Ndërlidhjet

Prishtina shpreh keqardhje për vendimin e OKB-së


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Pas miratimit të rezolutës serbe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, me të cilën shprehin keqardhjen për miratimin e nismës serbe.


Institucionet e Kosovës, përmes një deklarate të përbashkët, kanë shprehur keqardhjen e tyre që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar pro nismës serbe, për të kërkuar mendimin nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Menjëherë pas votimit në Nju Jork, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë dalë me deklaratë të përbashkët, duke shprehur qëndrimin zyrtar të Prishtinës se pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm dhe duke shprehur bindjen para qytetarëve se njohjet e Kosovës do të vazhdojnë.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se ka konfirmime të vendeve të ndryshme se referimi që i bëhet tash Gjykatës së Hagës për pavarësinë, nuk do ta pengojë procesin e njohjes së Kosovës.

“Kemi besim se me kalimin e kohës do të ketë njohje të tjera dhe se ky referim në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk do t’i pengojë vendet të vlerësojnë përparimin e vazhdueshëm në Kosovë dhe të vendosin për njohje”.


“Tashmë kemi parë veprime konkrete, madje edhe nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën formalisht ende, të pranimit zyrtar të pasaportës së Republikës së Kosovës, dhe që po gjejnë mënyra për të akomoduar realitetin e një Kosove të pavarur”, tha Sejdiu.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi tha se rezoluta serbe nuk duhet të kuptohet si fitore e Beogradit, pasi që kjo nismë, sipas tij, nuk do të kalojë pa pasoja edhe me Serbinë. Me nisma të tilla, Serbia, shtoi Thaçi, po dëshmon politika të së kaluarës dhe orientim që nuk ka të bëjë me integrimet evropiane.

Thaçi u shpreh i bindur për vazhdimin e njohjeve të reja të Kosovës, pavarësisht zhvillimeve që priten në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Njohjet do të vazhdojnë, bile edhe Beogradi do të befasohet dhe do të nervozohet. Beogradi i ka vënë vetes një barrë të madhe që nuk mund ta çojë në rrugën për integrim në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në NATO dhe mendoj se po aq sa ka qenë ide e keqe për Kosovën, po aq do të ketë bumerang edhe për Beogradin”, tha Thaçi.

Ndryshe, në deklaratën e institucioneve më të larta të Kosovës thuhet se Prishtina zyrtare do të marrë pjesë aktive në prezantimin e rastit para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe pret që shqyrtimet e saj të jenë të drejta dhe të paanshme, duke rikonfirmuar pozicionin e Kosovës si shtet i pavarur.

“Çfarëdo që gjykata të thotë në fund në lidhje me pyetjen e cila i është parashtruar, ne do të ndjekim rrugën e zhvillimit dhe përparimit në Kosovën e pavarur, së bashku me partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë
”, thuhet në deklaratë.

Në qëndrimin e tyre, udhëheqësit kosovarë rikujtojnë procesin e filluar të Kosovës për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, dhe angazhimin e vazhdueshëm për njohje të mëtejme ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG