Ndërlidhjet

Thaçi: Shkupi të largohet nga ndikimi i mbrapshtë i Beogradit


Kryeministri Hashim Thaçi mbështeti vendimin e presidentit Sejdiu për anulimin e vizitës në Maqedoni dhe i bëri thirrje Shkupit që të largohet nga ndikimi i Beogradit. Vendimi i Sejdiut u mbështet dhe nga përfaqësues të partive politike dhe analistë.


Vendimi i presidenti Fatmir Sejdiu që të anulojë vizitën në Maqedoni, është vlerësuar si vendimi më i drejtë i mundshëm nga ana e kryeministrit Hashim Thaçi.

Presidenti anuloi dje vizitën e paraparë të bëhej sot, meqenëse pala maqedonase ndryshoi karakterin e vizitës zyrtare një ditë para se ajo të ndodhte. Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se Shkupi duhet të largohet nga ndikimi i Beogradit.

“Ky është vendimi më i drejtë i mundshëm i presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Është vendim i institucioneve të Kosovës dhe si i tillë e ka përkrahjen time të plotë dhe të vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Definitivisht, Shkupi zyrtar duhet të largohet nga ndikimi i politikës së mbrapshtë të Beogradit në raport me Kosovën”, tha Thaçi.

Nga Presidenca nuk janë dhënë sqarime tjera pas këtij vendimi, por në komunikatën për media qe bërë e ditur se pavarësisht këtij vendimi, presidenti si dhe institucionet tjera mbeten të përkushtuara për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, e veçmas me fqinjët, duke u dhënë këtyre marrëdhënieve peshën dhe vlerën serioze që e meritojnë.

Në të njëjtën frymë është deklaruar dhe kryeministri Thaçi.

Hashim Thaçi
“Ne po investojmë që të kemi raporte shumë të mira si dy shtete të pavarura, sovrane, demokratike dhe me perspektivë të sigurt euroatlantike, edhe për Kosovën, edhe për Maqedoninë. Por, Kosova e ka dinjitetin e vet, e ka krenarinë e vet, është shtet i pavarur që i merr vendimet e veta. Ne do të vazhdojmë të punojmë që të kemi bashkëpunim të mirë me Maqedoninë, siç e kemi pasur deri më tash”,
ka deklaruar kryeministri Thaçi.

Ndryshe, anulimi i vizitës në Maqedoni është pritur mirë nga përfaqësues të partive politike dhe nga analistët në Kosovë. Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, njëherësh nënkryetar i partisë opozitare Aleanca Kosova e Re, thotë se presidenti ka vepruar drejt.

“Nëse vërtet arsyeja ka qenë tendenca e autoriteteve maqedonase që të mos i japin tretmanin e duhur kësaj vizite, pra me një gjuhë më diplomatike nuk është respektuar parimi i reciprocitetit në marrëdhëniet bilaterale, që është parakusht esencial për komunikim mes dy shteteve - nëse kjo ka qenë arsyeja, mendoj se presidenti ka vepruar mirë”, u shpreh Gashi.

Në anën tjetër, analistët politikë thonë se pas vendimit të presidentit, raportet mes dy shteteve duken të ftohura. Analisti Ramush Tahiri mendon se vendimi i Sejdiut ka qenë i duhur.

Pamje në Prishtinë
“Në këtë çështje edhe ftesa për presidentin Sejdiu nuk ishte e karakterit të ndërmjet dy shteteve që zhvillojnë marrëdhënie normale dhe, për mendimin tim, presidenti Sejdiu bëri mirë që nuk shkoi atje, sepse si e tillë nuk ishte zyrtare. Presidenti duhet të mbajë një qëndrim, për shkak të mandatit që ka ndaj të gjitha shteteve”,
tha Tahiri.

Analisti nga Instituti KIPRED, Ilir Deda, vlerëson se me ndryshimin e karakterit të vizitës zyrtare, Maqedonia ka treguar se nuk e trajton Kosovën si duhet trajtuar një shtet.

“Maqedonia po duket se e trajton Kosovën si një fqinj që e ka pranuar me zor. Tradicionalisht dihet se Maqedonia është shumë më e afërt me Serbinë, por, në të njëjtën kohë, ne duhet të përshpejtojmë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”, tha Deda, për të shtuar se qasja e Maqedonisë ndaj Kosovës ka qenë jokorrekte.

“Nuk është praktikë diplomatike që agjenda e vizitës të ndryshohet në mënyrë unilaterale një ditë para se kjo vizitë të ndodhë”, tha Deda.

