Ndërlidhjet

Haxhiu: 2015, fundi i territ


Lorik Haxhiu
Lorik Haxhiu

"Për ndërtimin e termocentralit të ri, për fazën e parë apo bllokun e parë, nevojiten pesë vjet. Viti 2015 është data e ndërrimit total të besueshmërisë së furnizimit me energji elektrike", thotë Lorik Haxhiu, menaxher i projektit "Kosova e Re".


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, qeveria ka vendosur për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Kur do nisë së zbatuari projekti?

LORIK HAXHIU
Kemi pasur një takim shumë me rëndësi për zhvillimin e projektit të termocentralit “Kosova e Re”.

Janë marrë vendimet mbi parimet e zhvillimit të dokumentacionit të tenderit, i cili do të shërbejë si bazë për përzgjedhjen e investitorit të preferuar, në bazë të listës së parakualifikimit, që e kemi pasur më herët. Këto vendime tash mundësojnë përgatitjen e tenderit.

Shtatori do të jetë muaji kur ne do të paraqesim draftin e parë. Ky dokumentacion do të përfshijë edhe draftin e të gjitha lejeve, licencave dhe gjithçka që është e domosdoshme për një tender të përshkruar në mënyrë të detajizuar.

Pra, nëse ne arrijmë që draftin e parë ta dorëzojmë në shtator, atëherë faza tjetër është procesi i konsultimit të mëtutjeshëm me investitorët. Dhe, besojmë që gjatë këtij viti do të shpallim tenderin dhe do të kemi një garë konkurruese për përzgjedhjen e fituesit.

Ajo çka do të ndodhë, është se në vitin 2010 do të nënshkruajmë kontratën dhe me nënshkrimin e kontratës me ofertuesin e suksesshëm, fillohet dhe me implementim. Për ndërtimin e termocentralit të ri, për fazën e parë apo bllokun e parë, nevojiten pesë vjet.

Këto janë afatet aktuale, të cilat i kemi marrë edhe nga ofertuesit e teknologjive apo termocentraleve. Flas për vitin 2015 – domethënë kjo është data e ndërrimit total të besueshmërisë së furnizimit me energji elektrike.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të hapet tender i ri për kompanitë e interesuara, apo do të garojnë këto tri kompani që tashmë kanë konkurruar?

LORIK HAXHIU
Procesi, të cilin jemi duke përcjellë, mbetet i njëjtë. Pra, ne kemi listën e ofertuesve të parakualifikuar, që janë parakualifikuar në fazën e mëhershme dhe do ta vazhdojmë këtë proces me këto, tani tri kompani të parakualifikuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, nga do të sigurohen mjetet për ndërtimin e termocentralit, pasi bëhet fjalë për një shumë jashtëzakonisht të madhe?

LORIK HAXHIU
Në bazë të vlerësimeve që i kemi bërë gjatë studimeve të fizibilitetit, flitet për rreth 3.5 miliardë euro, që janë së bashku për ndërtimin e termocentralit të ri dhe për zhvillimin e minierës së Sibovcit.

Këto investime të konsiderueshme vijnë nga investitorët. Pra, ne kemi procesin për përzgjedhjen e investitorit, që, në faza, ashtu siç është paraparë edhe në planin, do të investojnë për realizimin e komponentëve të projektit, që është ndërtimi apo hapja e minierës së re në Sibovc dhe ndërtimi i termocentralit të ri, ashtu siç është paraqitur në faza.

Investitorët, të cilët ne i kemi të parakualifikuar, presin për një dokumentacion të tenderit, të cilin ne shumë shpejt do ta finalizojmë. Do të punojmë edhe gjatë muajit të gushtit dhe gjatë pushimeve verore, në mënyrë që në muajin shtator të kemi draftin e parë të ftesës për propozim apo dokumentacionin e tenderit.

Ajo çka është me rëndësi, është se ne dëshirojmë të sigurohemi që ky proces është transparent dhe konkurrues dhe kjo nënkupton edhe konsultimin me faza edhe me investitorë të parakualifikuar.

