Ndërlidhjet

Jung: Gjermania nuk i mbështet idetë për ndarjen e Kosovës


Franz Josef Jung
Franz Josef Jung

Gjermania nuk i mbështet idetë për ndarjen e Kosovës dhe Qeveria gjermane angazhohet që të zbatohet plani i Ahtisaarit dhe që EULEX-i të vendoset në tërë Kosovën, tha, në Prishtinë, ministri gjerman i Mbrojtjes, Franz Josef Jung.

Këto komente, zyrtari i lartë i Qeverisë gjermane i bëri pas takimeve që zhvilloi me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, të cilët i kanë kundërshtuar kushtëzimet e Beogradit për vendosjen e EULEX-it në pjesën veriore.

Ministri Jung tha se Gjermania mbështet Kosovën në zbatimin e planit të Ahtisaarit, përderisa po jep edhe një kontribut në vendosjen e EULEX-it si dhe në forcën paqeruajtëse të KFOR-it.

“Ne jemi kundër ndarjes së Kosovës. Jemi për një Kosovë të bashkuar dhe mbi këtë bazë edhe e kemi mbështetur planin e Ahtisaarit, duke u angazhuar që të drejtat e komuniteteve, sidomos të atij serb, të kenë një kujdes të veçantë”, tha ministri Jung.

Ai shprehu besimin e tij se misioni i EULEX-i do të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës, pavarësisht pengesave që po paraqiten aktualisht me kundërshtimet e serbëve lokalë, të mbështetur në planin diplomatik edhe nga Beogradi dhe Moska.

Edhe udhëheqësit politikë kosovarë i kundërshtojnë idetë për ndarjen administrative të veriut të Kosovës. Por, ata nuk e konfirmojnë nëse aktualisht kanë marrë apo nuk kanë marrë një propozim të tillë nga përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara për dialogun Prishtinë – Beograd, Andrew Ladely.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova mbetet e përkushtuar që të vazhdojë tutje në ndërtimin e shtetësisë së saj për të gjithë qytetarët, duke e ruajtur unitetin e plotë dhe kufijtë aktualë. Sejdiu kërkoi përfundimin sa më të shpejtë të rikonfigurimit të UNMIK-ut dhe shtrirjen sa më të shpejtë të EULEX-it.

“Për ne është shumë me rëndësi që EULEX-i të vendoset sa më shpejt në Kosovë sipas pakos së Ahtisaarit dhe pa kushtëzime dhe Kosova tjetër qasje nuk ka. Ne jemi për dialog me Serbinë si dy shtete sovrane dhe asnjëherë në qasje tjetër”, tha Sejdiu.

Edhe kryeministri Hashim Thaçi tha se i kundërshtonte kushtëzimet për vendosjen e EULEX-it, duke kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të vazhdojë me vendosjen e këtij misioni në tërë Kosovën.

“EULEX-i duhet të shtrijë autoritetin e vet në tërë territorin e Kosovës dhe ky autoritet nuk duhet të kushtëzohet me asgjë. Jemi në favor me ndërtimin e raporteve të mira me të gjitha vendet fqinje. Kemi raporte të shkëlqyeshme me Maqedoninë, Shqipërinë e Malin e Zi, dhe në të ardhmen të kemi raporte të mira edhe me Serbinë”, theksoi Thaçi.

Sidoqoftë, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për dialogun Prishtinë – Beograd, Andrew Ladely, thuhet se ka propozuar disa kompromise për Beogradin, në mënyrë që të lejohet rikonfigurimi i UNMIK-ut dhe shtrirja e EULEX-it në veri të Kosovës.

Sipas këtyre njoftimeve thuhet se ai ka propozuar që doganat në veri të Kosovës të funksionojnë të pavarura nga sistemi doganor i Kosovës, që policia në veri të ketë komandë të ndarë nga vija komanduese e Policisë së Kosovës, si dhe që gjykatat në veri të mos punojnë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Megjithatë, liderët kosovarë nuk kanë konfirmuar e as mohuar nëse kanë marrë propozime të tilla nga Kombet e Bashkuara, por vetëm i kanë kundërshtuar ato.
XS
SM
MD
LG