Ndërlidhjet

Udhëzimet për reforma


Studimi i radhës i Komisionit Evropian për Kosovën, i cili në tetor pritet të publikohet paralelisht me Raportin e Progresit, do ta udhëzojë Kosovën në reformat politike dhe ekonomike për integrim në BE, thonë përfaqësues të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë.

Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, si një nga mekanizmat përgjegjës për mbikëqyrjen dhe mbështetjen e rrugës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian, pret që studimi i radhës i Komisionit Evropian për Kosovën, të stimulojë institucionet e vendit për një përkushtim më intensiv në përmbushjen e kritereve për integrimin në BE.

Zyrtarja për informim në këtë institucion, Maja Pavlloviq, njofton se studimi që pritet të publikohet paralelisht me Raportin e Progresit kah mesi i muajit tetor, do të identifikojë mënyrat për zhvillimin e mëtutjeshëm politik dhe ekonomik të Kosovës.

“Qëllimi i këtij studimi është të definohen sinergjitë më efektive ndërmjet punës së institucioneve të Kosovës dhe dokumentit që Komisioni Evropian aktualisht ka në dispozicion.”

“Ne presim që studimi të forcojë impulsin e përkushtimeve reformuese të Kosovës
”, pohon Pavlloviq, duke theksuar se në Bruksel ende nuk është qartësuar se si do të emërtohet studimi në fjalë.

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oli Ren, kishte paralajmëruar se pjesa më e madhe e studimit të radhës e Komisionit Evropian për Kosovën, do të fokusohet në mundësitë tregtare të Kosovës në kuadër të CEFTA-s, në problemet në këtë aspekt dhe në çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën me Bashkimin Evropian.

Përfaqësuesi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile, Fatmir Curri, sqaron më hollësisht.

“Kjo nënkupton që do të ketë për të gjitha vendet, duke përfshirë Kosovën, një muaj më pak kohë në implementimin e kritereve, ose standardeve, që i ka paraqitur Komisioni Evropian në partneritetin e vjetër. Këtë vit nuk do të ketë partneritet evropian për Kosovën, jo pse ka ngecur Kosova, por nuk do të ketë partneritet për të gjitha vendet e rajonit”,
shpjegon Curri.

Studimin, i cili pritet të dalë në tetor, Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës e kanë quajtur studim të fizibilitetit dhe kanë shprehur bindjen, se si i tillë, do të përmbajë konkluzione pozitive për Kosovën.

Ndonëse nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Prishtinë nuk komentohet puna e deritashme e institucioneve kosovare në drejtim të përmbushjes së standardeve drejt BE-së, ekspertët e kësaj fushe thonë se nuk ka pasur një angazhim gjithëpërfshirës institucional.

Sipas ekspertit për integrime në BE-, Shenoll Muharremi, përqendrimi i punës në lidhje me proceset drejt realizimit të kritereve si riatdhesimi, pastaj çështja e pasaportave dhe të tjera, nuk duhet të jenë vetëm obligim i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Kemi sinjale që Ministria e Punëve të Brendshme e ka një ‘drive’ në proces, por mos të harrojmë se si të gjitha proceset tjera, si zhvillimi ekonomik, si reformimi i sektorit të sundimit të ligjit, si procesi i pavarësisë-janë procese që varen nga shumë aktorë”.

“Unë mendoj që ne po dështojmë si shoqëri dhe institucione për t’i angazhuar dhe kyçur këto institucione në kryerjen e detyrave të veta”,
u shpreh Muharremi.

Studimi i Komisionit Evropian për Kosovën njoftohet se do t’i shtjellojë dhe mundësitë për Kosovën në lidhje me llojet e marrëveshjeve kontraktuese me Bashkimin Evropian.

Kjo gjë, sipas analistëve vendorë dhe ndërkombëtarë, vazhdon të jetë pengesa kryesore, e cila vlerësohet të ndodhë për shkak të mosnjohjes së shtetësisë së Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së.
XS
SM
MD
LG