Ndërlidhjet

Kurteshi: Ka probleme të të drejtave të njeriut


“Në Kosovë ka probleme të të drejtave të njeriut, por nuk janë probleme me tendencë sistematike dhe institucionale për shkeljen e tyre”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurteshi, për nivelin e respektimit të të drejtave të njeriut në Kosovë, ka vlerësime nga më të ndryshmet. Sipas jush, sa respektohen të drejtat e njeriut?

SAMI KURTESHI
Vlerësimet nga më të ndryshmet janë sepse shikohen nga perspektiva të ndryshme; kjo është krejt e natyrshme. Unë do ta ndaja pyetjen në dy pjesë. Nën një, në Kosovë nuk ka përpjekje sistematike institucionale për shkeljen e të drejtave të njeriut.

Niveli i parë i të drejtave të njeriut, do të thotë dëmtimet fizike, keqtrajtimet, mandej trajtimi johuman, jonjerëzor, nuk ekziston. Mund të ketë raste të veçanta, por nuk ekziston.

Ne kemi probleme të shumta sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut; jemi shoqëri në tranzicion. Kemi probleme nga më të ndryshmet, duke filluar prej gjyqësisë, administratës, trafikimit, trajtimit të njerëzve që quhen pakica, gjendja në shkolla, gjendja në rrugë...

Ka probleme të të drejtave të njeriut në Kosovë, por nuk janë probleme me tendencë sistematike dhe institucionale për shkeljen e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Për pjesëtarët e komunitetit serb, çfarë mund të thoni?

SAMI KURTESHI
Ata janë qytetarë të Kosovës. Qytetarët e Kosovës në Kosovë janë të barabartë, jo vetëm para ligjit, por edhe për ne konsiderohen si të tillë. Nuk ka asnjë dallim.

Natyrisht, në vende të tilla, ku ka pasur konflikte, në vende post-konfliktuale, është e drejtë që të bëhet një diskriminim pozitiv për pakicat, vetëm për aq sa nuk dëmtohen pjesët tjera të sistemit dhe nuk dëmtohet shumica.

Me Kushtetutë jemi të gjithë të barabartë dhe unë do të bëj përpjekje që të gjithë ne t’i gëzojmë të drejtat ashtu siç na i garanton ligji dhe Kushtetuta.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do ta arrini besimin e komunitetit serb, përfaqësuesit e të cilit kanë shprehur skepticizëm në institucionin që udhëhiqni ju?

SAMI KURTESHI
Është çështja e përfaqësuesve politikë dhe përfaqësuesit politikë gjithkund kanë skepticizmin e tyre. Unë po them se ne do të punojmë bazuar në Kushtetutën dhe ligjin.

Ne do t’i respektojmë të drejtat e të gjithëve dhe do t’i mbrojmë të drejtat e të gjithëve pa kurrfarë dallimi. Është puna jonë që ata do t’i detyrojë të binden se e kemi seriozisht dhe të drejtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, në cilat fusha shkelen më së shumti të drejtat e njeriut?

SAMI KURTESHI
Ashtu siç thashë, nuk ka ndonjë përpjekje, ndonjë tendencë institucionale, që të krijohet ndonjë strukturë e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Shkelja e të drejtave bëhet në gjyqësi – rastet tona më të shpeshta.

Kemi me administratën, kemi ndonjë rast aty-këtu të trafikimit. Për çudi, nuk kemi shumë raste për shembull nëpër burgje, nëpër qendrat e parandalimit. Kemi ankesa të vogla, por nuk kemi të mëdha.

Më tepër kemi në kuptimin e halleve të qytetarëve me institucionet. Domethënë, heshtja administrative, vonesa të mëdha, gjëra të tilla.

RADIO EVROPA E LIRË
Problem tjetër në Kosovë vazhdon të jetë sistemi ligjor. Sa zbatohen ligjet, sipas jush, dhe çfarë duhet përmirësuar për një zbatim më të kënaqshëm?

SAMI KURTESHI
Sistemi gjyqësor në Kosovë është një sistem që shumë shpesh është në thumb të kritikës. Unë nuk po them se jam kohë të gjatë këtu e të vlerësoj shumë drejt, por, në kuadër të ankesave të qytetarëve, kemi ankesa edhe në raport me gjyqet. Ato nuk janë të pakta.

Unë shpresoj se në Kosovë, megjithatë, janë duke u ndërmarrë hapa, do të ndërmerren hapa për reformimin e sistemit gjyqësor në tërësi. Tash e kemi edhe Gjykatën Kushtetuese. Ajo sigurisht do të ndikojë pak në përmirësimin edhe të imazhit, por edhe të shumë problemeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa do të mund të jeni imun nga presionet e mundshme politike?

SAMI KURTESHI
Vetë institucioni këtu e ka një karakter politik. Vetë zgjedhja e Avokatit të Popullit ka karakter politik, është zgjedhur në Kuvend, e kanë zgjedhur partitë politike, nuk ka vendosur ndonjë institucion tjetër.

Unë mendoj se një imunitet absolut ndaj politikës nuk ka, përndryshe nuk do të ekzistonte as institucioni si i tillë. Por, ndaj ndërhyrjeve politike në punën e institucionit, mendoj që aty kemi imunitet.

Unë personalisht kam imunitetin tim, por mendoj se edhe institucioni ka imunitet. Nga bisedat e deritashme me kolegët e mi këtu, nuk kam vërejtur se ka pasur presion drejtpërdrejt, por edhe të tërthortë politik, për punën që është bërë këtu.

Mendoj se edhe institucionet e Kosovës jo pak janë të interesuara që ky institucion të jetë i pavarur. Edhe partitë politike po ashtu. Nëse ka ndonjë përpjekje për presione politike për punën këtu, unë po e them që ato presione nuk do t’i pranojmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni zgjedhur Avokat i parë i Popullit në shtetin e Kosovës. Çfarë mendoni se do të ndryshojë nga zgjedhja juaj?

SAMI KURTESHI
Për shkak të një zgjatjeje të tillë për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, është lënë pak pas dore institucioni. Ka qenë në një fazë, e ndoshta ende është në atë fazë kur më shumë është marrë me vetveten, sesa me misionin.

Unë mendoj tash, së shpejti, të kalojmë këtë fazë dhe institucioni të fillojë të merret me misionin që e ka të përcaktuar me Kushtetutë. Sigurisht, ne do të bëjmë përpjekje.

Çka unë kam dëshirë, është edukimi i mëtutjeshëm i njerëzve që punojnë në institucion, do të thotë profesionalizimi i tyre, specializimi i tyre, si dhe mundësia për shkollimin e tyre të mëtutjeshëm.

Një çështje që do të jetë shumë e rëndësishme, është edhe përputhja e ligjshmërisë dhe e vendimeve në Kosovë me Konventën e të Drejtave të Njeriut evropiane, që parashihet edhe në Kushtetutën e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, jashtë institucionit, do të mund të ndryshojë diçka?

SAMI KURTESHI
Unë mendoj që është shumë herët të flitet për këtë punë. Ne do të bëjmë përpjekje për sensibilizimin e opinionit për institucionin, edhe nëse mund të arrijmë diçka, po e them ndër thonjëza, edukimin e qytetarëve për të drejtat e tyre.

Ata kanë të drejta që u garantohen me ligj dhe me Kushtetutë. Ata kanë të drejtë t’i kërkojnë. Nëse e ndjejnë veten të pafuqishëm si individë, t’i kërkojnë – institucioni i Avokatit të Popullit është krijuar vetëm për këtë arsye.
XS
SM
MD
LG