Ndërlidhjet

Gashi: Nuk ka vend për panik


Situata e nxënësve të sëmurë të shkollës së mesme “Hivzi Sulejmani” nga Fushë Kosova është stabilizuar dhe askush nuk është në rrezik për jetën. Mbi 50 nxënës të shkollës së mësipërme aktualisht po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë. Ata kanë shfaqur simpotma të ngjashme që janë pengesa në frymëmarrje, dhimbje koke e barku, plogështi si dhe shenja të një reagimi kolektiv psikologjik.

Lajmi konfirmohet për Radion Evropa e Lirë nga drejtori i Qendrës Klinike Universitare Jusuf Ulaj. Duke folur për shkaktarët e mundshëm ai tha për REL se “nuk kemi shenja tipike të shfrytëzimit të një helmi të posaçëm”, por ai shtoi se “po bëhen të gjitha analizat”.

Ministri I Shëndetësisë Alush Gashi ka vizituar nxënësit e sëmurë dhe ka kërkuar të mos bëhet panik. Ai tha se është ngritur një këshill i mjekëve të cilët do analizojnë situatën dhe do të arrijnë në konstatimin se për çfarë është fjala. Gashi ka theksuar se analizat toksikologjike do të dërgohen dhe jashtë vendit.
Të sëmurët e parë në shkollën Hivzi Sulejmani janë shfaqur pasditen e djeshme. “19 nxënës, shumica vajza, janë sëmurur të mërkurën pasdite me simptoma të njëjta, pengesa në frymëmarrje, dhimbje koke dhe plogështi, njoftoi sot Ministria e Arsimit. Kjo e fundit në një komunikatë thekson se rasti po hetohet nga Policia e Kosovës.

Instituti Shëndetësor ka marrë mostrat e nxënësve të sëmurë për analiza.
XS
SM
MD
LG