gabueshme nga dikush.

Prej fillimit ky ka qenë synimi dhe kjo është procedura e rregullt. Ne duhet t'i plotësojmë disa kushte, kalimi i disa ligjeve dhe mandej vendimi për anëtarësim vjen në takimet që i kanë Banka Botërore dhe FMN-ja në mars dhe prill. Kjo është periudha e parë kur ne mund të kemi rastin që të anëtarësohemi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG