Ndërlidhjet

Shpresa për kthim në Kroin e Vitakut


Ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve në Kroin e Vitakut.
Ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve në Kroin e Vitakut.

Rindërtimi i shtëpive të para në Kroin e Vitakut thuajse ka mbaruar. Banorët shqiptarë janë të vendosur që të kthehen, pa marrë parasysh pengesat eventuale. Premtohet kthimi i mbi 100 familjeve shqiptare në këtë lagje, e cila gjendet në veri të Mitrovicës.


Pesë shtëpi të bardha dykatëshe tashmë janë ngritur në Kroin e Vitakut, lagje kjo në veri të Mitrovicës, e pabanuar tash 10 vjet. Janë edhe mbi 120 shtëpi tjera, që pritet të ngrihen mbi shtëpitë gërmadha të djegura gjatë luftës.

Ndryshe nga pjesët tjera të Kosovës, ku rindërtimi thuajse mbaroi në vitet e para të pasluftës, për këtë lagje në veri, rrethanat politike dhe të sigurisë nuk lejuan një gjë të tillë. Ani pse, pronarët e shtëpive, si Ahmet Rama, brodhën si refugjatë për një dekadë.
Kjo bredhje në shtëpi të ndryshme na ka kushtuar mjaft, si refugjatë në qytetin tonë...

“Ne kemi jetuar një kohë në Tavnik, pastaj në Zhabar. Kjo bredhje në shtëpi të ndryshme na ka kushtuar mjaft, si refugjatë në qytetin tonë. Mirëpo, më në fund edhe zëri ynë hasi në mirëkuptim te kombëtarët dhe ndërkombëtarët, që më në fund edhe neve na u ndez një dritë e gjelbër që të kthehemi në pronat tona, në vatrën tonë ku kemi jetuar me vite të tëra”, shprehet Rama, teksa shikon vendin e shtruar me zall, në pritje të hapjes së themeleve.

Deri para ’99-ës kanë qenë 127 familje të shqiptarëve në Kroin e Vitakut, lagje kjo që sipër ka fqinjët serbë. Të gjitha këto familje, bashkë me qindra të tjera, të dëbuara nga pjesa veriore e Mitrovicës, vazhdojnë të kenë të pazgjidhur çështjen e banimit.

Musa Hamiti, përfaqësues i lagjes Kroi i Vitakut, jeton ende në qendër kolektive.
Po të mos ishte një shpresë se një ditë do të kthehem në pronën time, unë nuk e di pse do të jetoja më tutje.

“E kam shtëpinë atje (në veri) dhe që 10 vjet jetoj në qendrën kolektive, jetimore; jemi 8 anëtarë në familje. Po të mos ishte një shpresë se një ditë do të kthehem në pronën time, unë nuk e di pse do të jetoja më tutje, kur dihet se krejt prona ime është në pjesën e veriut”, thotë Hamiti, i cili mbikëqyr punët e kompanisë, e cila po ndërton shtëpitë e shqiptarëve në këtë lagje.

Jo të gjitha punët kanë vajtur mirë me këtë projekt të kthimit në Kroin e Vitakut, të sponsorizuar nga Qeveria e Kosovës. Në prill dhe maj, për më shumë se dy javë, serbët kanë tentuar t’i pengojnë punimet, madje edhe duke sulmuar forcat e rendit.

Policia e EULEX-it është detyruar që të përdorë gazin lotsjellës disa herë për t’i shpërndarë protestuesit serbë. Tani, situata duket më e relaksuar. Policia e Kosovës kryen patrullime vazhdimisht, por nuk ka postblloqe të KFOR-it apo të EULEX-it.

Ahmet Rama nuk mendon se do të ketë nevojë për prani të madhe të forcave të rendit.

“Tash për tash, situata është e qetë, por më herët ka qenë edhe më e qetë, kur kemi qenë duke ndërtuar këtë pjesë. Mirëpo, me lëvizjen tonë se do të bëhet ndërtimi i shtëpive edhe më afër serbëve, është vërejtur lëvizja edhe e serbëve, edhe e EULEX-it. Ma merr mendja se duhet të jetë një sasi e konsiderueshme e forcave, vetëm sa për të monitoruar situatën e sigurisë në këtë trevë”,
shprehet Rama.

Eskavatorët vazhdojnë punën në ndërtim dhe meremetim. Pesë shtëpi janë pothuajse në përfundim. Mbi 15 të tjera pritet të përfundojnë brenda dy muajsh. Musa Hamiti shpjegon dinamikën e punës.

“Kemi filluar me rindërtimin e 5 shtëpive, ku po përfundojnë punët. Jemi në finalizim të punëve, suvatimi është në përfundim e sipër, edhe dy ditë jo më shume, dhe do të fillojmë me nivelizim dhe patosim. Posa të kryhen këto punë, banorët janë të vendosur që të kthehen. Në fazën e parë kemi filluar edhe me tri meremetime, një ka përfunduar, tjetri kah fundi. Tash jemi në fazën e dytë, ku fillimisht do t’i nisim për ndërtim 5 shtëpi dhe 7 meremetime”,
tregon Hamiti.

Ahmet Rama mezi pret përfundimin e shtëpisë së tij. Ai shpreson se nuk do ta pengojnë që të jetojë në pronën e tij.
...ka ardhacakë nga tërë Kosova dhe atyre nuk u intereson stabilizimi i situatës në këtë trevë.

“Ne nuk druajmë, me gjithë rezistencën e fqinjëve tanë - kam parasysh faktin se para luftës kemi jetuar me ata dhe asnjëherë s’kemi pasur incidente ndëretnike, e kam parasysh se fqinjët tanë nuk e bëjnë këtë, por ka ardhacakë nga tërë Kosova dhe atyre nuk u intereson stabilizimi i situatës në këtë trevë”, tha Rama.

Serbët kanë lejuar rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve vetëm atëherë kur kanë marrë premtimin se edhe atyre do t’u lejohet rindërtimi në këtë zonë.

Ndryshe, incidentet në këtë lagje kanë qenë pretekst i reagimeve të organizmave vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët kanë kërkuar që të respektohet e drejta elementare për kthimin e secilit në pronën e tij.
XS
SM
MD
LG