Raportet mes Kosovës dhe Maqedonisë, sipas analistëve, kanë nisur të ftohen që kur Shkupi nuk e ftoi presidentin Sejdiu në inaugurimin e homologut të tij, Gjorgje Ivanov. Shkas qe thënë se ishte pjesëmarrja e presidentit serb, Boris Tadiq.

Pas kësaj, presidenti Sejdiu u ftua të jetë burrështetasi i parë që takon Ivanovin që nga inaugurimi i tij. Por, Shkupi ndryshoi karakterin e vizitës në moment të fundit, gjë që shkaktoi anulimin e saj nga ana e Prishtinës.

* * * * * * * * * *

Anulimi i vizitës nga ana e presidentit Sejdiu, ka shkaktuar reagime dhe në Shkup, në mesin e partive politike shqiptare dhe maqedonase.

Kjo në veçanti është reflektuar në raportet mes partnerëve të koalicionit qeveritar. BDI-ja, veprimin e presidentit Ivanov do ta shqyrtojë në mbledhjen e kryesisë së partisë, ku nuk përjashtohet edhe mundësia e rishqyrtimit të daljes eventuale nga Qeveria, për shkak të, siç thuhet, goditjeve të herëpashershme që po merr ajo nga partneri i koalicionit VMRO-DPMNE.

Nënkryetari i BDI-së, Rafis Haliti, nuk dha detaje, por tha se këto janë momente të reja, të cilat do të shqyrtohen pas kthimit të liderit të kësaj partie në Maqedoni.

“Këto janë momente të reja për BDI-në, kështu që ne do të presim që të kthehet lideri Ali Ahmeti nga Brukseli dhe patjetër që do të analizojmë shkaqet që çuan në anulimin e vizitës së presidentit Sejdiu”, deklaroi Haliti.

Lidhja Social-demokrate e Maqedonisë në opozitë, në reagimin e saj ka përkujtuar pushtetin me gabimet e njëpasnjëshme që po bën në raport me Kosovën, e që po rrënojnë të gjitha deklarimet e mëparshme për fqinjësi të mirë.

Kuvendi i Maqedonisë
“Kemi dy gabime në hapa, njëri pas tjetrit. Gabimi i parë u bë gjatë inaugurimit të presidentit Ivanov dhe vizita e paraparë tani më 28 maj ishte caktuar për t’u korrigjuar gabimi i parë. Dhe, në vend që të përmirësojmë gabimin, ne bëmë edhe një gabim tjetër; lejuan që çështjet e protokollit të jenë më të rëndësishme se çështjet thelbësore".

"Ne duam që të kemi raporte të mira me të gjithë fqinjët dhe njohja e Kosovës ishte gjesti i parë që bëmë nga ana jonë për të ardhmen më të mirë në marrëdhëniet tona, por tani e tëra kjo bie në ujë pasi ne vetë i komplikojmë raportet me fajin tonë”,
deklaroi Radmilla Sheqerinska, zyrtare e lartë nga Lidhja Social-demokrate e ish-presidentit Branko Cërvenkovski.

Edhe partia opozitare, Demokracia e Re, ka reaguar ndaj presidentit Ivanov, të cilin e ka përkujtuar që të pranojë realitetin e ri në Kosovë dhe të mos tallet me ndjenjat e shqiptarëve matanë dhe këtej kufirit.

“Është joserioze nga ana e presidentit Ivanov që të mos presë presidentin e Kosovës, Sejdiu, me të gjitha nderimet që i bëhen një presidenti të një shteti të pavarur. Ne rikujtojmë qeverinë dhe presidentin Ivanov se Republika e Kosovës është një realitet i ri në rajon dhe si e tillë duhet të pranohet”.

“Duhet të respektohet vullneti i mbi 2 milionë shqiptarëve të Kosovës. Po ashtu duhet të respektohet vullneti si dhe lidhjet emocionale, familjare, apo ekonomike të një të tretës së popullatës shqiptare në Maqedoni. Mendoj që presidenti Ivanov duhet të rezonojë pozitivisht dhe të kontribuojë në stabilitetin në rajon”,
tha zëdhënësi i Demokracisë së Re, Arianit Hoxha.

Ndaj këtij, siç thuhet, skandali të institucioneve më të larta shtetërore kanë reaguar edhe shumë organizata joqeveritare shqiptare dhe partitë më të vogla politike, të cilat kritikojnë edhe humbjen e relevancës së partisë shqiptare në qeveri, e cila, sipas tyre, nuk ka as edhe një ndikim jo vetëm në çështje shtetërore, por edhe për ato më elementaret që kanë të bëjnë me shqiptarët.

Lëvizja qytetare “Zgjohu”, përmes një komunikate, ka ftuar partitë politike shqiptare që të unifikojnë qëndrimet dhe të veprojnë në përputhje me pritjet e popullit të vet.

