Ngjarjet e javës

5
24 maj '09 - Anija kozmike amerikane Atlantis është kthyer e sigurt në Tokë, pas dy anulimeve të aterimit për shkak të motit të keq. Atlantis ka ateruar në bazën ajrore Eduards në Kaliforni, pas misionit 13 ditor të punimeve në teleskopin Habëll. Astronautët instaluan një kamerë të re dhe i rregulluan instrumentet e teleskopit 19 vjet të vjetër, për të cilin shkencëtarët shpresojnë se do të punojë edhe të paktën pesë vjet tjera.

6
24 maj '09 - Rrjeti shoqëror në internet Facebook, me seli në Shtetet e Bashkuara, ka bërë të ditur se do të zhvillojë hetime për raportet se faqja e tij në Iran është bllokuar. Më herët agjencia iraniane e lajmeve, ILNA, kishte raportuar se Qeveria synon mbylljen e faqes Facebook, para zgjedhjeve presidenciale që mbahen më 12 qershor. Ka dyshime se kjo bëhet me qëllim që, eventualisht, kandidatit opozitar Mir Hysein Musavi, t’i pamundësohet shfrytëzimi i faqes Facebook, për ta nxitur fushatën e tij kundër presidentit aktual, Mahmud Ahmadinexhad.

7
25 maj '09 - Organizata e Konferencës Islamike ka miratuar Rezolutën për Kosovën. Rezoluta e miratuar në Damask të Sirisë ngarkon Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj organizate, që në sesionin e radhës të Ministrave të Jashtëm, të raportojë mbi dinamikën e zhvillimeve në Kosovë. Miratimi i kësaj Rezolute, nga Prishtina zyrtare është parë si mesazh për njohje të reja nga bota e vendeve islame.

8
25 maj '09 - Koreja Veriore ka zhvilluar një testim bërthamor nëntokësor. Agjencia shtetërore e lajmeve e këtij vendi ka raportuar se ky testim është bërë me qëllim të forcimit të potencialeve vetëmbrojtëse bërthamore. Është thënë gjithashtu se ky testim ka pasur forcë më të madhe shpërthyese se testimi i parë që u bë në tetor të vitit 2006. Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar fuqishëm këtë veprim të Koresë Veriore. Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, tha se testi paraqet një “kërcënim për sigurinë ndërkombëtare” dhe se është një “kundërshtim i hapur”.