Ndërlidhjet

NATO i ndryshoi historinë Kosovës


Bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe, 10 vjet më parë, nga udhëheqësit kosovarë vlerësohen si ngjarje historike, që i parapriu çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës, si shtet tashmë i njohur ndërkombëtarisht.

Fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe, dhjetë vjet më parë, ishte ngjarje e madhe historike, vlerësojnë autoritetet në Prishtinë. Ndërkohë që edhe pas dhjetë vjetësh të këtyre bombardimeve, serbët e Kosovës vazhdojnë ta quajnë atë gabim të Aleancës Veri-atlantike.

Sidoqoftë, për udhëheqësit kosovarë, data 24 mars e vitit 1999 shënon një fillim të ri të historisë së Kosovës, që i hapi rrugën çlirimit dhe pavarësimit të saj.

Presidenti Fatmir Sejdiu, në mesazhin e tij, thotë se ky është përvjetori i dhjetë jubilar i sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave pushtuese të Millosheviqit, të cilat po i vazhdonin krimet e tmerrshme kundër civilëve shqiptarë anekënd Kosovës.

“24 marsi i vitit 1999 qe sinjal i fuqishëm i botës liridashëse, se sundimit të egër shtetëror serb në Kosovë duhej t’i vinte fundi me gjuhën e forcës ushtarake, pasi që Beogradi zyrtar nuk kuptonte asnjë lloj marrëveshjeje politike. Sulmet 78-ditëshe të Aleancës Veri-atlantike mbi caqet e ushtrisë, të policisë dhe të paramilitarëve serbë, e shpëtuan popullin e Kosovës nga shfarosja e paramenduar, skenari i së cilës ishte hartuar me ftohtësi në qarqet më të larta shtetërore e akademike serbe”.

“Si të tilla, ato paraqesin një akt të pakrahasueshëm të humanizmit, sepse u nisën nga ideja sublime e mbrojtjes së jetës së njerëzve, të cilëve nga çasti në çast dhe në mënyrë masive u kanosej vdekja”,
tha presidenti Sejdiu.

Edhe kryeministri Hashim Thaçi thotë se intervenimi ushtarak i NATO-s më 24 mars 1999, shënoi një ngjarje të madhe historike për Kosovën dhe botën demokratike.

“Populli i Kosovës do t’u jetë përgjithmonë mirënjohës vendeve perëndimore, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe shteteve të tjera anëtare të NATO-s, si dhe miqve kudo që janë, për përkrahjen e luftës së drejtë për liri dhe pavarësi”,
deklaroi Thaçi.

Historia e Kosovës pas 24 marsit të vitit 1999 e këndej, është histori e suksesit dhe partneritetit me botën demokratike, shtoi kryeministri kosovar.

“Kjo është një ditë e kthesës së madhe për të ardhmen e vendit tonë, e parandalimit të depërtimit të njerëzve, por edhe fillimit të fitores së lirisë; e thellimit të partneritetit mes Kosovës dhe Perëndimit. Dhe, vetë realiteti i Kosovës së pavarur sot, i jep të drejtë atij vendimi ndërkombëtar për të filluar bombardimet kundër prezencës serbe në Kosovë”.

“Këtë tranzicion e kemi kaluar bashkërisht, suksesshëm kemi ardhur deri te shpallja e Kosovës shtet, kemi njohje të fuqishme dhe një perspektivë të sigurt për integrim euroatlantik”, theksoi Thaçi.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se vendosmëria në luftë solli deri te çlirimi i Kosovës me ndihmën e NATO-s. Haradinaj thotë se tash, Kosova si shtet duhet të jetë kontribuuese dhe partnere e NATO-s në çështjet e sigurisë.

“Më 24 mars 1999, me sulmet e NATO-s, UÇK-ja dhe forca e Kosovës në përgjithësi konfirmoi se vendosmëria në luftë do ta sjellë epilogun tashmë të garantuar edhe me përkrahjen e NATO-s. Po ashtu shprehim gatishmërinë tonë që në të ardhmen Kosova të japë më shumë kontribut për sigurinë e vet dhe mendoj se ne duhet të kalojmë në kontribuues të sigurisë”,
tha Haradinaj.

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, konsideron se ndërhyrja e Aleancës Veri-atlantike në Kosovë ka qenë një ndër sukseset më të mëdha jo vetëm në historinë e Kosovës, por edhe të vetë NATO-s.

“Aleanca Veri-atlantike e NATO-s, e krijuar para 60 vjetësh, pati rastin që në Kosovë të kryejë pjesën më vitale të misionit të saj, që i përshkruhet në kartën themeluese. Në njëfarë mënyre dha provimin më të rëndë dhe më të suksesshëm në historinë e ekzistimit të saj”, tha Gashi.

Mirëpo, ndryshe nga udhëheqësit e institucioneve dhe ata të partive politike shqiptare, përfaqësuesit e serbëve i shohin bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe si gabim të Aleancës Veri-atlantike.

Dragisha Kërstoviq thotë se bashkësia ndërkombëtare i kishte ikur marrëveshjes politike, për t’i dhënë përparësi zgjidhjes me dhunë të problemit të Kosovës.

“Mendoj se gabimi ishte i madh që në Rambuje, ku nuk u arrit ndonjë marrëveshje, çfarëdo që të ishte ajo”,
thotë Kërstoviq, duke besuar se vetëm një marrëveshje në Rambuje do t’i parandalonte bombardimet.

Sidoqoftë, fushata ajrore e NATO-s pasoi një proces të gjatë politik e negociator ndërkombëtar, që kulmoi me mosarritjen e marrëveshjes në Rambuje, ndërsa në Kosovë po zhvillohej një rezistencë politike e ushtarake e shqiptarëve ndaj forcave të Millosheviqit.

Mbi 12 mijë të vrarë, 2 mijë të zhdukur të luftës dhe mbi 800 mijë persona të dëbuar nga Kosova, ishte bilanci në njerëz i konfliktit në Kosovë.

Megjithatë, ishin bombardimet 78-ditëshe të NATO-s që e detyruan Millosheviqin që të dorëzohet dhe në qershorin e vitit 1999 ta pranojë Marrëveshjen e Kumanovës. Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Që atëherë, Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008 shpallën pavarësinë e Kosovës, që besohet se ndërlidhet shumë me fushatën ajrore të NATO-s, e cila i mundësoi Kosovës që të çlirohet dhe sot të jetë e pavarur.
XS
SM
MD
LG