Ndërlidhjet

Çfarë di Qeveria për bisedimet EULEX - Beograd?


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës thotë se ka pak informacione për bisedimet që po zhvillon EULEX-i me autoritetet e Beogradit. Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi thotë se nuk beson që EULEX-i mund të lidhë ndonjë marrëveshje që cenon sistemin unik të drejtësisë.

Qeveria e Kosovës beson se EULEX-i nuk do të lidhë asnjë marrëveshje me Beogradin në dëm të Kosovës.

Detajet e bisedimeve të kohëpaskohshme që misioni i BE-së i zhvillon me autoritetet serbe që nga marsi i këtij viti e këndej, sipas zyrtarëve qeveritarë në Prishtinë, për autoritetet kosovare janë pak të njohura.

Një nga fushat e diskutimeve ndërmjet EULEX-it dhe Beogradit ka të bëjë me drejtësinë, sidomos me gjykatat në veri të Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Nekibe Kelmendi, thotë se pavarësisht që nuk i di detajet e këtyre bisedimeve, EULEX-i nuk ka nevojë të bisedojë fare me Beogradin, por me gjykatësit dhe prokurorët serbë që duan të rikthehen në vendet e tyre të punës.

Me Beogradin gjithsesi nuk bisedojnë. Ata duhet të bisedojnë me gjyqtarët që janë atje. Unë nuk jam në dijeni se çfarë bisedash zhvillojnë, të çfarë natyre janë ato biseda dhe në çfarë formati janë të organizuara ato biseda”.

Ne nuk komunikojmë me Beogradin, por e di që në takimet e rregullta që i kam me EULEX-in, ne bisedojmë për rikthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës”, tha Kelmendi.

Pas deklaratave të zyrtarëve të EULEX-it në Prishtinë se do të preferonin disa marrëveshje teknike me Beogradin, mediat serbe kanë cituar zyrtarët në Beograd, të cilët mohojnë çfarëdo marrëveshjeje me EULEX-in.

Para së gjithash, Beogradi kërkon që për kthimin e gjykatësve serbë në punë, EULEX-i t’i kthejë në zbatim dispozitat ligjore të UNMIK-ut dhe jo dispozitat ligjore të Republikës së Kosovës.

Madje, autoritetet serbe kanë paralajmëruar që nga 1 janari i vitit të ardhshëm të formojnë trupa paralele të drejtësisë, ku përfshihen gjykata themelore, gjykata e lartë dhe gjykata për kundërvajtje në Mitrovicë dhe ato do të jenë gjykata amë për të gjithat degët në territorin e Kosovës.

Por, në anën tjetër, ministrja Nekibe Kelmendi nuk beson se në çfarëdo forme EULEX-i me këto diskutime do të pajtohej me Beogradin për këto gjykata paralele dhe ta rrezikojë kështu sistemin unik të drejtësisë, pasi që paralelizmat, sipas saj, kundërshtohen nga të gjitha institucionet e Kosovës.

EULEX-i e ka një rol të caktuar këtu, ka një mision të caktuar dhe ai brenda misionit të tij përgjigjet vetë për veprimet e veta. Kurse ne, as si qeveri, as si presidencë e as si Kuvend i Kosovës, nuk pranojmë që të kemi sistem të ndarë gjyqësor”, deklaroi ministrja Kelmendi.

Përderisa Beogradi deklarohet se nuk i ka nisur bisedimet me EULEX-in, zëdhënësi i këtij misioni në Kosovë, Kristof Lamfalusi, përgënjeshtron autoritetet serbe, duke thënë se ka bisedime dhe ato kanë nisur që nga pranvera e këtij viti.

Ne po zhvillojmë bisedime që nga marsi, kur shefi i EULEX-it, Iv De Kermabo, ka shkuar ne Beograd. Ajo ka qenë një nisje e një numri të bisedimeve për çështje teknike në nivel të komponentëve, që janë doganat, drejtësia dhe policia”.

Ne jemi në fazë të vazhdimit të këtyre bisedimeve për çështje të ndryshme dhe do të dëshironim të nënshkruanim tri protokolle për bisedime në lidhje me doganat, drejtësinë dhe policinë me Beogradin”, tha zëdhënësi Laumfulsi.

Sidoqoftë, marrëveshjet teknike me Beogradin, sipas zyrtarëve të EULEX-it, janë në fazën përgatitore të diskutimeve. Këto marrëveshje thuhet se kanë për qëllim disa çështje të interesit të përbashkët.

Menaxhimi i kufijve, lëshimi i kontrolluar i pasaportave, si edhe bashkëpunimi rajonal në fushën e sigurisë – policisë, janë vënë edhe si kushte nga Bashkimit Evropian për vendet e rajonit në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave, andaj zyrtarët evropianë besojnë se Beogradi do të tregojë fleksibilitet ose, në të kundërtën, do të përballet me probleme, marrë parasysh se përfshirja e Serbisë në liberalizimin e vizave i ka edhe kushtet e veta para se të zbatohet.
XS
SM
MD
LG