Ndërlidhjet

Zgjedhjet serbe forcojnë strukturat paralele?


Zgjedhjet serbe, që janë paralajmëruar të mbahen këtë fundjavë në Kosovë, nuk do të pengohen nga institucionet kosovare. Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se mbajtja e tyre forcon strukturat paralele serbe.


Autoritetet në Prishtinë thonë se nuk do të ndërmarrin asgjë për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve serbe këtë të diel në Komunën e Prishtinës dhe atë të Pejës, të cilat, nën organizimin e Qeverisë së Serbisë, po mbahen sërish për shkak të parregullsive në këto dy qendra votimi gjatë zgjedhjeve të kaluara.

Zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Xhavit Beqiri, thotë se ato janë një mjet tjetër në vazhdën e politikës së Beogradit karshi qytetarëve serbë të Kosovës, por thekson se nuk do të ndërhyhet në zhvillimin e tyre në dy komuna, për shkak të stabilitetit në vend.
Fakti që këto zgjedhje nuk pranohen nga institucionet legale të Kosovës e as ato ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, i bën tërësisht ato zgjedhje të pavlefshme...

“Fakti që këto zgjedhje nuk pranohen nga institucionet legale të Kosovës e as ato ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, i bën tërësisht ato zgjedhje të pavlefshme, andaj dhe nuk janë marrë veprime, të cilat në çfarëdo forme mund të krijonin tensione të panevojshme”, tha Beqiri.

Përfaqësues të institucioneve kosovare, ata të opozitës, por edhe të misioneve ndërkombëtare, kanë inkurajuar serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit në Kosovë.

Beqiri rikujton se, në bazë të Kushtetutës së Kosovës, këto zgjedhje janë zgjedhjet e vetme legale në Kosovë.

“Ato janë zgjedhjet e vetme legjitime, në të cilat, për fat të mirë, do të marrin pjesë edhe subjekte të rëndësishme të bashkësisë etnike serbe në Kosovë, ashtu siç marrin pjesë edhe partitë e tjera etnike në Kosovë”, theksoi ai.

Mbajtja e zgjedhjeve serbe më 16 gusht në Kosovë vështrohet me një sy më kritik nga përfaqësues të shoqërisë civile.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, mendon se zhvillimi i këtyre zgjedhjeve në Graçanicë të Prishtinës dhe në Gorazhdec të Pejës ndikon në forcimin e strukturave paralele serbe në Kosovë dhe, siç shprehet ai, i mundëson Beogradit të manipulojë më lirshëm në zona të caktuara të vendit.

Konjufca e quan të gabueshme qasjen e faktorëve vendimmarrës vendorë dhe ndërkombëtarë në lidhje me këto zgjedhje, por edhe në lidhje me strategjinë promovuese për zgjedhjet lokale të shtetit të Kosovës.

“Strategjia e institucioneve kosovare dhe e bashkësisë ndërkombëtare për t’i joshur serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, niset nga premisa e pasaktë, madje kundërproduktive, sipas së cilës, sa më shumë që ne t’i ofrojmë Serbisë, atëherë do ta bindim atë që t’i urdhërojë serbët që të kyçen në institucionet e Kosovës”, u shpreh Konjufca.
Duke iu përgjigjur strategjisë së Serbisë nëpërmjet koncesioneve të ardhshme, unë mendoj që nuk do të mund t’i integrojmë serbët në Kosovë...

Konjufca tërheq vërejtjen se injorimi, siç e quan ai, i organizimeve të tilla të Beogradit në Kosovë do të pengojë dhe integrimin e serbëve në jetën institucionale dhe shoqërore në Kosovë.

“Duke iu përgjigjur strategjisë së Serbisë nëpërmjet koncesioneve të ardhshme, unë mendoj që nuk do të mund t’i integrojmë serbët në Kosovë dhe strukturat paralele nuk do të zhduken”, tha ai.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës vitin e kaluar, Qeveria e Serbisë ka organizuar dy herë zgjedhjet e saj nëpër zonat e banuara me serbë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG