Ngjarjet e javës
9
9 qershor '09 - Real Madridi ka njoftuar për nënshkrimin e kontratës me yllin brazilian, Kaka, të Milanit, e cila, sipas raporteve, është ndër kontratat me çmimin më të lartë në historinë e futbollit. Sipas raporteve, klubi i ligës së parë spanjolle do t’i paguajë Milanit rreth 65 milionë euro për një marrëveshje 6-vjeçare për futbollistin 27 vjeçar.
10
10 qershor '09 - 16 të vrarë dhe 60 të plagosur ishte bilanci nga sulmi vetëvrasës me bombë në hotelin luksoz në qytetin pakistanez, Peshauar. Kombet e Bashkuara thanë se dy punonjës të saj, një serb dhe një filipinas, ishin në mesin e të vrarëve. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, e ka dënuar sulmin, duke e quajtur një “akt të neveritshëm terrorist”.
11
10 qershor '09 - I arrestuari i parë, i cili nga qendra e paraburgimit në Guantanamo doli para gjykatës civile në Nju Jork, u deklarua i pafajshëm në lidhje me shpërthimet në dy ambasadat amerikane në Afrikë, në vitin 1998. Tanzaniani Ahmed Gailani doli para gjykatës federale në Manhatan, disa orë pasi mbërriti në Nju Jork nga Guantanamo. Ai akuzohet për vrasjen e 224 njerëzve, përfshirë 12 shtetas amerikanë, të cilët vdiqën më 7 gusht, 1998, nga shpërthimet në ambasadat amerikane në Tanzani dhe Kenia. Ai mund të dënohet me vdekje nëse shpallet fajtor.
12
10 qershor '09 - Polica në Paris ka thënë se një libër i skicave që përmbante më shumë se 30 vizatime të Pablo Pikasos, është vjedhur nga një muze në kryeqytetin francez. Konsiderohet se vlera e librit sillet rreth 8 milionë euro.