Ndërlidhjet

FMN parasheh rreziqe fiskale


Selia e FMN-së
Selia e FMN-së

FMN-ja ka përpiluar një dokument për Kosovën, ku parashihen rreziqe fiskale, si pasojë e rritjes së shpenzimeve nga ana e Qeverisë së Kosovës në masë prej 39 për qind. Ndërkaq, Qeveria thotë se do t’i marrë parasysh rekomandimet e FMN-së.


Pak ditë pas pranimit zyrtar, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mënyrën e menaxhimit të mjeteve buxhetore.

Në një dokument të përpiluar për Kosovën, FMN-ja ka paraparë rreziqe fiskale si pasojë e rritjes së shpenzimeve nga ana e Qeverisë së Kosovës në masë prej 39 për qind.

Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se gjendja e mjerueshme e Korporatës Energjetike të Kosovës mund të rezultojë e kushtueshme dhe e rrezikshme për buxhetin e Kosovës.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thotë se të gjitha konstatimet e institucioneve financiare ndërkombëtare janë të mirëpritura nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Unë nuk besoj se janë kritika; janë konstatime, të cilat shërbejnë për të gjithë ne, që të kemi një vizion të qartë për atë se çfarë duhet të bëjmë. Besoj se FMN gjithmonë është më konzervativ në paraqitjet e veta, sesa çdo institucion tjetër. Ai është roli i Fondit”.

“Ne do të përpiqemi që t’i akomodojmë të gjitha sugjerimet e tyre, me qëllim që performancat e buxhetit dhe të institucioneve të Kosovës të jenë konform standardeve botërore”,
pohoi ministri Shala.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike vlerësojnë se FMN ka të drejtë kur kritikon Qeverinë në lidhje me menaxhimin dhe financimin e KEK-ut.

Eksperti Naim Gashi e quan mjaft kritik raportin e FMN-së.

“Pajtohem me vërejtjet e FMN-së sa i përket KEK-ut dhe zgjerimit të kufijve buxhetorë për ndërtimin e autostradës, mirëpo nuk pajtohem me vërejtjet e FMN-së sa i përket restrikcionit të shpenzimeve buxhetore”, tha Gashi.

Qeveria e Kosovës
Në raport thuhet se buxheti i këtij viti është parashikuar në pritje jorealiste të qeverisë, pasi është menduar se gjatë këtij viti do të kthehen mjetet që qeveria i ka dhënë KEK-ut.

Mirëpo, fillimi i privatizimit të kësaj kompanie publike, thuhet në raport, si dhe vonesat në këtë proces, mund të bëjnë që edhe kthimi i kredisë të vonohet.

Me këtë vlerësim pajtohet dhe eksperti Naim Gashi.

“Në dhjetë vjetët e fundit, permanent, KEK-u ka përfituar mjete buxhetore nga Qeveria e Kosovës, ka përfituar mbi 1 miliard euro, duke përfshirë dhe fondet e investitorëve, ndërsa përmirësimet në KEK janë minore”, u shpreh Gashi.

Ai thotë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të investojë në projektet kapitale, për të cilat mund të gjenden investitorë, por, sipas tij, duhet të fokusohet më tepër në sektorët, ku mund të përmirësohet jeta dhe mirëqenia e qytetarëve të Kosovës.

“Unë nuk jam ithtar i asaj që autostrada Morinë-Merdarë të ndërtohet me para të buxhetit të Kosovës, për arsye se ne kemi investitorë të gatshëm potencialë që të ndërtohet kjo rrugë me koncesion”.

“Unë mendoj se këto fonde është shumë më mirë të investohen në projektet, për të cilat nuk ka gatishmëri të investimeve të jashtme, siç është sektori i arsimit, i shëndetësisë dhe sektorët tjerë publikë”,
deklaroi Gashi.

Në raportin e FMN-së thuhet se asnjë rritje buxhetore nuk bën të ndodhë, sepse do t’i vinte në pikëpyetje politikat e përgjithshme të shpenzimeve të qeverisë dhe do të përbënte një precedent të rrezikshëm për përgatitjet e buxhetit për vitin 2010.

Një tjetër kritikë e organizatës ndërkombëtare financiare ka të bëjë me miratimin e ligjeve dhe dokumenteve të politikave, pa i marrë parasysh shpenzimet e prioriteteve të qeverisë për planin afatmesëm të shpenzimeve.
XS
SM
MD
LG