Ndërlidhjet

Privatizimi dhe post-privatizimi në Kosovë


Që nga fillimi i procesit të privatizimit në qershor të vitit 2002, janë privatizuar rreth 500 ndërmarrje shoqërore, 69 për qind prej tyre janë aktive, ndërkaq 1/3 ende nuk operojnë. Ndërsa, numri i të punësuarve në kompanitë e privatizuara është ulur për 10 për qind, krahasuar me periudhën para privatizimit.

Kështu thuhet në një raport studimor, me titull Privatizimi dhe Post-privatizimi në Kosovë, i përgatitur nga “Forumi 2015”, projekt ky i përbashkët i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur dhe Institutit Riinvest.

Ky raport ka për qëllim inkurajimin për përmirësim të transparencës, përgjegjësisë posaçërisht, politikave publike lidhur me përfundimin e suksesshëm të këtij procesi, tha Muhamet Mustafa, kryetar i Institutit Riinvest.

“Privatizimi në Kosovë ka një histori të vështirë. Unë besoj se ai ka pasur tre vjet të mirë të dinamikës, 2005, 2006, 2007 dhe gjatë atyre viteve ka treguar një dinamikë dhe efekte. Por, në vitet tjera, akterët që është dashur të zbatojnë privatizimin, kanë treguar hezitime dhe inkonsekuenca dhe të gjitha këto janë shprehur në faktin që ne sot këtë proces mund ta quajmë një gotë gjysmë e mbushur apo një gotë gjysmë bosh”,
tha Mustafa.

Ndryshe, procesi i privatizimit deri në muajin prill të këtij viti është mbikëqyrur nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, ndërkaq pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kompetencat kanë kaluar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Por, ndërmarrjet e privatizuara, edhe pse vazhdimisht janë ballafaquar me probleme nga më të ndryshmet, duke filluar nga mungesa e energjisë elektrike, ekonomisë joformale, ato prapë kanë pasur një dinamikë më të shpejtë të zhvillimit, sesa pjesa tjetër e sektorit privat, thotë Alban Hashani, i cili edhe ka bërë prezantimin e raportit.

“69 për qind e ndërmarrjeve të privatizuara janë aktive apo funksionojnë; ato janë kryesisht në sektorin e prodhimit 59 për qind, në sektorin e tregtisë 20 për qind dhe në sektorin e shërbimit 21 për qind. Gjysma janë ndërmarrje të vogla, 10 për qind prej tyre janë mikro-ndërmarrje, 35 për qind të mesme dhe vetëm 5 për qind të mëdha”, thotë Hashani.

Ndërkaq, ndërmarrjet e privatizuara, të cilat ende nuk kanë filluar të operojnë, më së shumti i takojnë sektorit të tregtisë, thotë Hashani, duke shtuar se i rëndësishëm në këtë fushë mbetet fakti se në mesin e kompanive joaktive, nuk gjendet asnjë ndërmarrje që është privatizuar me spin-off special.

“Rezultatet e privatizimit zbehen kur kemi parasysh se 1/3 e ndërmarrjeve të privatizuara nuk funksionojnë ende dhe shohim se 25 për qind kanë qenë në sektorin e tregtisë, 22 për qind në sektorin e prodhimit, të tjerat janë toka, kooperativa bujqësore, hotele dhe restorante”, tha Hashani.

Mimoza Kusari Lila, drejtoreshë ekzekutive në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, duke treguar shkaqet e mosfunksionimit të ndërmarrjeve të privatizuara, thotë se ky fakt është shumë brengosës dhe duhet të ndikojë tek institucionet kosovare që të gjejnë mënyra se si t’i fusin në funksion këto kompani.

Duke marrë parasysh faktin se shumë prej këtyre kompanive janë kosovare, atëherë kjo shumë e mjeteve është e kosovarëve, të cilët kanë pasur kompani aktive dhe i kanë investuar në një kompani që ka qenë joaktive, pa asistencë financiare nga askush, apo me kredi shumë të larta, dhe tani kemi 1/3 e kompanive të privatizuara joaktive”, pohon Kusari Lila.

Ndryshe, funksioni i të ardhurave nga shitja e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore dhe shfrytëzimi ekonomik i tyre ka mbetur një prej çështjeve më të diskutuara të procesit të privatizimit në Kosovë. Mbi 380 milionë euro është shuma e grumbulluar nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore, të cilat janë të bllokuara në një llogari bankare.
XS
SM
MD
LG