Ndërlidhjet

Shkurtimet në KFOR - dëshmi e stabilitetit


Hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë, 12 qershor 1999.
Hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë, 12 qershor 1999.

Liderët kosovarë kanë shprehur falënderime për NATO-n, në 10-vjetorin e hyrjes në Kosovë. Ata vlerësuan se paralajmërimet për shkurtimin e trupave të KFOR-it, janë mesazh se gjendja në Kosovë është e qëndrueshme.



Një dhjetëvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, udhëheqësit kosovarë kanë falënderuar edhe sot Aleancën Veri-atlantike për çlirimin e Kosovës dhe ndihmën e dhënë në ndërtimin e një mjedisi të qetë dhe paqësor.

Njëherësh, paralajmërimet për shkurtime në trupat e KFOR-it, ata i kanë cilësuar si rrjedhojë e normalizimit të gjendjes në Kosovë.

“12 Qershori është kremte e krenarisë, por edhe e dhimbjes dhe e kujtimit për të gjithë ata që në rrugën e gjatë të pavarësimit të Republikës së Kosovës, bënë aktin më sublim - dhanë jetën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit”, tha në mesazhin e tij presidenti Fatmir Sejdiu.
Për ne është një shenjë e mirë se stabiliteti në Kosovë është i qëndrueshëm dhe natyrisht është shenjë e gjithmonshme se NATO-ja është në Kosovë, pavarësisht se a do të jenë 15 mijë apo 10 mijë trupa....

Ai tha se edhe reduktimi i trupave është në proporcion me gjendjen reale në Kosovë.

“Për ne është një shenjë e mirë se stabiliteti në Kosovë është i qëndrueshëm dhe natyrisht është shenjë e gjithmonshme se NATO-ja është në Kosovë, pavarësisht se a do të jenë 15 mijë apo 10 mijë trupa. Me rëndësi është që politikat zhvillohen në kuadër të Aleancës, është qëndrim i përbashkët i tyre
”, tha Sejdiu.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi thotë se 12 Qershori është dita e paqes dhe e çlirimit.

“Më 12 qershor filloi epoka e lirisë, ditë me të cilën çdo qytetar i Kosovës duhet të ndihet krenar”,
tha kryeministri Thaçi.

Kurse, paralajmërimet për shkurtime në numrin e trupave të KFOR-it, sipas kryeministrit, janë mesazh se institucionet e Kosovës po forcohen.

“Prezenca e NATO-s për Kosovën ka qenë jetike për paqen, stabilitetin dhe do të vazhdojë të jetë jetike me numrin në të cilin është. Largimi i një pjese të NATO-s, apo reduktimi, është një mesazh i qartë se institucionet e shtetit të Kosovës po forcohen”.

“Institucionet e sigurisë, institucionet e mbrojtjes dhe Kosova së shpejti do të jenë pjesë e NATO-s”,
deklaroi Thaçi.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se reduktimet nuk duhet të paraqesin shqetësim për qytetarët, pasi që Kosova ndërkohë do t’i ngrejë kapacitetet e saj.

“Kalkulimet për numrin e nevojshëm në Kosovë, me siguri që NATO i bazon në gjendjen e sigurisë në Kosovë, por edhe në rajon, dhe ne jemi të interesuar në aftësimin e vetvetes për të marrë përgjegjësi në siguri në Kosovë dhe për anëtarësimin tonë në NATO”.

“Nuk kisha menduar se duhet të jenë shqetësim për qytetarë të vendit këto parashikimet për numrin e trupave të NATO-s në Kosovë”,
tha Haradinaj.

Paqeruajtësit e KFOR-it në Kosovë

Qytetarët e Kosovës duhet të kenë besim në vendimet e NATO-s, thotë, në anën tjetër, kryetari i Partisë Social-demokratike, Agim Çeku. Ai beson se kalkulimet e NATO-s për trupat e nevojshme në Kosovë, janë të sakta, marrë parasysh se kjo Aleancë tash e dhjetë vjet është e pranishme në Kosovë.


“Këto janë veprime të KFOR-it që merren me unanimitet të plotë dhe KFOR-i, apo NATO, ku edhe është marrë ky vendim, nuk ia lejon vetes atë luks që të bëjë një gabim apo vlerësim të gabueshëm. Dhe, ne duhet ta kemi besimin ashtu siç e kemi pasur dhe nuk duhet të shqetësohemi për këtë”,
theksoi Çeku.

Ndryshe, në Ditën e Paqes dhe Lirisë, udhëheqësit kosovarë kanë shprehur respektin e tyre për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e tjera demokratike, të cilat përkrahën çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të pavarur të Kosovës.

Intervenimi i NATO-s ishte sublimim i aspiratave shekullore të popullit të Kosovës për liri e pavarësi, ka thënë ndër të tjera presidenti Fatmir Sejdiu.
XS
SM
MD
LG