Ndërlidhjet

Korrupsioni në nivel shqetësues


Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ua tërheq vërejtjen institucioneve të Kosovës për nivelin shqetësues të korrupsionit brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti. KDI gjithashtu ka vënë në pah se mbi 90 për qind e rasteve të denoncuara nga qytetarët kanë të bëjnë me sektorin e gjyqësisë.

Qendra për Avokim dhe Këshilla Ligjore në kuadër të Institutit Demokratik të Kosovës, përmes një raporti të publikuar sot, e ka vlerësuar si shqetësues nivelin e lartë të korrupsionit në Kosovë.

Përfaqësuesja e kësaj qendre, Merita Mustafa, menaxhere e programit ‘Transparenca dhe kundërkorrupsioni’, thotë se të dhënat e këtij raporti janë bazuar në numrin e rasteve të denoncimeve pranë kësaj qendre nga ana e qytetarëve, për rastet e dyshuara të korrupsionit në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
...bazuar në numrin e rasteve të paraqitura në gjashtëmujorin e parë të funksionimit të Qendrës, ne shprehim një shqetësim shumë të madh për këtë numër të rasteve të korrupsionit.

“Numri i përgjithshëm i thirrjeve në këtë qendër, për këtë periudhë, ka qenë 75 denoncime. Prandaj, bazuar në numrin e rasteve të paraqitura në gjashtëmujorin e parë të funksionimit të Qendrës, ne shprehim një shqetësim shumë të madh për këtë numër të rasteve të korrupsionit”.

“Përmes këtij raporti, Qendra synon që organeve shtetërore t’u ofrojë të dhëna sasiore mbi atë se sa janë në realitet duke u ballafaquar qytetarët me korrupsionin, e po ashtu edhe të dhëna cilësore se si janë duke funksionuar këta mekanizma të korrupsionit”,
tha zonja Mustafa.

Sipas saj, rreth 90 për qind e numrit të ankesave të qytetarëve ka të bëjë me sektorin e gjyqësisë, ku, siç thotë ajo, ata kanë hasur një mori problemesh dhe forma të ndryshme të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

“Zgjatja e procedurave që kanë të bëjnë me kontestet civile, sidomos me ato pronësore, përshpejtimi i procedurave për shkak të korrupsionit, mosekzekutimi i vendimeve të gjykatës dhe lëshime individuale të zyrtarëve, përdorimi i lidhjeve familjare në mes të palëve në proces gjyqësor dhe gjyqtarëve”.

“Pastaj, mosrespektim i kodit të etikës si në çështje procedurale, po ashtu edhe në marrëdhënie me palët, arroganca dhe ofendimi i palëve, përdorimi i shpeshtë i telefonit celular gjatë seancave gjyqësore nga ana e gjyqtarit, si dhe pirja e duhanit gjatë seancave”,
sqaroi zonja Mustafa.

Ndërkaq, Visar Ramaj, asistent i përfaqësuesit ligjor në kuadër të Qendrës për Avokim dhe Këshilla Ligjore, tha se në 30 për qind të rasteve, qytetarëve që kanë denoncuar rastet e korrupsionit, u është ofruar ndihmë nga kjo Qendër.

“Kemi pasur 25 takime, me 25 palë kemi punuar në Qendër, të cilëve u kemi asistuar me ndihmë konkrete. Ka pasur raste, ku pas konsultave me përfaqësuesin e qendrës sonë dhe me qendrën tonë, pas ofrimit të asistencës, do të thotë ndihmës konkrete në kompletimin e dokumentacionit dhe në kompletim të fakteve, kanë vazhduar me procedurë gjyqësore”, deklaroi zoti Ramaj.

Sipas përfaqësuesve të Qendrës për Avokim dhe Këshilla Ligjore, gjendja e krijuar dëshmon mosefikasitetin e institucioneve vendore dhe funksionimin e brishtë të sistemit ligjor në Kosovë.

Ndryshe, gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, edhe në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit ka pasur denoncime nga ana e qytetarëve për rastet e korrupsionit.

Hasan Preteni, drejtues i kësaj agjencie, thotë se prej janarit e deri në qershor të këtij viti, janë evidencuar rreth 100 informata nga qytetarët.

Hasan Preteni
“Kjo do të jetë një dëshmi e rritjes së besimit te qytetarët për agjencinë ose është ajo që qytetarët e kanë fituar kurajën që të mos hezitojnë, që për rastet ku pretendojnë se ka veprime korruptive, t’i informojnë institucionet e Kosovës”,
tha Preteni.

Deri më tash, sipas tij, shumica e këtyre informatave janë trajtuar nga agjencia që ai drejton.

“Të gjitha ato informata, të cilat ne i pranojmë në agjenci, shumica prej tyre them, nuk kanë mbetur pa u trajtuar nga agjencia. Do të thotë, brenda 60 ditësh ato të gjitha e marrin epilogun”, pohoi Preteni.

Sidoqoftë, zoti Preteni theksoi se rastet e korrupsionit që janë denoncuar nga qytetarët, janë shënuar në të gjitha fushat e jetës në Kosovë, por, sipas tij, mbi 90 për qind të rasteve kanë të bëjnë me, siç e quajti ai, tenderomaninë apo shkeljen e procedurave të tenderimit, si dhe mosrespektimin e ligjit të prokurimit publik.
XS
SM
MD
LG