Ndërlidhjet

Në kërkim të një qasjeje më aktive


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Marrëveshja për bashkëpunim ndërpolicor me Serbinë, të cilën po përpiqet ta nënshkruajë këto ditë misioni i EULEX-it, sipas analistëve në Prishtinë, do të kishte kuptim vetëm nëse rishikohet, si dhe duke përfshirë edhe Kosovën si palë nënshkruese të saj.

Institucionet e Kosovës duhet të tregohen më aktive në politikat e tyre në raport me misionin ndërkombëtar dhe vendet fqinje, thonë ekspertët në Prishtinë.

Duke iu referuar protokollit të bashkëpunimit, që është paralajmëruar të nënshkruhet ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë, analistë politikë si dhe ekspertë të fushave të sigurisë konsiderojnë se ka ndodhur një anashkalim i Prishtinës zyrtare.

Nuredin Ibishi, ekspert i çështjeve të sigurisë, kërkon nga institucionet të jenë më aktive në bashkëpunim me misionet ndërkombëtare, ashtu edhe në raportet me jashtë.

Sa i përket protokollit të EULEX-it dhe Serbisë, Ibishi konsideron se ai duhet të rishikohet. Kurse, në marrëveshjen eventuale ai kërkon përfshirjen e barabartë edhe të institucioneve të Kosovës.
Kjo marrëveshje apo protokoll i bashkëpunimit policor është kundërkushtetues dhe kundërligjor, në kuptim të asaj se janë injoruar totalisht institucionet ...

“Kjo marrëveshje apo protokoll i bashkëpunimit policor është kundërkushtetues dhe kundërligjor, në kuptim të asaj se janë injoruar totalisht institucionet dhe është arritur me një përfaqësues jokompetent, në kuptim të asaj se janë injoruar përfaqësuesit vendorë, si të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ashtu edhe të Policisë së Kosovës, e cila është krijuar në bazë të ligjit dhe e cila ndërkombëtarisht është e njohur”, thotë Ibishi.

Nuredin Ibishi rikujton se marrëveshje të tilla bashkëpunimi ndërpolicor ka edhe me vendet tjera fqinje, por dallimi këtu qëndron se institucionet e Kosovës janë anashkaluar, kurse marrëveshja nuk e përmend askund Kosovën.

Gjithashtu, nënvizon Ibishi, flitet për kufij administrativë e jo shtetërorë, si dhe nuk definohet as roli i EULEX-it aty e as ligjet, mbi bazën e të cilave do të zbatohej kjo marrëveshje.

Kurse, dokumentet, në të cilat ajo referohet, si Rezoluta 1244 apo Letra e Ban Ki Munit, për Ibishin janë të tejshkuara dhe nuk kanë të bëjnë me realitetin tash, kur Kosova i ka institucionet e saj shtetërore.

“Normal që shtetet duhet të ndërlidhen, si në rajon, ashtu edhe ato ndërkufitare e më gjerë, në luftimin e krimit, por mbi baza të shëndosha, e jo në baza të interesave parciale, apo konstruksioneve që kanë prapavija të ndryshme, por jo atë të vërtetën – të luftimit të krimit”, thekson Ibishi.

Përndryshe, thotë Ibishi, marrëveshje të tilla do të ishin të mirëpritura, por vetëm nëse respektohet edhe Kosova si shtet në nënshkrim dhe zbatim të tyre.

Ndërkohë, analisti politik, Ismajl Hasani, thotë se marrëveshja e propozuar nuk është e përgatitur mirë dhe se është e ngutshme me vetë faktin se anashkalon institucionet e një shteti sovran.

Ismajl Hasani
“Nuk do të thosha se EULEX-i ka për qëllim të zyrtarizojë veprimin e organeve paralele në Kosovë, por sigurisht që anashkalimi i organeve legjitime në Kosovë, në një mënyrë, nënkupton, nuk do të thosha funksionalizimin, por lejimin e veprimit të organeve të ndryshme, të cilat pretendojnë se janë jashtë kontekstit të shtetit të Kosovës”,
thotë Hasani.

Analisti Hasani thotë po ashtu se institucionet e Kosovës duhet të insistojnë që të përfshihen në këto zhvillime, pasi që kjo është e drejtë e tyre legjitime e kushtetuese.

“Vënia e rendit në raportet midis dy shteteve, luftimi i kontrabandës, i trafikimit, i veprimeve tjera negative, është platformë legjitime në të cilën shtetet fqinje duhet të insistojnë edhe të bashkëveprojnë. Por, në këtë rast, nëse edhe më tutje organet legjitime të Kosovës nuk insistojnë me ngulm që të jenë pjesë e këtyre proceseve, e marrin përgjegjësinë mbi vete”, vlerëson Hasani.

Protokolli EULEX-Serbi përcillet me kritika edhe nga përfaqësues serbë. Marko Jakshiq, nënkryetar i Kuvendit të bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, thotë se nënshkrimi i këtij protokolli paraqet tradhti për serbët, pasi që Beogradi do të pranonte ekzistimin e kufirit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Marko Jakshiq
“Ne jemi të zhgënjyer me këtë marrëveshje dhe mendoj se sado që të jenë të rëndësishme vizat Shengen për Serbinë, nuk ia vlen që të dorëzohet 15 për qind e territorit për këtë qëllim”,
thotë Jakshiq.

Përfshirja në liberalizimin e vizave e kushtëzon Serbinë që të ketë një menaxhim më të mirë të kufirit, sidomos me Kosovën, i cili në veri të Kosovës, sipas Qeverisë në Prishtinë, shfrytëzohet nga grupe ilegale për zhvillimin e aktiviteteve të paligjshme.

Sidoqoftë, pavarësisht rëndësisë që paraqet për Kosovën dhe Serbinë një marrëveshje e tillë bashkëpunimi, si institucionet, ashtu edhe ekspertët, kërkojnë që marrëveshja të rishikohet dhe që aty si palë e barabartë të përfshihet edhe Kosova me institucionet e saj shtetërore.
XS
SM
MD
LG