Ndërlidhjet

Prishtina pret përfilljen e planit 4-pikësh


Presidenti dhe kryeministri i Kosovës janë shprehur optimistë se kreu i OKB-së, Ban Ki Moon, do të marrë parasysh qëndrimin e Prishtinës, me të cilin kundërshtohet plani gjashtëpikësh për vendosjen e EULEX-it në Kosovë.

Autoritetet e Kosovës besojnë se Këshilli i Sigurimit, në seancën që pritet të mbahet këtë javë, do të ketë mirëkuptim për kundërshtimin që i është bërë planit gjashtëpikësh të OKB-së për shtrirjen e EULEX-it.

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës thanë se presin që Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Moon, në raportin e tij, do ta marrë parasysh qëndrimin e autoriteteve kosovare dhe do ta përfillë atë.

Pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Estonisë, Andrus Ansip, presidenti Fatmir Sejdiu kërkoi përfundimin e shpejtë të misionit të UNMIK-ut dhe fillimin e vendosjes së EULEX-it në tërë territorin e Kosovës, duke respektuar bazën juridike e kushtetuese.

“Ne mendojmë se është koha që të përmbyllet përpjekja për vendosjen e EULEX-it sa më shpejt në Kosovë. Është koha që të merret parasysh baza e funksionimit të tij dhe është koha që realisht të përmbyllet suksesshëm edhe misioni ndërkombëtar i UNMIK-ut dhe kjo periudhë kohore të jetë shumë e shpejtë, në kapërcim”.


“Besoj se edhe Sekretari i Përgjithshëm do t’i ketë parasysh dokumentet themelore që do të trajtohen në Këshillin e Sigurimit dhe të shtrohet relevanca e qëndrimit tonë”, tha Sejdiu.

Në anën tjetër, kryeministri i Estonisë, Andrus Ansip, tha se Kosova duhet ta ndjekë shembullin e Estonisë, për të cilën ai tha se paraqet një storie të suksesshme që ishte arritur me partnerët ndërkombëtarë.

“Kosova tash është e lirë dhe shtet i pavarur. Kështu që tani është koha të përqendrohet në zhvillimin e demokracisë dhe ekonomisë së qëndrueshme, e cila mund të ndërtohet vetëm nëse paraprakisht Kosova do të dëshmohet se është një vend i qetë e stabil”,
tha kryeministri i Estonisë.

Ansip tha se qeveria e tij do të vazhdojë ta përkrahë misionin e KFOR-it dhe të EULEX-it.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova e çmon lart rolin që Kombet e Bashkuara kishin nga viti 1999 e këndej, duke besuar se tash, administrata e UNMIK-ut duhet t’i lë vendin misionit të Bashkimit Evropian.

Thaçi tha se misioni i ri, ai i EULEX-it, do të shtrihet mbi bazat e pakos së Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës, ndërkaq edhe një herë përsëriti se plani gjashtëpikësh, për Prishtinën është i papranueshëm.

“UNMIK-u është në ecje e sipër, në largim e sipër. I japim përkrahje të plotë EULEX-it me mandatin e plotë që e ka nga Bashkimi Evropian, me katër pikat që i kemi prezantuar si institucione të Kosovës, duke refuzuar plotësisht gjashtëpikëshin e përmendur më herët. Ne do të ecim përpara, duke e respektuar dokumentin e presidentit Ahtisaari në tërësi”,
theksoi Thaçi.

Sidoqoftë, në mungesë të një marrëveshjeje me Prishtinën, tani u mbetet OKB-së dhe BE-së që të shqyrtojnë se në çfarë forme dhe modaliteti parashihet nisja e misionit të EULEX-it në Kosovë.

Ndërsa plani gjashtëpikësh ishte pranuar nga Beogradi si kusht që serbët në veri të Kosovës të pajtohen me shtrirjen e EULEX-it, Prishtina e ka hedhur poshtë këtë plan, duke e cilësuar se e cenon integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Me pakon e Ahtisaarit, EULEX-i parashihet si mision që ndihmon dhe zbaton këtë dokument për pavarësinë e kushtëzuar, por plani i Ahtisaarit nuk mori miratimin e Këshillit të Sigurimit, andaj diplomacia ndërkombëtare është në kërkim të modaliteteve të tjera për nisjen e misionit të EULEX-it.
XS
SM
MD
LG