Ndërlidhjet

Kriza financiare globale dhe ngritja e çmimeve në Kosovë


Kriza financiare në tregun botëror ka ndikuar edhe në ngritjen e çmimeve të produkteve të ndryshme në tregun kosovar. Ekspertë të ekonomisë thonë se shkak i kësaj është se komuniteti i biznesit varet kryesisht nga kreditë dhe importi.

Sipas raportit të fundit të Entit të Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit në Kosovë janë ngritur për 7.8 për qind në mes të muajit shtator të këtij viti dhe muajit shtator të vitit të kaluar. Kjo situatë, sipas Enti,t shpjegohet për shkak të rritjes së çmimeve në tregun botëror.

Por, ekspertë për çështje ekonomike japin mendime të ndryshme rreth ndikimit të krizës financiare në ngritjen e çmimeve të produkteve ushqimore në tregun kosovar. Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se kriza financiare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në disa vende të Bashkimit Evropian ka ndikuar në ngritjen e çmimeve edhe në tregun kosovar, pasi, thotë ai, komuniteti i biznesit kosovar kryesisht varet nga kreditë e bankave komerciale.

“Tani, për momentin, po shohim se ardhja deri te kreditë nga bankat komerciale është vështirësuar, për shkak të një kontrolli më të rreptë nga bankat me rastin e dhënies se kredive; atëherë, kjo ka ndikuar që edhe këto kredi të bankave komerciale të ngrijnë çmimin e tyre. Do të thotë, kjo ngritje e çmimeve të huave ndikon po ashtu edhe në afarizmin e subjekteve ekonomike, që shprehet në çmimin në treg”, thotë Keqa.

Por, Bedri Peci, profesor i Financave në Fakultetin Ekonomik, thotë se ngritja e çmimeve në tregun kosovar nuk është pasojë direkt e krizës financiare, pasi, shton ai, Kosova ende nuk ka qasje në tregjet financiare ndërkombëtare. Sipas tij, ngritja e çmimeve më tepër ka të bëjë më ngritjen e inflacionit në Kosovë.

“Unë besoj se cikli i ngritjeve dhe i rënieve në bursën ndërkombëtare është aq i shpejtë e në mënyrë pragmatare lë pasoja edhe në Kosovë. Ju e dini se Kosova nuk ka qasje ne tregjet financiare ndërkombëtare dhe Kosova është në atë periferinë e ndryshimeve edhe të ngjarjeve të përditshme që ndodhin“, thotë Peci.

Shkak tjetër për ngritjen e çmimeve në Kosovë është edhe importi i lartë, thotë Keqa, duke shtuar se shumica e prodhimeve në tregun kosovar importohen nga vende të ndryshme të Evropës.

“Me moszhvillimin dhe prodhimin e produkteve vendore, Kosova është shumë e pafuqishme që të ndikojë në këto lëvizje të çmimeve në bursat botërore. Sikur Kosova të kishte një ekonomi më të zhvilluar dhe të kishte një prodhimtari më të zhvilluar, normalisht se në disa produkte Kosova nuk do të ishte e varur aq shumë nga importi”,
shprehet Keqa.

Sidoqoftë, në raportin e publikuar nga Enti i Statistikave të Kosovës, megjithatë, thuhet se gjatë periudhës shtator 2008 – shtator 2007, në tregun kosovar është vërejtur një zbritje e vogël e çmimeve tek pemët dhe vajrat.
XS
SM
MD
LG