Ngjarjet e javës
13
10 qershor '09 - Çmimi i naftës ka shënuar një rekord të ri në shtatë muajt e fundit, duke shkuar drejt 71 dollarëve për fuçi. Çmimet e naftës janë dyfishuar në tre muajt e fundit, falë sinjalizimeve se recesioni mund të ketë marrë fund dhe se kërkesa për karburante në Shtetet e Bashkuara mund të fillojë të rritet.
14
11 qershor '09 - Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s kanë arritur marrëveshje që numri i forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë të zvogëlohet nga 13,800 në 10,000 ushtarë, ndërsa vendimi është shpjeguar me stabilitetin në rritje në rajon. Është bërë e ditur se numri i pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë brenda dy vjetësh mund të zvogëlohet në rreth 2000 ushtarë.
15
11 qershor '09 - Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur pandeminë e gripit të derrave, duke e rritur alarmin në nivelin e gjashtë. Veprimi u bë për shkak të përhapjes në rritje të gripit të derrave, i cili u zbulua në Meksikë, dy muaj më parë, dhe është përhapur në 74 vende, në Azi, Evropë, si dhe në Amerikë. Shpallja e pandemisë së gripit të derrave nga Komiteti i ekspertëve për emergjenca në OBSH është e para e këtij lloji në 40 vjetët e kaluar.
16
11 qershor '09 - Avokatja e familjes së tre shqiptaro-amerikanëve, që u ekzekutuan në Serbi, në vitin 1999, tha se do të tërhiqet nga ky proces, pasi, sipas saj, autoritetet po i mbrojnë ata që i urdhëruan vrasjet. Veprimtarja udhëheqëse në Serbi për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, ka thënë se ka vendosur të tërhiqet nga pjesëmarrja në procesin kundër dy policëve serbë të akuzuar, pasi “ai shërben për t’i mbrojtur vrasësit e vërtetë dhe ata që urdhëruan ekzekutimin e vëllëzërve Bytyçi”.