Ndërlidhjet

Zotimet për identifikim të mbetjeve mortore


Familjaret e personave të pagjetur e kanë ndërprerë grevën e urisë. Ajo është ndërprerë, pas zotimeve për një angazhim më të fuqishëm në identifikimin e mbetjeve mortore.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u ka premtuar familjareve të personave të pagjetur se do të angazhohet me të gjitha kapacitetet për të bërë identifikimin sa më të shpejtë të 405 mbetjeve mortore, që gjenden në kontejnerët pranë Zyrës për persona të pagjetur dhe mjekësi ligjore në Prishtinë. Zotim ky që bindi gjashtë nëna të personave të pagjetur që të ndërpresin grevën e urisë.

“Dhe të ju them se do të ketë përkushtim ende më të theksuar dhe të përkushtuar thellë që të bëhet gjithë çka është e mundshme, në bashkëpunim edhe me institucionet ndërkombëtare që të bëhet ndriçimi i fatit të njerëzve edhe i këtyre mbetjeve mortore që janë këtu”, thotë presidenti Sejdiu.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, tha se do të kërkojë nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), që për tre muaj me radhë të mos merret me identifikimin e rasteve të tjera, por të merret, siç tha ajo, ekskluzivisht vetëm me identifikimin e mbetjeve mortore të Kosovës.

“Në mënyrë që ta përshpejtojmë procesin e identifikimit, kjo do të ishte ajo. Dhe, ministria e Drejtësisë, bashkë me Zyrën për persona të zhdukur, do të jetë gjithmonë e kyçur në proces të identifikimit. Sikur që ka qenë edhe përpara, edhe derisa ka qenë nën administrimin e UNMIK-ut”, shprehet ministrja Kelmendi.

Nysrete Kumnova, drejtuese e grevisteve dhe njëherësh udhëheqëse e Shoqatës “ Thirrjet e Nënave”, tha se do të presin për këtë periudhë kohore duke shpresuar, siç tha ajo, që të zbardhet fati i mbetjeve mortore.

“Të bëhet një marrëveshje me ICMP-në që t’u japë prioritet mbetjeve që janë në morgun e Prishtinës. Të përshpejtohet me një afat të caktuar, ne me të vërtetë kërkuam një afat 30 ditësh që është e pamundur, por edhe për këtë afat, tre muaj, kemi pritur dhjetë vite, ndërkaq po presim edhe tre muaj. Jemi në kontakt, dhe të gjithë besimin e kemi te ju, që ky proces më nuk do të ndalet, nuk do të harrohet siç ishte harruar”, thekson zonja Kumnova.

Sidoqoftë, gjashtë nëna të disa personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, që nga 1 shtatori kishin hyrë në grevë, ndërkaq që nga dje ishin futur në grevë urie, duke kërkuar përshpejtimin e procesit për identifikimin e 405 mbetjeve mortore që gjenden pranë Zyrës për persona të zhdukur dhe mjekësisë Ligjore, në Prishtinë. Ndryshe, dhjetë vjet pas përfundimit të luftës, Kosova vazhdon të numërojë rreth 1900 persona të zhdukur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG