Ngjarjet e javës

1
6 qershor '09 - Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, dhe presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, gjatë takimit të tyre në qytetin Kaen në Normandi, i kanë bërë thirrje të përbashkët Iranit që të mos e zhvillojë programin e armëve bërthamore.

2
6 qershor '09 - Forcat ajrore të Brazilit kanë gjetur kufomat e para dhe mbetjet nga aeroplani Air France, i cili është rrëzuar në Atlantik. Të gjithë 228 njerëzit në bord besohet se kanë vdekur.

3
7 qershor '09 - Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka thënë se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e kthimit të sërishëm të Koresë Veriore në listën e shteteve që e sponsorizojnë terrorizmin. Në komentet për rrjetin Televiziv ABC, zonja Klinton kishte thënë se nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së pret rezolutë për sanksione të ashpra kundër Phenianit, për shkak të testit bërthamor të kryer muajin e kaluar.

4
8 qershor '09 - Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, e ka përsëritur mbështetjen e Francës për pavarësinë e Kosovës dhe ndihmën për integrim në BE, pas takimit të tij me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Paris, kishte njoftuar Presidenca franceze. “Shefi i shtetit i ka përsëritur kryeministrit Thaçi se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme”, thuhej në njoftim.