Ndërlidhjet

Zgjedhjet në Iran


Kandidatët presidencialë në Iran
Kandidatët presidencialë në Iran
Përderisa kanë mbetur vetëm dhe disa ditë deri tek mbajtja e zgjedhjeve presidenciale në Iran, çështja e grupeve etnike po adresohet si kurrë më parë. Kjo, për faktin se minoritetet etnike përbëjnë rreth 50 për qind të popullsisë në Iran dhe kështu kandidatët presidencialë kërkojnë të sigurojnë mbështetjen e azerbajxhanasve, kurdëve, arabëve e turqve.

Por, edhe vetë tre nga kandidatët në garë kanë prejardhje minoritare: kandidati reformist, Husein Musavi është azerbajxhanas, ndërkohë që reformisti tjetër, Mehdi Karrubi, dhe konservativi Mohsen Rezai, janë lurë – një minoritet ky i vogël në jugperëndim.

Dhe, sa i përket çështjes së minoriteteve, Musavi dhe Karrubi janë treguar më të çiltër gjatë fushatës, duke u premtuar atyre të drejta më të mëdha, përkatësisht të drejtën e arsimimit në gjuhën amtare.

* * * * * * * * * *

Azerbajxhanasit konsiderohen të jenë minoriteti më i njohur etnik në Iran, duke përbërë 24 për qind të popullsisë. Ata kanë poste mjaft të larta dhe mund të llogarisin dhe liderin suprem, Ajatollah Ali Khamenei, në mesin e tyre.

Mbajtja e posteve të larta në Republikën Islamike nga ana e azerbajxhanasve nuk duket të jetë aq e thjeshtë për jopersianët e tjerë, si kurdët, turqit apo edhe arabët.

Por, eksperti i pavarur iranian, Masuf Safiri, pohon se minoritetet etnike në Iran dukshëm po bëjnë praninë e tyre të njohur në skenën politike të vendit.

“Grupet etnike në Iran, herët a vonë, do të kthehen në fuqi, në të cilën do të llogaritet”, thotë ai. “Arsyeja është se shtypja dhe kufizimi i grupeve etnike dhe aktiviteteve të tyre është rritur në vitet e kaluara. Minoritetet etnike besojnë se grupi i persianëve po mban gjithë forcën politike në duart e veta dhe nuk e ndajnë fuqinë e tyre me grupet e tjera etnike”.

* * * * * * * * * *

Kushtetuta e Republikës Islamike e përcakton qartë se të gjithë iranianët, pavarësisht origjinës së tyre etnike, janë të barabartë. Dhe, bazuar në Ligjin iranian, minoritetet etnike kanë të drejtë të shkollohen në gjuhën e tyre amtare.

Por, realiteti i shumë minoriteteve është ndryshe. Azerbajxhanasit, kurdët dhe aktivistë të tjerë kanë qenë arrestuar dhe dënuar për, siç thuhet, vënien në rrezik të sigurisë nacionale apo për promovimin e ideve separatiste, për shembull.

Dhe, megjithëqë ligji i mbron të drejtat e gjuhës, arsimimi formal, për pjesën më të madhe, është i mundur veç në persisht. Vetëm së fundmi, qeveria ka urdhëruar shkollat që jopersianëve t’u mundësojnë mësimin në gjuhën e tyre amtare.

“Përderisa leksionet në shkolla mbahen në persisht, grupet minoritare duan që gjuha e tyre amtare të përfshihet në plan-programet mësimore”, thotë Azadeg Kian, ekspert iranian.

“Ata po ashtu kanë kërkesa të tjera, kërkesa për kulturë, për zhvillim... Ata duan të trajtohen si të barabartë dhe nuk duan që persishtja të jetë dominante në vendin e tyre”.

Duke i konsideruar këto kërkesa si të drejta, Kian thotë se “Qeveria e Ahmadinexhadit i ka gjykuar ato si problem për sigurinë dhe i ka shtypur ato”.

Edhe rivalët e Ahmadinexhadit thonë se janë të vetëdijshëm për perceptimin e qeverisë për ta si kërcënim potencial të sigurisë.

Por, në të në njëjtën kohë, Musavi dhe Karrubi e kanë bërë të qartë gjatë fushatës elektorale se ata mbështesin fuqishëm integritetin territorial të Iranit dhe nuk përkrahin ndonjë ide separatiste apo pro-pavarësisë.

* * * * * * * * * *

Me afrimin e zgjedhjeve presidenciale, kandidati në pushtet Mahmud Ahmadinexhad është “nën zjarr”. Korrespondenti i Radio Fardas, Mehrdad Mirdamadi, thotë se të tre kundërshtarët kryesorë të tij kanë më shumë autoritet në Republikën Islamike.

Ai vlerëson se situata aktuale ekonomike në Iran është problemi kryesor që adresohet kundër Ahmadinexhadit.

The Briefing: Iran's Elections
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:04:03 0:00
XS
SM
MD
LG