Ndërlidhjet

Hyseni: Vendimi i GJND-së deri në prill, 2010


Kosova pret që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë deri në prillin e ardhshëm të vendosë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka thënë ministri i Jashtëm, Skender Hyseni.

“Pres që më së voni, në prillin e ardhshëm të kemi një vendim të gjykatës. Ne besojmë plotësisht në drejtësinë e GJND-së”, ka thënë ai për agjencinë Reuters.

Hyseni gjithashtu ka thënë se Kosova pret të përfshihet në planin e liberalizimit të vizave të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

“Jam i bindur se të gjitha vendet e BE-së, herët a vonë do ta njohin Kosovën, por njohja nuk duhet të lidhet apo kushtëzohet liberalizimin e vizave sepse flasim për lirinë e lëvizjes”, ka thënë ai.

Hyseni gjithashtu ka thënë se pret që Serbia ta njohë Kosovën brenda 10 viteve.

“Për 10 vjet, me siguri se Serbia do ta ketë njohur Kosovën, sepse nuk shoh se si mund t’i bashkangjitet Bashkimit Evropian pa e njohur Kosovën. Jam i sigurtë se BE-ja nuk do të marrë mbi vete një problem aq të madh”, ka thënë Hyseni.

Shefi i diplomacisë kosovare i ka bërë këto komente në një konferencë rajonale për Ballkanin Perëndimor në Slloveni.
XS
SM
MD
LG