Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama pritet të takohet sot me këshilltarët e lartë të tij për ta rishikuar strategjinë amerikane në Afganistan dhe për të diskutuar nëse duhet të dërgohen mijëra trupa shtesë amerikane për t’i luftuar militantët talibanë.
Zyrtarët që pritet të marrin pjesë në takimin në Shtëpinë e Bardhë janë nënpresidenti Xho Bajden, Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, admirali Majk Mullen.
Në takim pritet të marrë pjesë edhe komandanti i forcave amerikane dhe i NATO-s në Afganistan, gjenerali Stenli MekKristall, i cili së fundmi në një raport paralajmëroi se konflikti kundër talibanëve mund të humbet brenda vitit nëqoftëse nuk dërgohen dhjetëra mijë trupa tjerë në betejë.
Që kur e mori zyrën në janar, Obama pothuaj e ka dyfishuar numrin e trupave amerikane në Afganistan në rreth 62 mijë.