Kjo – për të siguruar që kriteret, të cilat ne i paraqesim në dokumentacionin e tenderit, nuk janë diskriminuese për njërin nga ofertuesit dhe janë bazë e mirë për një konkurrencë mes këtyre tri kompanive të parakualifikuara.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka nevojë Kosova për një termocentral me kapacitet 2000 megavat, apo synim është eksporti?

LORIK HAXHIU
Ne në vitet ’80 i kemi pasur 1500 megavat, domethënë ky është një fakt.

Tani, në politikat gjithëpërfshirëse ne jemi të obliguar që ta mbyllim edhe termocentralin “Kosova A”, pra do ta humbim një pjesë të kapacitetit dhe, në faza të mëvonshme, diku pas vitit 2025, do të vijë koha kur do të flasim edhe për mbylljen e termocentralit “Kosova B”.

Përmes këtij projekti, ne kemi dy synime. Një është zëvendësimi i objekteve të vjetra të gjenerimit, plotësimi i kërkesave vendore dhe normalisht, nëse ka mundësi, një pjesë e energjisë do të eksportohet dhe kjo prapë do të shndërrohet në përfitime nga eksporti.

RADIO EVROPA E LIRË
Opozita dhe shoqëria civile kanë kritikuar vendimin e qeverisë, duke e quajtur vendim politik, njëherësh edhe shitje të pasurisë së Kosovës. Cili është vlerësimi i juaj?

LORIK HAXHIU
Vendimet e qeverisë dhe komitetit drejtues të projektit janë korrekte, bazohen në shumë analiza dhe studime, të cilat janë kryer gjatë viteve të fundit.

Gjithashtu, bazohen edhe në këshillat e institucioneve ndërkombëtare dhe të këshilltarëve ligjorë, duke marrë parasysh edhe analizën e tregut, që kemi pasur si nga ana e konsumit, por edhe nga ana e investitorëve. Dhe, këto vendime mundësojnë që ky projekt të jetë i realizueshëm, të jetë i suksesshëm.

Sa u përket kritikave, të cilat dalin nga shoqëria civile dhe nga OJQ-të, normalisht që jemi një shoqëri demokratike dhe gjithkush ka të drejtë të shprehë mendimet. Mund t’ju siguroj se një pjesë e sugjerimeve, që ne i kemi marrë nga shoqëria civile dhe nga OJQ-të, i kemi marrë parasysh edhe gjatë procesit të vendimmarrjes.

RADIO EVROPA E LIRË
Edhe ambientalistët kanë kritikuar ndërtimin e një termocentrali me kapacitet kaq të madh për shkak te ndotjes eventuale...

LORIK HAXHIU
Është fakt i ditur që termocentralet me djegie të linjitit nuk janë shumë në trend, kur kemi probleme të ngrohjes globale. Pra, të gjitha shtetet mundohen të orientohen kah burime të ripërtërishme. Mirëpo, ajo çka Kosova ka, është linjiti.

Vendet që kanë linjit, sikur Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Polonia, Hungaria dhe vende të tjera, vazhdojnë të ndërtojnë termocentrale me djegie të linjitit. Këtë do ta bëjmë edhe ne.

Por, ajo çka ne do të bëjmë, është që ky termocentral të ndërtohet në pajtueshmëri të plotë me direktivat e BE-së. Do të jetë teknologjia apo fjala e fundit e teknologjisë – flasim këtu për termocentrale me djegie superkritike.

Ky termocentral do të jetë i gatshëm për zënien dhe për deponimin e CO2-shit. Kjo është një teknologji shumë përparimtare dhe termocentralin tonë me linjit do ta kemi fjalën e fundit të teknologjisë.

Ajo çka mundëson ky termocentral i ri, është mbyllja sa më e shpejtë e blloqeve të “Kosovës A”. Kur them sa më e shpejtë, do të thotë deri në fazën kur të ndërtohet ekziston mundësia për t’u mbyllur.

Po ashtu, zëvendësojmë njësitë e vjetra, të cilat nuk janë efiçiente, shpenzojnë shumë qymyr dhe lirojnë shumë gazra dhe emetime të tjera – me një termocentral modern, bashkëkohor, ashtu siç mund të gjendet edhe në vendet e Bashkimit Evropian apo vende të tjera.
XS
SM
MD
LG