Gjithashtu kjo lëvizje qytetare ka ftuar komunitetin ndërkombëtar që urgjentisht t’i shqyrtojë zhvillimet në Maqedoni dhe përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike.

* * * * * * * * * *

Ndërkaq, në Shkup, Partia Demokratike Shqiptare në opozitë ka formuar grupin e punës për hartimin e marrëveshjes së re shqiptaro-maqedonase e cila më pas do ti dërgohet edhe partive tjera politike në vend.

Lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi, nevojën për një marrëveshje të re e ka arsyetuar me, siç ka thanë, dështimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila, sipas tij, nuk arriti t’i zgjidhë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.

Marrëveshje të re shqiptaro-maqedonase apo ridefinimin e Maqedonisë si shtet të shqiptarëve dhe maqedonasve, kohë më parë, e ka kërkuar edhe kryetari i Komunës së Gostivarit, Rufi Osmani.

Pozitën e shqiptarëve në Maqedoni si mjaft të rëndë e ka vlerësuar edhe Partia Bashkimi Demokratik Kombëtar, që drejtohet nga Hysni Shaqiri, ish-nënkryetar i Kuvendit.

Shaqiri, madje, ka paralajmëruar organizimin e protestave kundër, siç ka thënë, diskriminimit të skajshëm që po u bëhet shqiptarëve.

Duke komentuar këto zhvillime në bllokun politik shqiptar, analisti politik, Jeton Shasivari, thotë se ato janë refleksion i pozitës inferiore të partive shqiptare në Qeveri, andaj edhe në rrethana të këtilla lindin ide për marrëveshje të reja, të cilat edhe nuk duhet anashkaluar.

Pamje në Shkup
“Idetë e tilla janë të qëlluara parimisht, kur kihet parasysh se në tre vjetët e fundit, me ardhjen në pushtet të VMRO-DPMNE-së dhe kryeministrit Nikolla Gruevski, shënohet një moratorium për çështjet ndëretnike dhe në këtë drejtim mendoj se moratoriumi i tillë ka krijuar pakënaqësi të theksuara brenda shqiptarëve të Maqedonisë në disa sfera, por më tepër në sferën e integrimeve, në atë politike, ekonomike, sociale e kështu me radhë”,
deklaroi Shasivari.

Edhe analisti tjetër politik, Ibrahim Mehmeti, thotë se pakënaqësitë e shprehura janë rezultat i zhvillimeve negative jo vetëm në planin e brendshëm, por edhe në atë të jashtëm, përfshirë edhe dështimet në proceset integruese.

“Arsyeja kryesore qëndron mbi faktin se proceset kryesore që janë në interesin e të gjithë qytetarëve, siç është Bashkimi Evropian dhe NATO-ja - mendoj se në këtë drejtim shënohet një ngecje mjaft e madhe në krahasim me shtetet tjera të rajonit dhe mendoj se kjo është arsye se pse subjekte të ndryshme, përfshirë PDSH-në, por jo vetëm këtë parti, kanë filluar të mendojnë për iniciativa të reja, të cilat, në njëfarë mënyre, do ta ndërprisnin status-quon, në të cilën ndodhet Maqedonia dhe partitë që kanë fjalën kryesore në jetën politike”, u shpreh Mehmeti.

Nga ana tjetër, analisti Shasivari thotë se situatat e këtilla mund të evitohen sikur partitë shqiptare të kishin fuqinë e tyre vendimmarrëse në pushtetin ekzekutiv. Pozita e tyre inferiore, sipas tij, çdoherë ka prodhuar kriza dhe pakënaqësi nga subjektet tjera politike, por fajtor, siç thotë ai, janë të gjitha partitë pa përjashtim, që kanë qenë në pushtet.

“Mendoj se një pozicion i tillë i zbehtë paraqet njërin nga faktorët kryesorë për paraqitjen e kërkesave të tilla në bllokun opozitar shqiptar. Mendoj se partitë shqiptare në Qeverinë e Maqedonisë nuk kanë mekanizmat e nevojshëm juridikë dhe politikë për të qenë partner i barabartë sa i përket vendimmarrjes në kuadër të pushtetit ekzekutiv”, vlerëson Jeton Shasivari.
Menjëherë pas paraqitjes së kërkesës nga ana e PDSH-së për marrëveshje të re, lideri i BDI-së në pushet, Ali Ahmeti, ka thënë se kërkesat e tilla janë pa përmbajtje dhe si të tilla vendin e kthejnë pas. Marrëveshja e Ohrit, ka thënë Ahmeti, është duke u zbatuar, ndërsa mbështetet fuqishëm edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG